Vera Bekteshi ka vendosur të hapë portat e shpirtit. Kur u kthye nga internimi, u përpoq të rimerrte jetën e saj. Mbrojti doktoraturën në Fizikë, nisi të punonte.. Kur ishin bërë vite mjaftueshëm për ta parë të shkuarën me ftohtësi, Vera Bekteshi vendosi të shkruajë autobiografinë e saj. Jetën e saj, nga vajzë Blloku te dënimi i të atit, pasojat mbi familje dhe internimi në fshatrat e Beratit dhe puna në kooperativë. Vera Bekteshi është vajza e gjeneralit Sadik Bekteshi.
Ai u dënua bashkë me grupin e ushtarakëve në vitin 1974. Asokohe ishte drejtor i Institutit të Studimeve Ushtarake, ku u përgatitën tezat e reja të mbrojtjes, të ashtuquajturat “Teza të Zeza”.
“Babai ishte akuzuar deri atëherë me përgjegjësinë e hartimit të këtyre tezave, por jo me veprimet konkrete ‘të organizimit’ të puçit ushtarak, gjë që i shpëtoi ndoshta edhe jetën”, tregon Vera Bekteshi në librin e saj autobiografik “Vila me tri porta”, botim i UET Press.
Në librin e saj, Bekteshi tregon për jetën e vet, momente të bukura e të trishta, nga dasma me fëmijët e udhëheqësve të vendit, te braktisja nga i shoqi, ndërsa mbante në krahë një fëmijë motak.
VERA BEKTESH
NJË DARKË JOFORMALE
Ishte fundgushti kur unë u martova, pa rroba të bardha dhe pa dasmë me aheng. Nga ana jonë u bë thjesht një darkë me shokët ushtarakë të babait, në plazhin e Durrësit. Ai sapo ishte qarkulluar me ulje në korpusin e Korçës, më së shumti si kundërshtar i heqjes së gradave në ushtri. Unë kisha mbaruar vitin e dytë të Fizikës dhe meqë isha e fejuar, më mbetej të përfundoja në konvikt ose në martesë.
Ime më dhe i fejuari zgjodhën këtë të dytën, siç thanë për të ruajtur shëndetin tim, por unë druaj se e bënë për të mos i dhënë udhë lirisë sime në ndonjë zgjedhje të re. Kur shkelëm në apartamentin e ri, që e shihja për të parën herë, rashë brenda menjëherë, si e quanim në ato kohëra ‘dashurinë me shikim të parë’. Kishte hapësirë dhe dritë, gjë e rrallë për atë kohë.
Mendova se gjëja më e mirë do ishte një darkë me shokët e mi në këtë banesë të re plot vend për të kërcyer. Por desha t’i jepja edhe pakëz gëzim martesës sime thuajse të trishtuar. Nga ana e dhëndrit u bë gjithashtu një ceremoni e thjeshtë, por që ndoqi pak a shumë zakonet e kohës.
Asaj vere, familja e tij po organizonte, atë të diel fundgushti, të tretën dasmë radhazi, dy njëherësh asaj dite dhe gratë e tyre ishin të rraskapitura. Darka u servir pas mesit të natës dhe megjithëse fotot janë bërë diku nga mbrëmja, në to shoh fytyra me shprehjen e lodhjes dhe pakënaqësisë. Mbi të gjithë dallohem unë, apo kështu më duket, pa pikë nuri, e përzhitur nga dielli i aksionit në Jonufër dhe më pas ai i plazhit të Durrësit, veshur me një fustan të thjeshtë në gri-argjendi dhe me një karafil të bardhë ngulur në flokë.
Dukem buzëvarur dhe pa asnjë shenjë nusërie, as fustan të gjatë të bardhë, as vello prej tyli, ndërkohë që Arqilini, ime kunatë, që martohej po atë ditë dhe që vinte nuse nga Fieri, i kishte respektuar gjithë rregullat e rastit dhe duket bukur dhe e qetë në fotografi. Diku nga mëngjesi u kthyem në apartamentin tonë mbi postën qendrore për të filluar një jetë të re, së cilës unë ia kisha paksa frikën, prandaj vendosa menjëherë të bëja atë darkën joformale, thjesht me shokët e mi edhe si për të inauguruar shtëpinë e re. Banesa ishte thuajse bosh dhe si e tillë, vendi më i përshtatshëm për një darkë rinore.
