Cilat janë problemet tona, treguar nga vitet ‘30?
Nga Ben Andoni
Një Shqipëri e re. E ëndërruar gjithmonë nga shumë e shumë qytetarë të Shqipërisë dhe e dëshiruar nga të gjithë ata, që kanë gjykuar mbi të tjerët, por pa mundur asnjëherë për të kaluar në rrugën normale të qytetërimeve të zakonshme. Ja pse është aktual një nga njerëzit kryesorë të neo-shqiptarizmës edhe në ditët tona.
Branko Merxhani jetoi shumë pak në Shqipëri, por ato vite ishin të mjafta, që ai të linte vulën e tij të madhe në mendimin e filozofisë politike shqiptare.
Duhet thënë se fare pak gjëra kanë ndryshuar në kohë, përveçse forma është më ndryshe, e kuptohet jetojmë në kohë, që as nuk mund të merreshin dot me mënd në vitet ’30, kur Branko kontribuoi në Shqipëri me “Përpjekjen”. Vetëm se është një gjë që nuk ndryshon: Ajo ka të bëjë me karakteristikat kombëtare dhe mënyrën sesi ato transplantohen në shoqërinë shqiptare.
“Kemi trashëguar thonë, një të shkuar kaotike; po kalojmë, thonë, një të tanishme kaotike; e ardhme paraqitet si një zero matematike: “ Shiko të shpëtosh kokën tënde!”- këtë këngë vajtuese të këndojnë sot Pleq e të Rinj, dogmatik dhe liberalë. Të ditur, të paditur, të gjithë njerëzit këtu brenda, i ka zënë një lodhje mistike, një lodhje morale dhe materiale. Dhe si një rrjedhë e natyrshme e gjithë kësaj gjendje, një egoizëm vetjak, materialist, i lidhur ngushtë me indiferencën, mërinë, ligësinë, dinakërinë më të përçmuar tejpërtej!- Simptoma më tipike dhe më klasike të dekompozimit. Simptoma të dekadencës, që paraqitin popujt në mbrëmjen e historisë së tyre…”, citojmë Branko Merxhanin, sa i përket gjykimit për shoqërinë tonë.
Ndërkohë që një shërim në këtë kohë ai e gjen tek shkenca, mbase ajo mund të lehtësojë disi tradhisjet e shqiptarëve. Po a ka të drejtë? Koha nuk na sqaron dot për këtë as realiteti informal shqiptar. Porse gjykimi i tij ia vlen të konsiderohet qartë. (Javanews)
***
Ky është PROBLEMATICITETI SHQIPTAR
Nga Branko Merxhani
Problemi ose problemaciteti shqiptar… – Kemi trashëguar thonë, një të shkuar kaotike; po kalojmë, thonë, një të tanishme kaotike; e ardhme paraqitet si një zero matematike: “ Shiko të shpëtosh kokën tënde!”- këtë këngë vajtuese të këndojnë sot Pleq e të Rinj, dogmatik dhe liberalë. Të ditur, të paditur, të gjithë njerëzit këtu brenda, i ka zënë një lodhje mistike, një lodhje morale dhe materiale. Dhe si një rrjedhë e natyrshme e gjithë kësaj gjendje, një egoizëm vetjak, materialist, i lidhur ngushtë me indiferencën, mërinë, ligësinë, dinakërinë më të përçmuar tejpërtej!- Simptoma më tipike dhe më klasike të dekompozimit. Simptoma të dekadencës, që paraqitin popujt në mbrëmjen e historisë së tyre…
Ku gjendemi?
Le t’i lëmë për një çast të qetë në këndin e lumtur të venerimit e të lutjes së tyre të gjithë ata njerëz të mirë, që qarku i mendimeve të tyre vjen gjithë rreth e rrotull bustit të Fesë. Këtu në anën tona ka një tok njerëz të një kategorie tjetër, mendonjës të lirë, që mbështeten në shkencat pozitive dhe që nuk u japin asnjë rëndësi metafizike fenomeneve shoqërore. Janë të rinjt intelektualë. Një prej tyre, djalë me karakter të ndritur dhe me përgatitje kulturore të mbaruar, përkrahës i nxehtë i teorive shkencore të Determinizmit dhe Evolucionit, më shkruan: “… Jo! Atë mbrëma isha i sinqertë. Dhe siç e di fort mirë, përpiqem të jem gjithnjë i sinqertë. Të thashë atë që mendoj. “… Nuk shoh përpjekjeje shoqërore në konditat historike që jemi. Çdo mendim është i kot në këtë drejtim”.
