Kryetari i Bashkisë Durrës, Vangjush Dako, i shoqëruar nga Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni dhe deputetja Klodiana Spahiu, zgjodhën Shkollën Speciale të Fëmijëve me Aftësi të Kufizuara për të përcjellë urimin e tyre me rastin e 1 Qershorit. Krahas urimit për të gjithë fëmijët, kryebashkiaku Dako, ndau me punonjësit e kësaj shkolle por edhe me prindërit e fëmijëve edhe lajmin e mirë se në muajin shtator do të nisë puna për rikonstruksionin e kësaj shkolle duke i dhënë asaj një pamje krejtësisht moderne. Bashkia e Durrësit, u shpreh z. Dako, ka qenë dhe do të jetë gjithmonë një mbështetëse e madhe e fëmijëve në nevojë teksa bëri të ditur se duke nisur nga viti i ardhshëm do të dyfishohet buxheti i Bashkisë në mbështetje të njerëzve në nevojë.
“Dua t’ju uroj të gjithë fëmijëve të kësaj shkolle, gëzuar festën e “1 Qershorit”. Unë kam marr një angazhim tjetër, ne në shtator do të fillojmë restaurimin e shkollës tuaj por nga ana tjetër ju premtojmë se vitin e ardhshëm buxheti i Bashkisë do të jetë dy herë më i madh për të gjithë kategorinë e njerëzve që janë në nevojë”, theksoi Dako.
Ndërsa Ministrja Gjermeni u shpreh se do të ketë më tepër angazhim dhe dashuri për këta fëmijë ndërkohë që falenderoi stafin e kësaj shkolle që punon me përkushtim për këta fëmijë. “Ju uroj gëzuar “1 Qershorin”, është ditë e bukur për të parë pikturat që i kanë bërë këta fëmijë të mrekullueshëm me kaq shumë talent. Them se fëmijët kanë arsye të gëzojnë. Ne angazhohemi që do të kemi më shumë vëmendje, më shumë dashuri, më shumë përkujdesje për ta”, u shpreh Ministrja Gjermeni. /MA.ME