Cunami mund të godasë Mesdheun, në rrezik 130 milionë njerëz
Një cunami i fuqishëm mund të godasë brigjet e Mesdheut, duke vënë në rrezik jetën e 130 milionë njerëzve. “Daily Mail” citon sot një studim të kryer kohët e fundit mbi impaktin e tërmeteve në brigjet e veriut të Afrikës.
Studimi doli në përfundimin se nëse një tërmet me magnitudë 7 ballë godet pjesën lindore të Sicilisë në Itali apo Kretën në jug të Greqisë mund të ketë pasoja shkatërruese për zonat bregdetare të Mesdheut.
Sipas studiuesve, një pjesë e mirë e këtyre dy qyteteve do të zhyteshin nën ujë. Sizmiologët thonë se pavarësisht se cunamet janë të rrallë për zonën e Mesdheut, ata kanë tendencën të godasin mesatarisht një herë në një shekull.
Një nga tërmetet më të fuqishme të kësaj natyre ka qenë ai në Mesina, Itali, në vitin 1908, i cili shkaktoi një dallgë me lartësi 10 metra dhe solli si pasojë mijëra të vdekur.












