Ky është momenti i saj: një dashuri si në përralla, një blog, butik, udhëtime pune dhe familja me miqtë gjithmonë aty. Si u shndërrua rokerja “e egër” në një vajzë sensuale dhe Miss-i i ëmbël në një femër të fortë biznesi? Fotoja e Arminës në profilin e Instagramit të stilistit Stefano Gabbana theu rekord pëlqimesh e kjo tregon njëkohësisht triumfin e bukurisë shqiptare. E re, e bukur, ambicioze, me ide, por dhe shumë fat… Armina Mevlani po kalon një ditë të zakonshme pune në butikun “Delirium”. Vendosëm të takohemi në zyrën e saj, në pjesën e pasme të dyqanit.
Sapo hyj brenda, dëgjoj shitësen, një vajzë me sy ngjyrë blu të thellë dhe mbresëlënës, që i shpjegon diçka për shitjet. Më kap veshi një “Michael Kors”, çka e përdor si detaj për të hyrë në bisedë. “Biznesi po ecën mirë, hë?”, e ngacmoj duke buzëqeshur, teksa ajo ma kthen me një “Jo keq” dhe merr për nga zyra. Një kthinë e vogël, por e këndshme. Armina zhytet në divanin e rehatshëm, ndërsa mua më fton të ulem në karrigen prej lëkure, pas tryezës së punës.
Përfundoj poshtë portretit pop art, në stilin Andy Warhol, të Marylin Manson, i cili kur isha më i ri më “trembte” e më krijonte një ndjesi të pakëndshme, por Armina e ka idhull. E falënderoj, besëtytë siç jam, se më la vendin e administratores dhe ajo më uron që kjo karrige të më sjellë po aq fat sa ç’i ka sjellë asaj. Amen! Pa dyshim, fati i ka mësuar derën Arminës. Ky është momenti i saj. E dashuruar me një djalë të pashëm e të njohur, ajo menaxhon një butik të sajin, që për ta mbushur me marka, udhëton në kryeqytetet e modës.
Ndonëse ajo ankohet dhe thotë se udhëtimet e shpeshta e rraskapitin, sërish mbetem i mendimit “halle të tilla paçim”. Pastaj, vjen blogu. Puna trevjeçare në një revistë mode e parapërgatiti për këtë projekt online, që duket se ecën mirë e ka së fundmi edhe një publik ndërkombëtar. Për këtë arsye shkrimet hidhen edhe në anglisht. Pikërisht për blogun ajo realizoi me fotografin e saj të parapëlqyer, Endrit Mërtiri, editorialin për Dolce & Gabbana. Me format e bollshme dhe tiparet e plota, bukuroshja, të cilën në fillimet e karrierës e kanë krahasuar me Monica Bellucin, tërhoqi vëmendjen e stilistit. Ai e ripostoi fotografinë në faqen e tij të Instagramit, me nënshkrimin “Come sono belle le donne cosi” (femrat si kjo, janë shumë të bukura), ku mblodhi 14.111 pëlqime, që e bënë foton e shqiptares seksi postimin më të pëlqyer të profilit të tij.
Pas kësaj, Stefano do ta ftonte me Endritin në takim. “Një takim i rastësishëm, jo i planifikuar”, thotë Armina për kafenë në Milano. “Qëlluam bashkë në javën e modës dhe folëm për shumë gjëra, ndër to edhe për disa foto që do të mbështeten nga Gabbana dhe do të hidhen në blogun tim”. Postimet do të bëhen gjatë verës dhe të gjithë janë kureshtarë të shohin përfundimin. Pritshmëritë janë të larta, po aq edhe trysnia, por Armina nuk ka dyshime dhe as ndonjë merak. 24 vjetori e gjeti këtë vit me një mal me lule, një skenë si ato në filmat romantikë. Buqetën më të madhe me siguri ia kishte dërguar i dashuri i zemrës, kurse një tjetër, më të freskët e të ëmbël, prindërit, me të cilët ruan një marrëdhënie të ngushtë edhe tani që nuk jeton më me ta.
Sepse prej pak kohësh Armina është shpërngulur në vilën e Shkëlzenit, në periferi, ku bëmë edhe disa nga shkrepjet ekskluzive të këtij artikulli. Hera e parë që zbulohen pamje nga streha ku çifti kalon çastet më të bukura të dashurisë. Gjithsesi, Armina nuk e ka me qejf t’i vihet theksi detajit të bashkëjetesës, sepse mendon që një ngjarje e tillë është normale në jetën e një çifti, por të qenët personazhe publikë e bën çdo ndryshim në lidhjen e tyre të përjetohet me teprime. Gjërat për të cilat i pëlqen të flasë, janë të tjera. Si për shembull,fakti që kanë një komunikim të përkryer.