Porositëm një arkë me birra dhe ca haje që nuk shquanin fort, përveç një gjysmë qengji, mbetur pa gatuar nga përgatitjet e darkës së plazhit, që e poqëm për merak në furrën e lagjes.
Nuk kisha ende sobë gatimi dhe as tavë me korrent ku gatuanim aso kohe të pjekurat. E para erdhi Mira Klosi, edhe për të më ndihmuar me sallatat, sepse dy vëllezërit e mi merreshin me blerjet dhe rregullimin e tavolinave.
Anastasi, si në çdo shtator, ishte në kulm të punës për përgatitjet e sesionit të jashtëzakonshëm të OKB-së dhe zakonisht kthehej në orët e para të mëngjesit. Bebi Kristidhi me Pirro Milkanin, atë kohë të fejuar, erdhën së bashku me një dhuratë voluminoze në dorë.
– Hape kur të vinë të gjithë, – më tha ajo.
Me Lad Shehun erdhi muzika dhe e gjithë kjo histori më erdhi përmes këngës “Lady Madona”, që u përsërit më së shumti në magnetofonin e tij, por jo vetëm ajo, ishin kryesisht “Beatels”-at me gjithë repertorin e tyre, “Rolling Stones” me Mick Jagger-in në “I can’t get no satisfaction”, që u përsërit edhe ajo disa herë, si dhe xhazistët dhe rokistat amerikanë, të vjetër e të rinj. Ishte dhe Luis Armstrongu me “Let my pople go”.
Më vonë erdhi Gim Myftiu, Nina Theodhosi, Lida Konomi me Pirro Thomon, të fejuarin, dhe i fundit Ismaili me Helenën. Duhet të kenë qenë dhe nja dy të tjerë, sepse mbaj mend numrin 15, që nuk plotësohet vetëm me këta emra. Kërcyem në korridor sa mundëm e si mundëm, duke u futur herë pas here në dhomën e madhe ku ushqimi i shërbyer ishte në mëshirën e një nate të nxehtë fundgushti.
Bebi kërcente më mirë nga të gjitha ne vajzat, kurse nga djemtë shquhej si gjithnjë Ladi. Po kaloja nga kuzhina me pjata në duar kur ai ishte duke bërë një nga ato figurat e vështira të rock and roll-it. Duke lëvizur gjunjët, ulej ngjitur me pllakat e çimentos dhe pa rënë përdhe ngrihej me një ngazëllim që ia ndriçonte gjithë fytyrën.
Dukej sikur sapo kish dalë nga filmat amerikanë, që mund t’i shihnim në të rrallë në televizionin italian. Andej duhet t’i kishte mësuar lëvizjet edhe sepse i binte nja dy veglave muzikore dhe ritmin e kishte në gjak. Kujt i kishte ngjarë vallë? Pirro Thomo, i fejuari i Lidës, që kishte studiuar në Poloni dhe për të cilin në Tiranë qarkullonte një legjendë si kërcimtar i paarritshëm, donte të ngrihej edhe ai, i nxitur prej Ladit e të konkurronte me të, por Lida nuk e la që nuk e la, duke e tërhequr prej mënge. Prindërit e saj ishin goditur në Konferencën e Tiranës në vitin 1956 dhe Eftiqija, e ëma, e vëzhgonte nga larg njësoj sikur të ishte edhe ajo e pranishme në darkë.
U ngritën vetëm për të kërcyer ndonjë tango apo fokstrot, sepse valsi, që Lida pëlqente më së shumti, nuk u luajt asaj nate. Helena ngrihej herë pas here, kurse i vetmi që nuk kërceu asnjëherë qe Ismaili.
Neli, vëllai im i vogël, na ndiqte me gojë hapur edhe pse Beatells – at ishin të preferuarit e tij, por ajo që e la pa gojë ishte kërcimi ynë, të tjerat, erdhën më pas. Birrat u derdhën ‘lumë’, por ishin krejt të ngrohta, për mungesë frigoriferi, gjë që nuk u vu re, sepse temperatura e trupave tanë ishte ku e ku më e lartë sesa ajo e shisheve të zhytura në një legen të madh, uji i të cilit ndërrohej herë pas here.
