Vetëm pak kohë pasi mori zyrtarisht detyrën si Kryeinspektor i Përgjithshëm, Dashnor Sula do të kërkojë riformatojë inspektoratet e Shqipërisë. Një nismë e tillë sipas Sulës, merret për të luftuar korrupsionin brenda këtyre institucioneve.
Një nga institucionet që Sula kërkon të riformatojë është Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit pasi sipas tij, IKMT duhet të jetë një institucion që respekton vetëm ligjin dhe nuka pjesë të tij “matrapazët”.
Kryeinspektori ka deklaruar se nuk është korrekte që shumica e trupës së IKMT-së të jenë juristë, ndërsa përqindja më e vogël të jenë inxhinierë.
“Me gjithë respektin që kam për juristët, pasi jam edhe vetë jurist, nuk mund të lejojmë që 95% e trupës të jetë jurist dhe vetëm 5% inxhinierë. Duhet që ne të kemi profesionistë në fusha të caktuara”, tha Sula.
Po ashtu Sula ka deklaruar se shumë shpejt do të hapet një portal, ku përmes tij synohet transparencë më e lartë për të gjitha grupet e interesit.
“Ne jemi duke u përgatitur si Inspektorati i Përgjithshëm dhe në bashkëpunim me inspektoratet e tjera, që brenda një viti të përfundojë digjitalizimi i të gjithë sistemit, duke garantuar transparencë edhe për qytetarët”, deklaroi ai.











