Humbja me Spanjën shkaktoi një furtunë kritikash në drejtim të De Biazit dhe të Kombëtares. Jo për humbjen, sesa për sjelljen e kuqezinjve në fushën e lojës. Nisur nga kjo, por edhe për shumë tema e çështje që rrethojnë drejtpërdrejtë kuqezinjtë, Xhani De Biazi flet për gjithçka.
Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, italiani shpjegon diferencën e të përgatiturit të një ndeshjeje dhe lehtësinë që mund të flasësh për të në mbarim, i del në krah Berishës për gabimin që bëri ndaj Spanjës, si dhe përmend edhe një herë detyrën e Shqipërisë në këtë grup kualifikues.
“Objektivi ynë nuk ishte që të mos i lejonim ata të kontrollonin topin, por kur ne të merrnim topin në zotërim, të mund të ishim të saktë në veprimet që bënim. Këtë gjë, për fat të keq, e bëmë pa cilësinë e duhur dhe me shumë pasiguri”, shprehet ndër të tjera tekniku i kuqezinjve. Më tej, i bën të qartë Kaçes se nuk do t’i lutet për ta sjellë në Kombëtare nëse ndonjë ditë vendos ta grumbullojë…
Pas Spanjës pati shumë kritika në adresën tuaj, pjesa më e madhe e të cilave nuk ishte për humbjen, por për mënyrën se si luajtëm…
Kritikat janë normale pas një humbjeje. Por besoj se dikush ka harruar të marrë në konsideratë se kush ishte kundërshtari ynë… Objektivi ynë nuk ishte që të mos i lejonim ata të kontrollonin topin, por kur ne të merrnim topin në zotërim, të mund të ishim të saktë në veprimet që bënim. Këtë gjë, për fat të keq, e bëmë pa cilësinë e duhur dhe me shumë pasiguri. Nuk arritëm të bënim kurrë më shumë se 5 apo 6 pasime kur kishim topin.
Nëse do të riluhej tani ajo ndeshje, a do të kishit bërë diçka ndryshe?
Ndeshjet janë gjithnjë ndryshe nga njëra-tjetra. Është shumë e thjeshtë të thuash se “po të luante njëri në vendin e tjetrit, gjërat do të kishin ndryshuar! Por kush e thotë këtë? E thotë dikush që ka pak njohje me këtë punë. Është shumë e thjeshtë të flasësh pas ndeshjes…
Përse hoqët dorë nga Kukeli në ndeshjen me Spanjën, duke qenë se ai ka qenë gjithnjë ndër të besuarit tuaj që prej fillimit të aventurës me kuqezinjtë?
Sepse nuk ishte në formën më të mirë dhe sepse kundër Lihtenshtejnit, tri ditë para Spanjës, kishte dalë nga fusha e lojës prej një problemi fizik.
Çfarë menduat kur Berisha gaboi te rasti i golit të parë?
Mendimi i parë ishte që mund t’u ndodhë të gjithëve të bëjnë një gabim në punën e tyre. Bufoni besoj se është një nga ata portierë që nuk mund të diskutohen për cilësitë që ka, por në ndeshjet e fundit me Kombëtaren ka bërë gabime trashanike. Etriti është një portier i madh dhe kishte nevojë të gjente besimin në një klub (Atalanta), në mënyrë që t’i jepej mundësia të luajë rregullisht dhe të tregojë vlerën e tij.
Ajo që bëmë kundër Spanjës ishte katenaço i stilit italian, apo i stilit shqiptar…?
Bëmë aq sa mundëm të bënim… Forca e kundërshtarit nuk na lejoi të bënim më shumë, sepse në fakt kishim planifikuar të përsërisnim paraqitjen me Portugalinë në Averio.
Ish-trajneri i Kombëtares, Astrit Hafizi, ka qenë kritik për faktin që Kombëtarja kapitulloi ende pa nisur loja me Spanjën, duke thënë gjithashtu se me këto ritme nuk shkohet larg… I referohej në fakt edhe paraqitjes që bëri skuadra me Maqedoninë. Ju si mendoni?
Mendoj se, prej disa kohësh, ish-trajneri Hafizi ka një sjellje aspak pozitive ndaj Kombëtares, sepse është i gatshëm të kritikojë sapo i krijohet mundësia. E bëri këtë edhe gjatë Europianit, megjithëse opinioni ndërkombëtar ka lëvduar lojën e skuadrës sonë. Besoj se e kuptoj motivin e kësaj sjelljeje pasi, në fund të fundit, ai nën drejtimin e Kombëtares, megjithëse ka pasur në dispozicion një grup me futbollistë të shkëlqyer, ka marrë rezultate të dobëta.
Besoj gjithashtu se kundër Maqedonisë djemtë arritën të fitonin një ndeshje me dy fytyra, sepse pas një pjese të parë të mirë, në të dytën ua dhuruam kundërshtarëve barazimin dhe, më pas, humbëm qetësinë. Ditën tjetër, me vetëm 15 minuta lojë në dispozicion, ne shënuam gol dhe morëm tri pikët që dëshironim. Nëse ai kërkon të na ndihmojë në punën tonë, mjafton të shohë statistikat e UEFA-s…
Duka deklaroi se objektivi i vërtetë i Kombëtares është që të mbërrijmë të tretët dhe të lëmë pas Izraelin… Juve a ju mjafton kjo?
