“Kriptovalutat janë biznesi i tij në Shqipëri”, kështu u shpreh Arben Ahmetaj për ish-kryeministrin italian Massimo D’Alema. Në një video që Rai 3 ka publikuar të Dielën, Ahmetaj rreshtoi një sërë akuzash ndaj kreut të qeverisë Edi Rama.
Sipas të ftuarve në “Opinion”, D’Alema e ka përgënjeshtruar këtë deklaratë. Por edhe në rast se do ishte e vërtetë, nuk kemi të bëjmë me një aktivitet kriminal.
Preç Zogaj: D’Alema është në pension dhe mesa e kam ndjekur ka qenë jashtë këtyre fushave. Është një politikan që ka imazhin e pastër dhe që për më tepër ka udhëhequr Italinë në vitet e luftës në Kosovë dhe e ka mbajtur përkrah NATO-s. Është akuzë e fortë! Në dijeninë time D’Alema e ka përgënjeshtruar.
Mark Marku: Të gjithë politkanët në botë pasi mbarojnë profesionin… Nuk po flas për D’Alemën se e di çfarë peshe ka pasur ai te italianët. Shumë smart, më ka bërë përshtypje. Por, kur mbarojnë angazhimin politik dhe nuk kanë konflikt interesi mund të lobojnë. Është aktivitet i ligjshëm. Nuk është kriminal! Duke bërë akuza të kota, zhvlerësojmë ato që janë akuza. Lobingu është aktivitet i njohur.
“Kam folur gjithnjë për politikën, kam folur gjithnjë për Shqipërinë, kam folur gjithnjë për… Pastaj, ai është i lirë të bëjë çfarë të dojë. Epo t’i paraqesësh gjithmonë këto gjëra kështu! Nuk jam në dijeni të ndonjë shoqërie lobimi, por do t’ju kërkoja ta lini jashtë Massimo D’Alema-n nga ky not në baltë që po bëjmë së bashku“, ka thënë Rama.
Theksojmë se ish numri dy i qeverisë Arben Ahmetaj, ndodhet në arrati që prej Korrikut të shkuar kur SPAK lëshoi urdhër arrestin për të.
/a.r