“Çdo mbrëmje i themi njëri-tjetrit gjithçka që kemi kaluar gjatë ditës; për mua kjo lloj harmonie është më e bukur se çdo gjë tjetër, edhe se vetë pasioni”, thekson ajo. “Zeni hyn seriozisht në gjërat e mia, i analizon dhe më jep mendime. Të njëjtën gjë bëj dhe unë. Ka hyrë aq thellë në jetën time, saqë e kam të vështirë të ndaj të dashurin nga shoku”. Një ndjesi që e përjeton për herë të parë në jetën e saj. “S’dua të marr veten mësysh, por nga ai kam vëmendjen maksimale”.
Asgjë e jashtëzakonshme në rutinën e bashkëjetesës, përveç dashurisë e faktit që kështu mund të kalojnë më tepër kohë bashkë. Pasi hanë mëngjes, nisen për në punë e gjatë orëve në vijim flasin në telefon. Shihen prapë në darkë për të diskutuar ngjarjet e ditës ose për të parë një film. Ndonjëherë drekat i gjejnë bashkë, çka ndodh rrallë, sepse dita e punës është për të dy e ngarkuar. Kurse në fundjavë janë gjithmonë në shoqërinë e njëri-tjetrit, ose të familjeve. Meqenëse asnjëri prej të dyve nuk është “esnaf” në kuzhinë, kryesisht porosisin jashtë, përveç ndonjë rasti të rrallë kur Armina “vë përparësen” dhe gatuan ndonjë gjë të vogël për darkë. “Tani në verë jemi më së shumti jashtë”, thotë ajo si “e zënë në faj”.
“Gjëja që adhuroj më shumë janë mbrëmjet kur marrim diçka për të ngrënë dhe ulemi përpara televizorit, shohim ndonjë film apo program televiziv. Kjo rutinë është më tepër e zakonshme gjatë vjeshtës dhe dimrit, sepse atëherë kalon më tepër kohë në shtëpi”. Siç duket nga fotot, shtëpia është plot me kafshë. Ajo e Shkëlzeni i duan shumë. Në shtëpi mbajnë mace dhe një qen të madh, “tmerri” i të gjithë të njohurve të tyre. Armina është aktive në mbrojtjen e të drejtave të kafshëve, madje në butik ka një kutizë ku derdhen kontribute që shkojnë për ArSa-n. Vazhdimisht merr qenushë të braktisur dhe i çon andej këtej nëpër botë, ku u gjen familje për adoptim.
“I adhuroj kafshët, janë shpirtra të pastër. Krijesa të pafajshme që s’kanë gojë të flasin, por ama të japin dashuri të pakushtëzuar”. Megjithëse po jeton një histori të bukur, sërish nuk është e mbrojtur nga sulmet. E kanë cilësuar, shpesh në heshtje, si “të tretën” që hyri në mesin e një çifti të martuar, por nuk mendon se i ka hyrë kujt në pjesë. Kur një marrëdhënie merr fund nuk është për t’u fajësuar askush. S’i pëlqen të japë një përgjigje të drejtpërdrejtë në lidhje me këtë, jo sepse e ka kompleks. Për hir të së vërtetës, ka qenë e hapur që prej fillimit sa i takon lidhjes me Shkëlzenin, thjesht nuk i pëlqen të marrë pozitat e dikujt që mbrohet, shpjegohet apo përpiqet të justifikohet. Nuk ka asgjë për t’i shpjeguar askujt, aq më tepër në lidhje me ndjenjat. “E vetmja gjë për të cilën më vjen keq është fakti se Zeni i ka fëmijët në Suedi dhe nuk i takon aq shpesh sa do të donte”.
Ndonëse vetëm 24 vjeçe, Armina është bërë shumë e njohur. Daljet e para në medie i pati pak pasi arriti moshën e pjekurisë, por qëkurse u lidh me djalin e ish-kryeministrit, trysnia e famës është rritur, ndaj më bën përshtypje se ku e gjen gjithë atë forcë për ta përballuar një vajzë e re, e qetë dhe e ëmbël si ajo. S’duhet të jetë e këndshme, as e lehtë të lexosh gjithfarë komentesh online për veten dhe njeriun që do. “Për sa kohë ka dashuri, gjithçka tjetër duket e papërfillshme, sidomos kur bëhet fjalë për fjalosje të kota njerëzish”, thotë ajo. E veçanta e Arminës është natyra paqësore.
