Nuk ka kaluar pa tension dhe debate mbledhja e djeshme e Partisë Demokratike, ku u paraqit edhe një raport i detajuar nga Arben Ristani për zgjedhjet vendore.
Sipas Ristanit PD ka bërë përparime të dukshme në krahasim me zgjedhjet e kaluara.
Gjithashtu është vendosur që në kryesinë e PD të rikthehen dy figura: Arben Imami dhe Jemina Gjana.
Imami do të jetë drejtues i bordit të fondacionit “Për liri dhe demokraci” ndërsa Jemin Gjana do drejtojë Departamentin për Kontributet Historike, raporton Panorama
Ka qenë pikërisht Imami që ka kundërshtuar një pjesë të raportit të Ristanit duke thënë se ai merret më shumë me kundërshtarët se sa me analizën e rezultatit të Partisë Demokratike.
Ja debatu i plotë:
Arben Ristani: Në raportin që kemi hartuar, jemi përpjekur të sqarojmë të gjithë faktorët që ndikuan në rezultatin që PD mori në zgjedhjet e vitit 2015. Duke mos anashkalur përgjegjësinë e drejtpërdrejtë dhe mosfunksionimin siç duhet të një sërë degësh, ka pasur shumë faktorë që ndikuan në rezultat. Një ndër faktorët më të rëndësishëm është ndarja e re territoriale, përfaqësues të mazhorancës gjithashtu janë investuar për blerjen masive të votës, faktorë këto që janë përmendur edhe në raportin e ODIHR.
Arben Imami: Unë gjykoj se raporti duhet të ishte më i detajuar lidhur me të dhënat që kanë të bëjnë me vetë PD, gjë të cilën nuk e shoh të reflektuar në punën që keni bërë. Ky që prezantohet është një raport që në 3/4 flet për kundërshtarët tanë politikë dhe vetëm në 1/3 flte për ne.
Lulzim Basha: Rezultatet konkrete dhe ndërhyrjet e dihura do t’i bëjmë pasi grupi që do të merret me analizën e çdo dege do të sjellë sugjerimet e duhura. Do të riorganizojmë çdo strukturë të PD në të cilën ka probleme, duke mos përjashtuar edhe ndërhyrjen në nivelet drejtuese, nëse qëndrojnë aty problemet.
Ridvan Bode: Këshilloj që të jemi më të kujdesshëm me ndërhyrjet që do të bëjmë në degët e PD. Duhet të bëjmë ndërhyrje, por jo të krijojmë pakënaqësi apo klane brenda strukturave, pasi do dëmtonim sërish PD-në.
Majlinda Bregu: Raporti i përgatitur mund të na ishte vënë prej kohësh në dispozicion që edhe ne të krahasonim rezultatet në zonat ku kemi qenë të ngarkuar me punë.
Lulzim Basha: Rezultatet kanë qenë publike.
Majlinda Bregu: Unë do të doja të isha njohur më parë me rezultatet e Njësisë Administrative 7, në të cilën kam qenë e ngarkuar.
Lulzim Basha: Po t’i kishe kërkuar, mund t’i merrje në faqen e KQZ, se aty janë të afishuara rezultatet për Tiranën dhe Shqipërinë.