Mendoj se do të ishte një rezultat që i shkon për shtat logjikës së grupit ku ndodhemi, por besoj që sot asnjë nga ne nuk mund të kënaqet me këtë objektiv. Hyjmë në fushë gjithnjë për të fituar dhe jo për t’u kënaqur me rezultate minimale. Por ka edhe rivalë që luajnë më fort dhe më mirë se ne dhe rrezikojnë të na mundin. Për këtë motiv, ne duhet të japim gjithnjë 100% të mundësive tona.
Çfarë ndodh me Ergys Kaçen? Pat deklaruar se, sa të jetë De Biazi trajner, mund edhe të mos vijë më në Kombëtare…
Besoj se asnjë futbollisti nuk i pëlqen të qëndrojë në stol, por në fushën e lojës shkojnë vetëm 11 lojtarë. Skuadrat e mëdha përbëhen edhe nga futbollistë të mëdhenj, sepse respektojnë vendimet, respektojnë shokët dhe janë të gatshëm të sakrifikojnë në çdo moment për të mirën e përbashkët. Kombëtarja është diçka madhështore dhe e mrekullueshme, e cila duhet të lumturojë çdo njeri që është pjesë e saj.
Këtë e kuptojmë në çdo hap që hedhim dhe kudo që ndodhemi, sepse shohim se sa me pasion e dashuri na ndjekin dhe mbështesin tifozët tanë. Sa i përket Kaçes, po ju them se mora një vendim teknik, çka është pjesë e detyrës sime dhe ia shpjegova qartë djaloshit.
Mes meje dhe tij nuk ka pasur asnjë tension dhe unë i kam shpjeguar se çfarë kërkoj nga ai: që të reagojë dhe të më vendosë në vështirësi në zgjedhjet që bëj, duke u stërvitur maksimalisht dhe duke më bindur se është gati. Sa i përket mundësisë që ai të mos vijë në Kombëtare, mua nuk ma ka thënë kurrë këtë. Nëse në të ardhmen do të vendos ta ftoj në Kombëtare dhe ai nuk do të vijë, e sigurt është se nuk do t’i lutem të vijë.
Pas Europianit, çfarë ka ndodhur në Kombëtare?
Në thelb asgjë, por ekziston gjithnjë rreziku se tani i bëjmë gjërat thjesht… Ia kam vënë në dukje edhe skuadrës këtë dhe u kam thënë lojtarëve se nëse humbim cilësitë tona, forcën tonë, përkushtimin dhe shpirtin e skuadrës, atëherë do të jetë e vështirë të vazhdojmë të ëndërrojmë.
Gjërat tani janë më të thjeshta apo më të vështira?
Të përsëritësh veten është gjithnjë më e vështirë, sepse nivelin e pritshmërive e ngritëm ne vetë me paraqitjet që bëmë dhe tani të gjithë presin maksimumin në rezultate dhe në lojën tonë.
Çfarë ka më shumë Kombëtarja tani dhe çfarë ka më pak?
Me siguri ka më shumë eksperiencë, ka më shumë aftësi për të rezistuar në fushë, më pak neglizhencë dhe më pak mendime të tipit “të marrim ç’të marrim nga ndeshja e radhës”. Mendoj se tani ka më shumë përgjegjshmëri dhe kërkesa më të larta.
A keni menduar të rinovoni kontratën me FSHF-në pas vitit 2017?
Nuk kemi folur kurrë për këtë çështje.
Pas Lorik Canës, kush bën rolin e liderit në skuadër?
Ka disa djem që kanë cilësitë e liderit në grupin tonë dhe janë të ndërgjegjshëm për rëndësinë që ka fakti se duhet të jenë gjithnjë të bashkuar. E dinë mirë se çdo të thotë një grup i mirë dhe i bashkuar.
Ish-kapiteni Altin Lala dhe ish-ndihmësi juaj deklaroi se ndoshta ishte e gabuar nga ana juaj që të mos merrnit Rashicën në Europian, duke lënë të kuptohet se kështu ai sot mund të ishte një lojtar i Shqipërisë dhe jo i Kosovës. Ju jeni dakord me këtë?
Kur kam takuar Altinin personalisht nuk ma tha këtë gjë. Përkundrazi… Gjithsesi, ai tani është menaxheri i Rashicës dhe bën detyrën e tij. Por nëse nuk gaboj, djaloshi deklaroi pak kohë më parë në media se, edhe nëse do të kish qenë me ne në Europian, sërish do të kish zgjedhur Kosovën…
“Miku-armik”, Albert Bunjaki në tri ndeshjet e para në eliminatore ka marrë një pikë në start dhe më pas ka pësuar dy humbje të thella. A keni parë ndonjë nga ndeshjet e Kosovës në këto eliminatore?
Nuk kam pasur kohë të shoh dy ndeshjet e fundit. Kam pasur mundësi të shoh vetëm ndeshjen me Finlandën dhe më pëlqyen, madje morën edhe një barazim të bukur.
A është e vërtetë që gjatë verës morët një ofertë të çmendur financiare nga Kina dhe mund të kishit shkuar atje?
(Nuk përgjigjet)
/PanoramaSport/a.m.