Deputeti i opozitës parlamentare Myslim Murrizi ka kërkuar nga Komisioni i Ligjeve që 21 janari (dita kur u mblodh Kongresi i Lushnjës) të shpallet festë zyrtare për shkak të rëndësisë së saj historike për Shqipërinë.
Por duket se deputetët socialistë nuk janë të të njëjtin mendim. Deputeti i PS-së Alket Hyseni ka debatuar me Murrizin, por edhe me socialistë si Bashkim Fino, duke u shprehur se në vend ka shumë festa dhe nuk i duhet kurrkujt një tjetër ditë pushimi, pasi rriten kostot në buxhet.
DEBATI
Myslim Murrizi: Dua që 21 janari të shpallet festë kombëtare. Për rëndësinë që ka kjo datë duhet të shpallet festë kombëtare ashtu siç është 28 nëntori apo festat e tjera.
Alket Hyseni: Propozimi për të shpallur 21 janarin si festë zyrtare ka qenë një nismë më e hershme. Kongresi i Lushnjës është një moment me rendësi në histori. Çdo vend ka një numër limit të festave zyrtare. Kemi 14 festa, më shumë se çdo vend i rajonit. Përcaktimi i festës, ditë pushimi për institucionet shoqërohet me efekte financiare. Një dite tjetër feste zyrtare rëndon buxhetin
Myslim Murrizi: Kjo është një kërkesë që më ka ardhur nga 41 anëtarë të këshillit bashkiak të Lushnjës. Ata që kanë shkruar 5 libra e barazojnë një më një me 28 nëntorin. Asnjë festë zyrtare nuk e ka rëndësinë e Kongresit të Lushnjës…
Bashkim Fino: Edhe unë jam ekonomist Alket. Mund të gjendet një argument tjetër. Të marrim disa indicie që kjo të jetë datë pushimi, nuk mund ta ngatërrojmë me argument financiar. Duhet të jemi të gjithë në një zë për ta miratuar për ta kremtuar së bashku, jo thejsht për PD-në, jo për Ballin. Ne kushtetutën e kemi dhe mund ta zgjidhim ndryshe. Do të thosha në përfundim, duke e mbështetur si nismë pasi të marrim brenda javës tjetër ta shtrojmë dhe diskutojmë se nuk na nxiton gjë. Unë them të mos marrim vendim pro dhe kundër, duke marrë informacion më të hollësishëm dhe duke e mbushur relacionin unë do të mendoja që ta rishikojmë dhe ta miratojmë javën tjetër.
Më 21 janar në vitin 1920 u Mblodh Kongresi i Lushnjës në të cilin u miratua një akt kushtetues për pavarësinë e plotë të Shqipërisë.











