Kryeministri Albin Kurti është duke qëndruar në Londër ku po merr pjesë në Samitin e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Kurti nga ky samit i ka kërkuar homologes së tij serbe, Ana Bërnabiç që të njohë pavarësinë e Kosovës.
Këtë e ka bërë të ditur zëvendëspresidenti i BERZH, Jurgen Rigterink përmes një postimi në rrjete sociale.
Rigterink shkroi se Bërnabiç ka thënë se përmirësimi i tregtisë rajonale është thelbësor për sigurinë në rajon, ndërsa Kurti ka kërkuar reciprocitet dhe njohje të shtetit të Kosovës.
Në këtë samit po marrin pjesë të gjithë liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor. Qëllimi është që të prezantohen sektorët me mundësi më të mëdha investimi me qëllim thithjen e fondeve nga BERZH-i.
Edhe kryeministri Rama ka mbajtur fjalën e tij në këtë samit, ku ndër të tjera e vlerësoi si të suksesshme nismën e Shengenit Ballkanik.
“Deri në 2014 nuk ishin ulur kurrë kaq lehtë me njëri-tjetrin, pa armë, pa urrejtje, pa gjakderdhje, për të folur për të ardhmen. Natyrisht kemi probleme për të zgjidhur, por ne jemi duke punuar së bashku dhe duam të ndërtojmë së bashku të ardhmen e fëmijëve tanë. Nuk bie dakord me termin minishengen, nuk është aspak mini, pasi ne të jemi nga më të gjatët në rajon. Është një hapësirë rajonale, ku bëhet fjalë për 4 liritë e lëvizjes”, tha Rama.
/a.r