Nga mënyra sesi u parashtrua termi “korrigjim” prej Hashim Thaçit presidentit aktual të Kosovës dhe mënyra sesi u përcoll ky term në Beograd, kuptohet qartë se në kancelaritë e QUINT-it, (vendet e SHBA-së, Gjermanisë, Francës, Britanisë së Madhe dhe Italisë) ka prej kohësh një zgjidhje për ngërçin mes dy vendeve. Është artikuluar direkt dhe indirekt prej ambasadorëve të këtyre vendeve në Prishtinë e Beograd, por edhe është elaboruar kinse si gjetje prej analistëve të ndryshëm. Ai është mbajtur i tillë për ta bërë më të lehtë punën e dy presidentëve të Kosovës e Serbisë në negociata si dhe kundër faktorëve politikë opozitarë në Kosovë e Serbi, që dukshëm po mundohen të fitojnë pikë ndaj dy negociatorëve kryesorë Alaksandër Vuçiç dhe Hashim Thaçi, që jo thjesht janë interlokutorët më të zgjedhur, por edhe personat që po mbajnë peshën kryesore të procesit.
Askush nuk e do më zvarritjen e bisedimeve mes dy vendeve dhe mbi të gjitha problematikat e vazhdueshme që vendet po sjellin në tryezën e bisedimit. Jo më kot, i pari Thaçi dhe pas tij kolegu serb përpiqen t’i trullosin për çdo ditë bashkëvendasit e tyre. Thaçi përmend vështirësitë, kurse Vuçiç u parashtroi faktin se: Nëse s’doni demarkacion me Kosovën tani, përgatituni të mbroni Vranjën pas 40 vjetësh dhe “nëse nuk e zgjidhim çështjen e Kosovës”, do t’i humbim të gjitha!!!
Por pse po nxiton vallë Thaçi dhe pse nuk i lë topin Vuçiç në këto zhvillime ku Kosova ka prioritet dhe është më e privilegjuar?! Me çfarë shihet dhe nga ato që janë artikuluar, çështja e korrigjimeve flitet prej kohësh dhe pas atij ngërçit në dukje, bisedimet mes palëve kanë ecur normalisht.
Me këtë kupton edhe faktin pse Kosova dhe Serbia kaluan në nivel presidentësh, ku flitet më shumë makro e jo si më parë kur bisedimet, që ishin në nivele teknike e zhvilloheshin me plane konkrete dhe për problematika me të cilat përballeshin realisht komunitetet në terren.
E gjitha çfarë po zhvillohet tregon se marrëveshja bazë është ajo që qëndron prej kohësh mes Kosovës dhe Serbisë dhe që tashmë duhet të marrë jetë: 1.Asosacioni i Komunave serbe do të ketë kompetenca të gjëra dhe madje edhe me atribute shtesë në fushën e shëndetësisë, arsimit e kulturës;2.Në mënyrë taksative është nënkryeministri serb i qeverisë së Kosovës, që do të jetë gjithnjë i zgjedhur prej komunitetit serb dhe i pranuar apriori nga Kosova e drejton këtë strukturë; 3. Beogradi e lejon Kosovën në OKB dhe në të gjitha organizatat e tjera; 4. Korrigjime të interesit më të vogël, që mund t’u leverdisin të dy palëve dhe që nuk bien në kundërshtim. Me pak fjalë, po shkohet në lëshime të vogla, por gjithnjë në kurriz të shqiptarëve.
Presidenti kosovar mendon se me korrigjimin shkon drejt njohjes, paçka se e pret përballja me një mal të vështirë që e përbëjnë procedurat juridike të vendit të tij. Kurse Vuçiç e ka më të lehtë sepse ndryshimet i bën me atë që për serbët është e ashtuquajtura Krahinë Autonome e Kosovës dhe e Metohisë. Kjo mund të rezultojë pak fatale për Kosovën sepse serbët me shtyrjen që po i bëjnë njohjes do të kërkojnë në të ardhmen përcaktimin e statusit të Kosovës, pikërisht atë për të cilën morën verdiktin negativ të kërkesës së tyre ndaj Gjykatës Ndërkombëtare.
Në pikëvështrimin e njohësit të çështjes ndërkombëtare të Kosovës Veton Surroi është e mundur që e gjithë kjo situatë të lindë një konferencë ndërkombëtare të tipit Rambuje që… “do të trajtojë edhe çështje të tjera të mbetura, pa njohje të ndërsjellë. Pika numër një do të ishte autonomia territoriale-politike e serbëve në Kosovë, me emrin Bashkësia e Komunave Serbe. -Meqë parimi fillestar është korrigjimi, në këtë konferencë ndërkombëtare do të mundë të kandidohej edhe çështja e Republikës serbe të Bosnjë-Hercegovinës, si çështje e mbetur nga zhbërja e ish- Jugosllavisë. Kjo do të bëhej me kërkesën e kryetarit Dodik se çfarëdo që të ndodhë me Kosovën, të ndodhë edhe me Republikën Serbe”.
…
Për fat të keq, Thaçit i duhet të mbajë presionin e madh që ai po e kanalizon drejt lëshimit për mospërcjelljen e emrit të tij në Gjykatën Speciale. Ndërkohë, në aspekt më makro, Rusia është futur bajagi në problematikën e sotme të marrëdhënies Kosovë-Serbi dhe këtë e shikon nga tonaliteti i lartë i Beogradit, por edhe nga stepja e BE-së, e cila tashmë gjendet nën presionin e administratës Trump dhe cinizmit në rritje të Kremlinit.
Konkluzionet, ku po afrohen palët, do të jenë realisht të dhimbshme për Kosovën dhe më pak për Serbinë, që është në humbje dhe që me politikën e saj po e afron vendin drejt BE-së dhe po bëhet pak nga pak poli qendror i marrëdhënieve në Ballkan. /Homo Albanicus – Gazeta Shqiptare/