Gianni De Biasi i vetëofrohet Italisë. Ish trajneri i Kombëtares në një intervistë për Tuttomercatoweb.com thotë se është i gatshëm nëse do të vijë ndonjë telefonatë nga Federata italiane dhe sqaron se është në negociata me Australinë. I pyetur për krizën e futbollit Italian De Biasi sqaron:“ Mbi të gjitha do të doja një President Federate me ide të qarta që të njohë futbollin dhe jo vetëm termat ekonomikë. Më pas mendoj se duhet një përfshirje më e madhe e klubeve pasi Kombëtarja duhet të bëhet shtëpia e të gjithëve. Unë trajner i Italisë? Ka shumë trajner që e duan këtë post dhe Ancelotti do të ishte zgjedhja e duhur. Shoh edhe shumë të tjerë që vetëkandidohen por duhet të kuptojnë që të drejtosh një Kombëtare është tjetër gjë nga drejtimi i një klubi. Unë jam shumë i hapur nëse do të më telefonojnë por duhet parë nëse duan drejtuesit e Federatës. Nëse duan të më takojnë do i pres me duar hapur” mbyll analizën De Biasi. Gianni De Biasi qëndroi 5 vite në drejtimin e Shqipërisë dhe vetëm dy muaj tek Alavesh. Duket që italiani nuk qëndron dot larg Kombëtareve dhe nëse nuk është Italia De Biasi zbulon se në kontakte është me Australinë që merr pjesë në Botëror.
“Më ka kontaktuar edhe Crotone ndërsa për sa i përket Australisë kontaktet vijojnë që prej verës pasi jam takuar me drejtues te tyre por nuk ka asgjë konkrete. Unë jam në listë ashtu si shumë kolegë të tjerë dhe i gatshëm të punoj nëse më zgjedhin pasi kam eksperiencën e drejtimit të Shqipërisë”. Gjatë kësaj interviste De Biasi ka folur edhe për Milanin, ndeshjen e së shtunës Juventus-Inter dhe Napolin.
ma.me