Tradhti të lartë nga ana e Dashnor Sulës e konsideron Sali Berisha, emërimin e tij si Kryeinspektor i Përgjithshëm. Komentin ai e bëri ditën e sotme, 7 shkurt, gjatë një bashkëbisedimi online me qytetarët, duke iu përgjigjur pyetjeve të tyre.
“E kam menduar shpeshherë këto kohë. Në qoftë se tradhtia ndaj atdheut quhet tradhti e lartë, edhe tradhtia ndaj idealeve më të shenjta të demokracisë nuk ka pse të mos quhet tradhti e lartë. Është absolutisht e njëjta gjë në doktrinë. Të tradhtosh ti burra dhe gra fisnikë që kanë 12 vjet që nuk të kthejnë shpinën, por të mbështesin me gjithë gabimet që ke bërë dhe të dalësh në kohën më të zezë të Edi Ramës dhe të kapësh flamurin e Edi Ramës ke kryer aktin më të lartë të tradhtisë”, tha Berisha.
Ai u shpreh se Partia Demokratike duhet të ndahet nga këta njerëz, teksa hodhi akuza edhe ndaj kryeministrit Edi Rama se ka korruptuar eksponentë të opozitës. Ndërsa Sulës iu referua si “mollë e kalbur”, nuk la pas komentet edhe për Ervin Salianjin, i cili po ashtu ka nisur foltoret e tij.
“Çfarë e shtyu atë në një moment kaq kritik t’i gjenet Edi Ramës në krah? E kuptoni vetë ju se ç’mollë e kalbur ka qenë ai. Çfarë e shtyn, e thashë edhe para ca ditësh doktorin 32 vjet mjek thotë jam anëtar PD-je, të dalë në krahë të Salianjit të krimit, të bandave dhe të përcjellë mesazhet e Subashit, i cili në pallatin e tij ka vendosur KESH-in. Nuk humbasim ne nga këta. Përkundrazi, do ndahemi nga këta. Ne nuk duam në gjirin tonë shërbëtorë të Edi Ramës. Këta gëlltisin tradhtinë jo ndaj meje, por ndaj teje si qytetar që ke besuar, që i ke ndjekur. Shkon tani në ditën më të zezë dhe i bëhesh patericë. Kjo është histori turpi”, tha Berisha.










