Pasiguria në tregjet ndërkombëtare dhe tensionet në Lindjen e Mesme kanë dhënë goditjen e parë direkte në ekonominë shqiptare. Ndonëse impakti nisi me karburantet, vala e shtrenjtimit ka mbërritur me shpejtësi edhe në sektorin e ndërimit, duke vënë në alarm kantierët e ndërtimit. Në një intervistë për Tv Scan, Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë Erjon Harizi, paralajmëroi se hekuri do të shtrenjtohet deri 40%.
“Rritje të kostove sigurisht që ka, ka filluar. Nafta është, po themi, ai mall që është më i ndjeshëm ndaj këtyre luhatjeve dhe sigurisht brenda dy javësh çmimi i naftës ka pësuar një rritje prej rreth 15-20%. Po ashtu një rritje jo pak të vogël kanë pësuar edhe duraluminet, pra një rritje mbi 5 deri në 8% ka ndodhur për duraluminet, për plastikat në përgjithësi. Dhe një zë tjetër kryesor që është në sektorin e ndërtimit është edhe çmimi i hekurit, ku brenda dy javëve të fundit çmimi i hekurit ka një tendencë rritjeje rreth 5% në javë. Dhe me këtë normë rritjeje të çmimit të hekurit, sigurisht që është afër dita kur çmimi i hekurit mund të jetë edhe 40% më shtrenjtë nga sa është sot. Dhe pastaj derivatet e tjera si çmimi i çimentos, i betonit dhe i fuqisë punëtore janë të pashmangshme me sa duket të lëvizin.”
Ky presion mbi koston e prodhimit pritet të zhvendosë balancat e tregut imobiliar, duke paralajmëruar një rritje të pashmangshme të çmimeve për metër katror.
“Automatikisht kjo rrit koston e apartamenteve. Të gjitha këto materiale janë pjesë përbërëse të kostos sonë, të një metër katror ndërtimi. Janë të pashmangshme dhe rritja e kostos sigurisht sjell edhe rritjen e çmimit. Na vë në vështirësi financiare dhe me këtë rritje kostosh themi që edhe çmimi i shitjeve apo i njësive të ndryshme tregtare teorikisht duhet të pësojë një rritje. Pavarësisht se është kërkesa dhe oferta ajo që e vendos çmimin, por kostoja është rritur, çmimi automatikisht duhet të jetë në rritje në vazhdimësi.”
Në këtë ekuacion të ri vështirësish, ku kostot e lëndëve të para diktojnë ritmin e kantierëve, mbetet për t’u parë nëse tregu do të gjejë një pikë ekuilibri apo nëse çmimet e apartamenteve do të vijojnë të thyejnë rekorde të reja.











