Edhe për këtë vit është zhvilluar në Pallatin e Brigadave, darka mes gazetarëve dhe Kryeministrit Rama. Në fjalën e tij të rastit, gazetari Lutfi Dervishi ka gjetur rastin që të ironizojë qeverisjen e majtë, kryeministrin Rama por edhe drejtuesit e medias shqiptare, të cilët gjendeshin aty.
“Falë altruizmit të qeverisë tonë dhe Kryeministrit Rama, 85 mijë shqiptarë u ngritën dhe kanë shkuar në Gjermani për ta nxjerrë atë nga kriza… i bëj thirrje kryeministrit që ta marrë seriozisht se njerëzit mund të duan të qeverisen si Brukseli por pa kryeministrin…Duhet falenderuar qeveria sepse kryesisht falë punës së saj, 3 programet e para për 2015 kanë qenë, Portokolli, Fiks Fare dhe Al Pazar… shpresoj që qeveria të mos e marrë seriozisht dhe të mblidhet natën, meqenëse ajo punon ditën… Një falenderim të vecantë për kryeministrin që sot nuk ka ftuar as ambasadorin amerikan… druaj se nëse Lu do ishtë këtu do të fliste për korrupsionin në pushtetin e katërt.. besoj se Lu do të thoshte:
Prova ime për korrupsionin është e thjeshtë, nëse keni kërkuar ndonjëherë tendera apo leje ndërtimi në shkëmbimin të një politike të caktuar redaksionale, atëherë jeni i korruptuar
Ose
Ulni kokat dhe shikoni kycet e dorës, nëse ora që mbani është më shtrenjtë se rrogat e papaguara të gazetarëve atëherë jeni të korruptuar…
Media është biznes por me politikën krijon një trekëndësh më të rrezikshëm se trekëndëshi Bermundës. Përmbajta është përgjegjësi publike dhe prandaj duhen institucione të pavarura. Kur erdha në Tiranë do thoshte Lu mendova se m’u prish televizioni dhe në shtatë kanale shikoja portretin e Ramës live dhe urimi do ishte : Të mos shtohet numri i kanaleve që transmetojnë live Ramën,” tha Dervishi.