Këtë punë e bënte Neli, që ishte i lumtur të merrte pjesë në shoqërinë e shquar të së motrës, ndërsa Guxi nuk e kish për herë të parë, njihej me shumicën e miqve të mi. Pasi u pi goxha birrë dhe u lodhëm së kërcyeri, Gimi, më mendjehapuri dhe liberali prej nesh, ia krisi temës së tij të preferuar, sharjes së rrugës së zgjedhur prej prindërve tanë dhe bindjes së tyre të verbër ndaj udhëheqësit. Unë, si e zonja e shtëpisë, i mbaja ison. Ladi e shoqëronte me të qeshurën e tij të veçantë.
– U prishëm me rusët, tani prisni kur të na lidhë me Mongolinë. Hajt se u prish me ta, po pati rastin më të mirë për t’u lidhur me perëndimin, na hiqet edhe si filofrëng, pse nuk e bën. E kuptoni ju?, – tha Gimi pas shumë fjalëve, që u ranë si bomba atyre që qenë rritur jashtë postblloqeve.
– Jo, s’kuptojmë gjë, prandaj më mirë e mbyllim këtë muhabet, – tha me të drejtë njeri prej tyre, që gjendej për herë të parë midis nesh dhe që me sa duket e kisha ftuar meqë shokët e fakultetit ishin ende me pushime.
Ai llogariti në çast ku të çonin të tilla biseda. Nuk më kujtohet se cili qe, kanë kaluar kaq shumë vite (as Nelit nuk iu kujtua), por më kujtohet fare mirë frika në zërin e tij si dhe mendimi i kthjellët se vetëm një budalla, ose ca si puna jonë që nuk e dinim se ç’na priste, mund të flisnin ashtu.
– Mos e bëj kaq të madhe, ne po shajmë prindërit tanë, nuk ke pjesë ti, rri e dëgjo, jemi midis nesh, – tha Gimi me zë më të ulët.
Unë ndërhyra për ta qetësuar të ftuarin, më takonte së paku si e zonja e shtëpisë, por është pak të thuash se ata që dëgjonin për herë të parë të thuheshin të tilla gjëra, u ndjenë në siklet. Ismaili ndiqte bisedën me vëmendje dhe pa ndonjë shqetësim, kishte kohë që merrte pjesë në ‘thagma’ të tilla.
Im shoq vazhdonte të punonte në zyrë; Mira nuk aprovonte, por as kundërshtonte, edhe ajo s’e kish për herë të parë, dëgjonte e qetë si gjithnjë; Nina, a thua se nuk dëgjoi gjë, fytyra nuk e tradhtoi aspak, kurse Neli rrinte mënjanë gojëhapur. Ladi vazhdonte të dëgjonte me një nënqeshje të lehtë në buzë.
Po të mos e njihje mirë, mund të mendoje se ai po tallej me mendjelehtësinë tonë. Ishte mënyra e tij e të qenit dakord me ato që thuheshin, pra me kritikat, por ai nuk hapej kurrë jashtë grupit. Bebi doli me vrap në korridor të merrte dhuratën e saj dhe duke i dhënë rëndësi hapjes së pakos, sikur po zhvishte një trup njeriu, na zbuloi që brenda paskësh qenë një oturak i kaltër. Kjo ndërhyrje e uli pakëz temperaturën dhe vegla kryesore e foshnjës së ardhshme kaloi dorë më dorë.
Neli, 15-vjeçar, u rrit para kohe asaj nate dhe si e tërhoqi Guxin në kuzhinë, i tha:
– Tani po e marr vesh se motra jonë qenka reaksionare. Po sa të lezetshëm qenkan këta miqtë e saj. Dua të rri me ju në Tiranë, në këtë shtëpi, s’dua të shkoj në Korçë. Vërtet nuk shkoi, la gjimnazin për të vazhduar shkollën e mesme të sportit dhe vinte herë pas here te ne, sa herë merrte vesh që kishim ndonjë darkë, me shpresën që të takonte miqtë e mi.
Guxi nisi atë shtator vitin e parë të Kimisë Industriale dhe qëndroi me ne të dy dhe në këtë mënyrë të tre fëmijët e Havasë, prokurores, u bënë ‘reaksionarë’ pa e kuptuar as ajo, as ata vetë. Rastësisht apo domosdoshmërisht, Agimit i doli fjala dhe ne u lidhëm, për fat, me Kinën, jo me Mongolinë, ndërsa jo vetëm tre fëmijët e mëdhenj të Bekteshëve, por e gjithë familja do të shpallej ‘armike’ pas disa vitesh.