Në botën ku punoj e bëj pjesë prej vitesh, rrethohem nga njerëz “zhurmëmëdhenj”, thashethemexhinj, bosh, shpesh arrogantë, të cilët krijojnë kaq energji negative me praninë e tyre, sa duhen ditë të tëra “të detoksikohesh” mendërisht e shpirtërisht. Armina pati efekt krejt të kundërt. Me të e shijon një bisedë pa “u helmuar”. Pikërisht për këto gjëra po mendoja, teksa ajo përpiqej të më shpjegonte filozofinë e lidhjes me Shkëlzenin. Që pak a shumë është kjo: ata janë të ndërgjegjshëm se historitë e dashurisë mund të koklaviten nëse nuk tregon pjekuri, ndaj kanë rënë dakord që lidhjen ta marrin shtruar e çdo hap që hedhin, ta analizojnë.
Duan të jenë të sigurt për gjërat që bëjnë, të mos nxitohen. Bashkëjetesa është një sprovë që po e kalojnë me sukses. Armina ndihet rehat nën një çati me njeriun që do. Kjo përvojë u ka dhënë të kuptojnë se nuk duhet t’i lejojnë gjërat e vogla të ndikojnë në lumturinë e tyre. “Askush s’është i përsosur”, thotë ajo. “Të dy kemi hyrë në këtë lidhje me papërsosmëritë tona, që duhet t’ia pranojmë njëri-tjetrit”. Por kjo s’e pengon atë të jetë e dashura ideale, që kuron dhe detajet më të imta të lidhjes. Për shembull, kur ishin në një restorant jashtë vendit, ajo mësoi se Shkëlzeni e ka qejf gazpacho-n dhe u fut vjedhurazi në kuzhinë për të marrë recetën. Me t’u kthyer në Shqipëri, bëri ca prova dhe sapo ia mori dorën, i bëri atij një surprizë “të shijshme”.
“Gazpacho-ja ime doli më e mirë se e restorantit”, thotë krenare, duke qenë se kuzhina s’i vjen ndoresh natyrshëm. “Por s’është çudi që një ditë të bëhem e varur nga gatimi. Ëndërroj familjen e madhe, me fëmijë e qenushë vërdallë, ndërkohë që jam duke gatuar”. Mamaja me përparëse bën petulla, qenushi spitullohet te këmbët, fëmijët shohin filma vizatimorë, bashkëshorti lexon gazetën dhe macja dremit në krahun e kolltukut… ky është fundi i përrallës “E jetuan të lumtur përgjithmonë”, por përralla e ka një fillim. Dhe fillimi i “përrallës” së tyre është gjithaq interesant. Për një kohë të gjatë Armina dhe Shkëlzeni ishin miq dhe të tillë kanë mbetur dhe sot, me ndryshimin e vetëm se tani edhe e dëshirojnë njëri-tjetrin! Ata nuk u lidhën ashtu, shpejt e shpejt, sepse po aq shpejt gjithçka do të kishte mbaruar. “Na ka ecur komunikimi, është pika jonë e fortë”, thotë ajo, duke na kthyer pas në kohë, në momentin kur për herë të parë pa atë që do të bëhej shpejt gjithçka për të. Qëlluan bashkë në një lokal në kryeqytet. Ajo ndjeu fluturat ta gudulisnin në stomak, por s’e dinte që ai ishte djali i ish-kryeministrit. “Pata përshtypjen se ishte i huaj e mendova se nuk do ta shihja më pas asaj dite.
Por më mbeti në mendje portreti i tij i veçantë. Kur pas disa kohësh e ritakova në një tavolinë miqsh, mësova se kush ishte”. Para se në jetën e saj të hynte Shkëlzeni, Armina i bënte bisedat për librat, artin dhe filmat me mashkullin më të rëndësishëm në jetën e saj, të atin, folësin e lajmeve Arben Mevlani. Babai është gjithmonë idhulli i vajzave. “Babi më ka dhënë librin e parë. Ai e dashuronte artin e më rriti edhe mua me këtë frymë. Të dy prindërit më kanë injektuar pasionin për të bukurën. Mami për modën, babi për televizionin”, thotë ajo. Nëse një ditë bëhet nënë, do të ndjekë shembullin e tyre, sepse në adoleshencë ka gëzuar liri e besim; kjo ishte mënyra sesi prindërit vendosën ta rrisin, në vend që ta “mbysnin” me frikërat e tyre.
