Komandanti i lartë i grupit ekstremist, Shteti Islamik (IS), i njohur si “Çeçeni Umar”, ka vdekur nga plagët e pësuara nga një sulm ajror i Shteteve të Bashkuara, ka thënë mbrëmë Pentagoni.
Umar al-Shishani, çeçen etnik i lindur në Gjeorgji, ishte plagosur seriozisht gjatë një sulmi ajror kundër konvojit të tij në pjesën verilindore të Sirisë, më 4 mars, dhe ishte transportuar në një spital në Raka për trajtim.
“Ne besojmë se ai ka vdekur pas plagëve të tij”, i ka thënë agjencisë AFP, zëdhënësi i Pentagonit, Jeff Davis.
Zyrtarë të Pentagonit, po ashtu, i kanë thënë rrjetit televiziv CNN, se ai kishte vdekur nga plagët e pësuara.
Observatori sirian për të drejtat e njeriut me seli në Londër, pardje tha se al-Shishani, me emrin luftarak Tarkhan Batirashvili, ishte ushtar i njësiteve elite të Gjeorgjisë, i cili iu bashkua grupit militant, Shteti Islamik, në vitin 2012 dhe konsiderohej njëri nga komandantët e tij më të aftë.
Në listën e Departamentit amerikan të shtetit, ai ishte personi më i kërkuar, ndërsa koka e tij vlente 5 milionë dollarë.