Megjithatë, asnjeri prej të pranishmëve në atë bisedë jo të zakonshme nuk më rezultoi që të ketë dekonspiruar. Ishte një apartament besnik, që me përzënien time në internim u popullua nga një sigurims me peshë. Thonë kot se muret kanë veshë!
POST PLENUM
Në 25 dhjetor, fiks nëntë ditë pas plenumit, familja ime amë u dëbua nga Tirana. Pasditen e datës 24, Zana erdhi për të më takuar para ikjes. Duke më lënë në dorë një ‘tufë’ parash dhe një lugë të madhe argjendi, më kërkoi t’i jepja fotot e fundit të miat me Arturin. – Mamaja më dha këto dy mijë lekë dhe këtë lugë argjendi për ta shitur, po të mbetesh pa para, s’kishin më shumë.
Guxi është këtej rrotull se po ndahet me shokët, Nelin sapo e lajmëruam me telefon që të mos niset nga Qafë Mali se s’gjen më njeri këtu. Mami me babin të puthin fort, por s’erdhën për të mos bërë keq ty. E dinë se Anastasi s’ka për të rezistuar, por të paktën të mos bëhen ata shkaktarë, – shtoi ajo. Qëndruam në korridor, fjalët i shkëmbyem në vesh me zë shumë të ulët dhe tërë kohës të përqafuara.
Dridheshim të dyja si të na kishin hedhur ujë të akullt. Nuk e di si iu duka unë asaj, por n’ato çaste Zana m’u duk si një fëmijë i vogël i pambrojtur, megjithëse ishte 18 vjeç dhe gati 180 cm e gjatë. Im shoq s’kishte fjetur në shtëpi atë natë dhe as më kishte marrë në telefon për të më lajmëruar. Që kur ishte kthyer para kohe nga sesioni i OKB-së për shkak të dënimit të tim eti, nuk e përdorte fare telefonin.
Isha në kuzhinë duke i bërë banjën e mbrëmjes tim biri, kur dëgjova derën e jashtme të hapej dhe të futeshin brenda në heshtje disa njerëz. Nuk mund të lëvizja nga vendi. Më pas u hap dera e kuzhinës dhe hynë nja katër vëllezër të tij, por pa të. Vazhdova ritin e përnatshëm të banjës, duke u kushtuar të porsaardhurve minimumin e vëmendjes e duke shkëmbyer ndonjë fjalë të rrallë me ta.
Dukeshin të tronditur, aq sa u mungonte ai qëndrimi i zakonshëm fodull. M’u bë e qartë përse kishin ardhur. Gjithë ato kohë, im shoq dhe të tjerë në kushtet e tij thirreshin në mbledhjet e partisë, ku direkt apo tërthorazi iu kërkohej të mbanin qëndrim të prerë ndaj grupit armik ‘të sapoidentifikuar’.
Kjo do të thoshte t’i premtonin partisë se do distancoheshin nga bijat ose bijtë e armiqve, apo thënë ndryshe, që do ndaheshin prej tyre. Ky presion u vinte edhe prej familjeve amë, që pjesëtarët e saj të mos prekeshin politikisht. Me sa duket, ai e kishte dhënë premtimin në parti dhe familje dhe atë mbrëmje do ta vinte në jetë. Mbas ndonjë gjysmë ore u fut edhe ai në kuzhinë, pasi kishte paketuar rrobat e tij në dhomën e gjumit.
Isha fare e mpirë, as nuk e pyeta ku kishte qenë një natë më parë dhe as pse s’më kishte lajmëruar. Ai deshi të thoshte diçka, por s’e la zhurma e fortë e trokitjeve në derë. Dallova trokitjen tërsëllimtare të Guxit. U afrova te dera kryesore me djalin në krahë.
– Jam me Fredin, hape derën se dua të laj ca hesape me ata pesë burrecë që vijnë të ndajnë një grua me një foshnje!, – briti Guxi.
– Guxi, vëlla, nesër niseni, mos e rëndo gjendjen. E përballoj vetë, mos u merakos fare, kjo është gjëja më e parëndësishme në këtë kasaphanë. Përdora një fjalë të pakontrolluar dhe s’u merakosa fare. E dija se ata nuk do shkonin deri te spiunimi, ishte e tepërt që po i asistonin të vëllait në ndarje dhe ata e kuptonin këtë gjë.