“Ekziston një ide se po i dhe fëmijës më shumë liri se ç’duhet, merr kot, por kjo varet nga karakteri”. Ajo, për shembull, ka qenë një adoleshente e mbarë, përveç atij rastit kur ishte me pushime në Amsterdam, me miqtë e ngushtë, dhe provoi kek me marijuhanë. Kjo ka qenë gjëja më “e çmendur” që ka bërë ndonjëherë. Si natyrë është frikacake, thotë, ndaj nuk ia mban të eksperimentojë. Që e re u rrit me pasionin për punën, dëshirën për pavarësi financiare. Kur ishte adoleshente ajo fitonte para duke kërcyer në grupin e baletit të së ëmës. 16 vjeç, u bë pjesë e ekipit që përfaqësonte Shqipërinë në gjimnastradën botërore.
Më pas erdhi edhe oferta për të prezantuar filmat në platformën TRING. “Sapo mbusha 18 vjeç u vura në kërkim të një pune”, kujton ajo. “Nuk doja të merrja para nga familja. Këtë kopertinë me Living e kam të dashur, edhe sepse në njëfarë mënyre, e quaj ‘kthim në shtëpi’”, thotë duke buzëqeshur. “Më pas ishte radha e “Harmony”, revista ku punova tre vjet si drejtore”. Nuk e kisha në plan të flisnim për kohën kur punonte si drejtore, por meqë biseda na nxori aty, s’ia fsheh dot atë që mendoj. Në atë kohë, por edhe sot, nuk e kuptoja si një 19-vjeçare, pa përvojë e shkollimin e duhur në këtë fushë, të bëhej drejtore e të kishte nën menaxhim aq shumë njerëz. Ende më bën përshtypje fakti, por kjo është një mundësi e shkëlqyer për të dëgjuar versionin e Arminës. “Edhe unë në vendin tënd do ta paragjykoja një vajzë aq të re, që merr përsipër një detyrë të tillë”, thotë ajo e pashqetësuar nga pyetja. “Revista ishte “zgjatim” i pasionit të madh që unë kisha për modën.
Pasion që më shtyu ta pranoja pozicionin si fillim, por kur i hyra “valles”, kuptova se kjo ishte një përgjegjësi më e madhe nga ç’e imagjinoja. U desh ta ndërtoja gjithçka nga fillimi, çka më kushtoi energji e qetësi shpirtërore. Vitin e parë s’më dukej sikur isha në punë, por sikur jetoja në punë. Gjeja kohë veç për të fjetur. Po atë vit u sëmura nga stomaku, për shkak të stresit. Pastaj, gjërat ndryshuan… Brenda një viti revista mori jetë. Kjo ka qenë sprova më e madhe që kam kaluar ndonjëherë; u jam mirënjohëse atyre që ma dhanë mundësinë, pasi mësova shumë gjëra. Edhe pse po të kthehesha pas në kohë, s’di në do të bëja përsëri të njëjtën zgjedhje”.
Njëra gjë solli tjetrën e pas përvojës në një revistë mode, erdhi butiku. Ndjekësit shikonin çfarë vishte, donin që ajo t’i shiste rrobat online, ndaj pati nuhatjen se, meqë kishte kaq interes, një dyqan do të funksiononte. Dhe nuhatja e saj nuk gaboi. “Delirium” po ecën. Gjëja më e zakonshme, por edhe e pritshme, që mund të dëgjoje menjëherë pasi Armina hapi biznesin ishte se gjithçka u bë falë mbështetjes së Shkëlzenit. “Ndoshta nuk e besoni, por kam marrë kredi për të hapur dyqanin”, thotë ajo. “Kur u njoha me Zenin, nuk isha një femër që rrija kot dhe ai erdhi e më bëri këtë që jam. Por atij i jam mirënjohëse, se thjesht ideja që e kam në krah, më qetëson e më jep siguri”. E adhuronte të ëmën, e cila deri në njëfarë moshe ishte një grua klasike e fine, ndonëse vitet e fundit, kemi njohur variantin më sportiv e maskilist të saj.
