Ndeshja miqësore me Kosovën do të jetë sfida e lamtumirës për Armend Dallkun. Ish-mbrojtësi i kombëtares i kontaktuar nga Sport Neës pranoi se ka kontaktuar me FSHF dhe kanë rënë dakort që ndeshja e tij e lamtumirës nga përfaqësuesja të jetë pikërisht më 13 nëntor në Prishtinë.
32-vjecari me origjinë nga Vushtria ka theksuar se kjo miqësore festive është mundësia më e mirë për të përshëndetur kuqezinjtë, me të cilët ai ka luajtur për tetë vjet duke zhvilluar në total 64 ndeshje e duke shënuar një gol ndaj Maltës në vitin 2008.
Ende nuk është vendosur nëse mbrojtësi do të luajë në këtë ndeshje, pasi për detajet do të bisedohet me FSHF në ditët në vazhdim por gjithsesi e sigurtë është që ai në atë sfidë do t’i japë lamtumirën Kombëtares. Dallku aktualisht është pjesë e skuadrës së Vorskla Poltavës në Ukrainë, ndërkohë që ndeshjen e tij të fundit me Shqipërinë e ka luajtur në eliminatoret e Brazil 2014, kundër Islandës ku Shqipëria humbi 2-1 në Rekjavik.