– Hapma derën! Dua të përzë vetëm të tjerët. Ju të dy ndajini vetë punët tuaja, çfarë pune kanë ata?
– Guxi, të kam xhan, mos m’u zemëro, nuk ta hap dot!
Dhe nuk e hapa derën me gjithë insistimin e tij të gjatë.
Ata ishin tërë sy e veshë sepse në ato momente s’para hynte në punë pozita politike dhe zëri i Guxit e tregonte qartë zemërimin.
Pas një pauze, kur u kuptua se Guxi u largua, im shoq, me zë të mekur, tha vetëm këto fjalë:
– Si erdhi puna, unë më mirë po largohem. Kishte gjetur mënyrën më komode për të më thënë se po argohej nga kolera që na kishte rënë. Atë moment lashë djalin në prehrin e njërit prej xhaxhallarëve dhe ‘mora fatin’ tim ndër duar.
– E para e punës, nuk po të lut njeri të qëndrosh në këtë shtëpi sa të vish vetë i pestë për t’u ndarë, dhe e dyta mendoj se duhet të japësh ca shpjegime, për më tepër që në mes është dhe një fëmijë! Dhe tani ka mundësi të dilni pak përjashta ju të tjerët, – iu drejtova të vëllezërve.
Biseda zgjati shumë, sepse ai nuk donte të hapej e të thoshte gjithë të vërtetën e hidhur, se ishte i detyruar nga partia dhe se s’kishte forcë t’i kundërvihej asaj. Ai ishte përgjithësisht njeri i mbyllur, por nuk qe ky rasti, ndoshta druhej mos më lëndonte, ndoshta druhej mos e përdorja diku pohimin e tij, por unë e kërkoja atë pohim.
Ishte në një luftë të papërballueshme dhe pa i dhënë dot zgjidhje, filloi të godiste ballin, në pjesën e tëmthave pas cepit me majë të krevatit. Goditja qe ritmike dhe e pakontrolluar, prandaj lëkura u ça dhe filloi t’i rrjedhë gjak. Në ato çaste më erdhi keq për të, e ngrita me zor në këmbë dhe e drejtova nga dera e jashtme.
– Të gjithë kemi dhimbje të madhe, por jotja do kalojë shpejt. Unë dhe yt bir nuk dihet se ku do të përfundojmë dhe s’dihet a do ta shohësh më…
Pas kësaj, ai dhe shoqëruesit që e prisnin pas dere, që të gjithë me emra shenjtorësh, të gjithë absolutisht me të njëjtën gjatësi trupore, të njëjtin ballë të ngushtë dhe flokë të dendur deri në lemeri, u larguan për të mos i parë më.
Të nesërmen, më 25 dhjetor të vitit 1974, mbeta vetëm me tim bir një vjeç e pak muaj, pa familjen time amë dhe pa atë që kisha pasur bashkëshort për nëntë vjet. Deri në prag të vitit të ri piva vetëm çaj kinez me ndonjë krodhe buke që kishte mbetur në shtëpi. Për fat, djalin e çoja në çerdhe ku ushqehej jo keq.
Në datën 31 në darkë, Fatosi dhe Sibja erdhën pothuaj njëkohësisht, as që pyetën se poshtë në hyrje gjithçka regjistrohej. Më sollën një pulë, ëmbëlsirë, çokollata dhe ca fruta.
Pasi gatova pulën me ca patate, të ngelura prej kohësh në ballkon, pak gjalpë, piper dhe hudhër, mbaj mend të jem ulur me tim bir aty nga ora nëntë dhe nga ai moment hoqa dorë nga agjërimi.
E keqja më e madhe do më ndodhte pas dy ditësh kur Arturi la papritmas të folurën, duke e zëvendësuar me një të qarë të dhimbshme. Qëndrova gjashtë muaj në Tiranë para se të më dëbonin për në Berat te familja prindërore.
Mundohesha të kuptoja se pse më mbanin akoma në atë qytet, ku edhe fqinjëve prania ime u shkaktonte bezdi. Ishte një gjë e papranueshme për atë situatë, që e bija e një armiku të deklaruar dhe për më tepër e divorcuar për shkaqe politike, të vazhdonte të banonte në qendër të Tiranës.