“E re, mami ka qenë elegante, me flokë të gjata dhe kurohej në detaje. Më bënte të ndiqja pasarelat e modës që pesë vjeçe. Ka pasur një shoqe që jetonte jashtë dhe i sillte veshje të markave të njohura. Zgjohesha që në mëngjes, vetëm që ta shihja teksa bëhej gati. Mahnitesha nga bukuria e stili i saj”, kujton Armina. Këto momente sensualiteti do t’i mbante për shumë kohë në shpirt, si thesare, meqë adoleshencën e kaloi si rokere e nuk mundi të pasqyronte asnjë nga delikatesat që mbrujtën kujtimet e saj. Vetëm pas pjesëmarrjes në Miss Albania ajo ndryshoi rrënjësisht. “Edhe gjatë Miss-it, të gjitha visheshinme taka, unë me Converse”, qesh.
“Në gjimnaz nuk shpenzoja para për tjetër gjë, vetëm për koncertet e artistëve të preferuar rock e heavy metal. Adhuroja Marlyn Manson, kam qenë në koncertin e tij. Kam parë Prodigy-t, të cilët i kam takuar edhe në rrugë rastësisht ditën e koncertit. Kam ndjekur live Linkin Park e Iggy Pop. Për një adoleshent nuk kishte kënaqësi më të madhe. Këto përvoja-dhuratë nga prindërit më ndryshuan jetën, por që t’i gëzoja këto privilegje, pakti ishte se duhej të mësoja. Mami e babi më edukuan me idenë se po bëre diçka të mirë, në fund shpërblehesh.
Nëse e meriton, e mira vonon, por me siguri do të vijë”, thotë Armina dhe ky është një mesazh që gjithmonë, të gjithë do të kemi nevojë ta dëgjojmë. Dhe ta besojmë, paçka se jo gjithmonë “profecia” përmbushet. Armina ka zgjedhur të përqendrohet te dashuria e njerëzve që kanë rëndësi për të, më tepër se te dashakeqësia e atyre që nuk kanë ndikim në jetën e saj. Ndonëse e re në moshë, i ka jetuar të gjitha “efektet anësore” të famës. Njerëz që e adhurojnë, të tjerë që e shajnë, madje edhe në rrjetet sociale. Ka tipa nga ata të çuditshmit që “e përndjekin” virtualisht, e kërcënojnë me jetë, siç ka edhe që virtualisht i shprehin dashurinë. Është e vetëdijshme që ka njerëz të cilët mendojnë se është vajza klasike “e bukur dhe budallaqe”, gjë që s’e lëndon, por e habit paksa. “S’i kam kuptuar asnjëherë paragjykimet nga njerëzit që nuk të njohin.
Minimumi që mund të bësh është të njohësh dikë, pastaj të japësh një gjykim. S’mund të thuash, vetëm duke u nisur nga pamja e jashtme, se dikush është mendjelehtë”. Ajo çka e ka shpëtuar nga jeta e ashpër e të qenët person publik në Shqipëri, është besimi. “Shumë njerëz kur zhgënjehen një herë”, thotë, “reshtin së besuari. Kurse unë, nuk di si, por kam pasur gjithmonë besim. Te dashuria, miqësia, ëndrrat, që ato do të realizoheshin. Kam pasur një marrëdhënie të çuditshme me Zotin. Që nga mosha katërvjeçare i jam lutur çdo ditë.
E bëj dhe sot, madje nuk harroj t’i them ‘faleminderit’ për gjithçka që kam”. Është pikërisht marrëdhënia me fatin që më josh sa herë shkruaj për personazhet e kopertinës. Ai luan një rol të rëndësishëm në jetën e një njeriu, për të mos thënë rolin kyç. Ka prej nesh që e presin prej vitesh, madje dekadash atë dreq fati t’u trokasë në derë, por ai nuk duket askund. Ka pastaj njerëz me të cilët fati është treguar dorëlëshuar. Marrim Arminën, për shembull. Ajo ka një pamje të bukur, një njeri në krah që shumë do ta dëshironin, sidomos ato që e shajnë. Një marrëdhënie të fortë me prindërit, shoqërinë e vjetër.
