ITALI
Ministri i Shëndetësisë në Itali, Roberto Speranza ditën e sotme dha lajmin e shumëpritur për vaksinimin kundër Covid-19.
Italia do të nisë në javën e parë të janarit vaksinimin e popullsisë kundër koronavirusit dhe ka propozuar që vaksinimi të nisë në të njëjtën ditë për gjithë Evropën.
Sipas tij vaksinimi do të jetë vullnetar dhe i sigurt, me kulmin në pranverë e verë të 2021-shit. “Janari do të jetë muaji i vaksinimit dhe shpresoj të nisë në të gjithë Europën”-tha Speranza.
“Jam i shqetësuar për dy javët e festave. Nuk është se nga janari e shkurti do t’i zgjidhim të gjitha problemet dhe duhet ta fiksojmë në mendje që gjatë kësaj periudhe të kemi sjelljen e duhur dhe prandaj po bëjmë edhe thirrje që gjatë festave të jemi shumë të vëmendshëm, sepse qarkullimi viral mund të forcohet kur ndryshojnë sjelljet e bëhen të tilla që favorizojnë rinisjen e qarkullimit”, tha ministri.
Italia ka vënë në dispozicion, si qendër kombëtare të shpërndarjes së vaksinave anti-COVID, një bazë ushtarake që ndodhet në afërsi të Romës.
Qendra ushtarake ka dimensione të bollshme dhe është konsideruar si pika më e mirë e ruajtjes dhe shpërndarjes së vaksinave, pasi lejon uljen e helikopterëve apo aeroplanëve të madhësive të ndryshme. Nga kjo qendër vaksinat do të shpërndahen në të gjithë territorin e Italisë.
Autoritetet italiane kanë bërë me dije se deri në gjysmën e vitit 2021 do të vaksinojë gati të gjithë popullsinë, prej 60.4 milionë banorë. Sipas marrëveshjes së nënshkruar nga Bashkimi Europian, Italia ka siguruar rreth 202.5 milionë doza vaksinash nga gjashtë kandidatë të ndryshëm, mes tyre edhe partnerët Pfizer dhe BionTech të cilët kanë marrë aprovimin e nisjes emergjente të procedures së vaksinimit në Mbretërinë e Bashkuar.