Në Gjermani nuk do të ketë më vaksinim të detyruar për personat mbi 60 vjeç. Personat e infektuar me COVID do të duhet të bëjnë vetëm një karantinim vullnetar prej pesë ditësh.
Nuk do të ketë më vaksinim të detyruar anti COVID për personat mbi 60 vjeç në Gjermani. Parlamenti gjerman tha JO. Projektligji i koalicionit qeverisës, në favor të të cilit ishte shprehur dhe kancelari gjerman Olaf Scholz, u refuzua nga 378 deputetë, 296 votuan pro dhe 9 abstenuan.
Nuk është miratuar në këtë mënyrë as versioni i zbutur i ligjit, një kompromis mes atyre që ishin pro dhe kundër, që fillimisht parashikonte vaksinimin e detyruar duke filluar nga mosha 50 vjeç.
Ministri gjerman i shëndetësisë u shpreh i shqetësuar pasi tani sipas tij do të jetë shumë e vështirë të luftohet COVID në vjeshtë. Sipas tij është mëkat që një temë kaq e rëndësishme të trajtohet në bazë të politikave të partive. Aktualisht në Gjermani më pak se 76% e popullsisë ka kompletuar ciklin e vaksinimit. Fushata e vaksinimit ka ndaluar, ndërsa që nga mesi i muajit mars vaksinimi është i detyruar për personelin në spitale dhe në azile të moshuarish. Që nga 1 maji Gjermania do të lehtësojë kufizimet, personat e infektuar me COVID, ose ata që kanë pasur kontakte me një të infektuar do të bëjnë vetëm një karantinë vullnetare prej pesë ditësh. Në 24 orët e fundit në vend u shënuan mbi 157 mijë raste të reja me COVID dhe 289 viktima.
/abcnews.al