Njoh njerëz që kanë dhënë shpirtin për të bërë miq besnikë, por s’ia kanë dalë dot. Thjesht s’ka qenë e shkruar. Së fundmi, tërhoqi vëmendjen e interesin e një stilisti me famë botërore dhe u përmend në profilin e tij. Bën blog-un e shumëndërruar dhe ka hapur butikun e saj. Gjatë setit te kopertinës u përdor vaji Nuxe Huile Prodigieuse. Kur e pyes se kujt ia atribuon në thelb tërë këto të mira, këmbëngul se gjithçka është fryt i “besimit” dhe sakaq më vjen ndërmend një varg i këngës së Mariah Carey: There can be mircales, when you belive (Besimi bën mrekulli); pastaj më vërsulen në daullet e veshëve zërat e cinikëve dhe skeptikëve, që thonë:
“Ore, naiv je ti? Thjesht besimi nuk mjafton”; vërtet, bota është plot me njerëz të talentuar, që kanë besim, luten çdo ditë për të ndryshuar jetën e tyre, punojnë fort… por vetëm pak prej tyre ia dalin. Të vjen të besosh se Arminës i janë dhënë mundësi prej bukurisë, por bota sërish është plot me vajza të bukura. Pastaj, ajo as që mendon se është e tillë. “Në jetë kam çarë më tepër prej aftësive në komunikim”, beson ajo. “Asnjëherë nuk kam menduar se jam e bukur. Por, pasi njerëzit më njohin, lidhin natyrën time me pamjen dhe atëherë u dukem më e bukur nga ç’jam në të vërtetë”.
Jemi në zemër të korrikut dhe asgjë s’mund ta mbyllë bisedën më mirë se sa diçka që ka të bëjë me verën e pushimet. Kujtimet më të bukura të saj janë pushimet me mamin e babin në plazh, të cilat mezi i priste, sepse kalonte orë të tëra me ta duke diskutuar, më shumë se duke u larë në det. Verën e lidh edhe me leximin.
Kujton kur babi Beni i jepte tituj të rinj që t’i lexonte në perëndim të diellit. “Por vera”, vë në dukje, “s’është vetëm det, diell e plazh, por edhe ato pasditet e gjata, të paharrueshme duke luajtur me shoqet poshtë pallatit. Sa herë kaloj në lagjen ku jam rritur, më kujtohen me nostalgji ato kohë”. Çuditërisht, stina e parapëlqyer e Arminës nuk është vera, por vjeshta. Nuk e prisja këtë sepse në shumicën e postimeve e fotove duket sikur ajo ka një marrëdhënie të shkëlqyer me të nxehtin.
“Ndoshta ngaqë dhe vetë jam romantike si natyrë, vjeshta më zhyt në mendime të thella, por të bukura. Plus, çdo gjë e mirë më ka ndodhur në vjeshtë, që nga fillimet e përvojave në punë, dashuri, por edhe surprizat më të mëdha atëherë i kam pasur”, thotë. Edhe tani është duke pritur një “surprizë”, në formën e një e-maili. Me gjithë këmbënguljen dhe kureshtjen time prej gazetari, s’më tha çfarë e-maili priste, sepse është besëtyte dhe mendon se përfolja i prish gjërat. S’e kuptoj këtë mungesë besimi. Jam pus, nuk do t’ia thosha njeriu, më e shumta do ta shkruaja në revistë (shaka). Nejse!
Ndoshta edhe ky e-mail i vjen në vjeshtë, meqë çdo befasi e bukur atëherë i ka trokitur. Një javë më vonë, teksa zbardh regjistrimin e intervistës kuptoj se kam arritur në fund të bisedës kur dëgjoj zërin e mamasë së Arminës, Mozës, që ka ardhur në dyqan për ta marrë. Do të dalin për darkë bashkë sonte. Kujtoj çastet e fundit në dyqan, përshëndetjet, siluetat e dy grave që zvogëlohen në rrugicat e Bllokut, derisa humbasin. Pak ditë më vonë takohemi sërish, kësaj here për të realizuar fotot. Një aventurë më vete, sepse na qëlloi të punonim në ditët kur termometri shënonte mbi 40 gradë.
Bëmë më të mirën mes parehatisë, ajrit të lagësht që s’i lejonte ondet e bukura të rronin gjatë, ndjesisë së lodhjes e përgjumjes, grimit që i shkrinte me djersën. Në një moment, ajo vesh fustanin e bardhë me qëndisma, të blerë tek artizanet meksikane, të cilin e ka dhuratë. Armina thotë se e adhuron Meksikën; për muzikën, gatimet, telenovelat… gjithçka! Ka mundësi të shkojë atje, por arsyeja pse nuk e ka bërë akoma, m’u duk romantike. “Dua të kaloj muajin e mjaltit në Meksikë, ndaj po pres”, thotë dhe rrotullohet si fëmijë i lumtur në fustanin e freskët prej pambuku. Mesazhi është i qartë: mundësia që së shpejti të kemi dasmë nuk përjashtohet! Living/