“S’ka fenomen shoqëror absolut dhe abstrakt. Çdo fenomen është rrjedhë faktorësh të ndryshëm. Dhe sapo shfaqet, bëhet menjëherë shkak për të lindur edhe një tok fenomene të tjerë. Individi, gjer në një pikë, mund të ushtrojë një arbitër të lirë. Po shoqëria shtrohet në disa rregulla të caktuara dhe harmonike. ‘Teoria e Evolucionit’ zbatohet në të gjitha llojet organike, kaq në llojet biologjike, sa dhe në llojet sociologjike”. “… Nuk kemi asnjë bazë shoqërore si një të dhënë(donne) historike. Dhe grada e vitalitetit tonë shoqëror nuk paraqet asnjë vlerë sintetike. Të gjitha elementët tanë shoqërorë janë dekompozonjës. Karakteri ynë shoqëror, i prishur, i shkallmuar, i korruptuar pa shërim”. “… Nga të gjitha anët na kanë rrethuar formime kombëtare të forta, popuj me të shkuar, kombe me të ardhme. Ujërat që derdhen nga malet tona kufizore derdhen në një det të huaj. As këtej, as andej, nuk do të na lënë të rrojmë me këto halle. Do të gjejnë mënyrë të na shuajnë nga karta e botës pa na goditur me armë. Kalbësirën e kemi brenda në veten tonë. I ka rrënjët kaq të thella që nuk do t’i gjejmë dot kurrë sado që të gërmojmë. Mbi këto rrënjë qëndrojnë stavë shekujt”. “… Që të mundim të kemi një farë shprese suksesi në luftën e jetës, mbetet vetëm një zgjidhje. Ndërhyrja e një fuqie superfizike! Një mrekulli! Miracle! Eugene Lantilhac 1895! Jemi në 1935!…” “ Fenomeni shoqëror është një fenomen fizik dhe bile, le ta them kështu, nënfizik. Burimin e ka brenda në jetë, brenda në baltë. Që nga koha që këndoja Renan-in, nuk besoj më as në “mrekullinë greke” legjendare, që për shumë kohë pati një adhurim të verbër në Perëndim. Bota tjetër arriti në epokën e qytetërimit mekanik e teknik deh ne kërkojmë akoma të ndërtojmë një “Atdhe” këtë ide të parë të vjetruar të qytetërimit. Me ndërhyrjen dhe hirin e një superfizike? S’kam besuar kurrë në një absurditet të tillë”…
Një klerik, nga ata që besojnë se Perëndia ndau dynja-në dhe xhenet-in midis të krishterëve dhe muhamedanëve, më thoshte një herë në një bisedim: – Besimi e humbi fuqinë e vet. Ligësia mbretëron kudo. Që nga koha e dërgimit të njeriut shkuan shumë shekuj me radhë dhe çdo gjë fisnike që kish njeriu u prish dhe humbi në fosat-in e kohës. Kudo në dynja ka plot dinsezë. Shenja të kiametit. Inati dhe mallkimi i Allahut plasi mbi kokat tona. S’na mbetet veçse të marrim gratë e djemtë dhe të marrim udhën për në Beladi-mubarekë që të shpëtojmë shpirtrat tanë!…” Ja dy tipe përfaqësimëtare të gjendjes sonë mendore dhe shpirtërore të sotme. Ç’ndryshim ka midis mënyrës shkencore që mendon i riu intelektual, që këndoi vite me radhë në Perëndim Renan, Darëin, Marx, etj dhe që di se ç’është Determinizma, edhe mendësisë së varfër të Hoxhës së paditur të një fshati këtu rreth e rrotull, që s’është në gjendje të këndojë asgjë, as dhe librat më të thjeshtë të fesë së tij dhe që mezi mësoi të vijëzojë edhe nënshkrimin e vet? Unë nuk gjej asnjë ndryshim, asnjë. Që të dy janë viktima të fatalizmit më të keq. Dy tipe gjiri, të njëjtë, të cilët sado që ecin në udha të veçanta dhe shihen me njëri tjetrin me sy të egër si armiq megjithëkëtë janë miq të ngushtë, shokë, aleat në mendime dhe në mendësi. Mbase sepse rrjedhin nga një burim dhe rrojnë brenda në kondita shoqërore të një ritmi. Që të dy paralajmërojnë humbjen dhe shkatërrimin. Që të dy vendosin që në krye keqrrojtjen dhe ushqejnë panikun. I pari sepse këndoi shumë shkencë pa kuptuar shumë gjëra. I dyti sepse e fali tërë jetën e vet në lutjen te Perëndia pa marrë në dorë asnjë libër, makar dhe fetar… Këtu nevoja providenciale e Hoxhës ndërroi formë dhe u bë nevojë natyrale në sy të shkencëtarit. Një substancë, një konkluzion, një kokë dhe një mendësi. Errësirë tejpërtej, dëshpërim pa masa, përfitim, meskinitet, egoizëm gjer në trup! I pari, egoist moral, i dyti egoist material. Fetarin e shtyn premtimi i xhenetit. Afetarin e shtyn dëshira e mirëqenies. Një sinonim simbolik! Po!
Problemi ose problemaciteti shqiptar. Kudo dhe në të gjitha në çdo hap, në çdo vështrim cipa e zezë e dëshpërimit. Kur njerëzit si anëtar të një shoqërie arrijnë në këtë pikë që të mos mendojnë gjë tjetër veç si të shpëtojë shpirtin njëri dhe t’i sigurojë një jetë më të mirë tjetri, pa ndonjë lidhje të brendshme për vendin e tyre, pa ndonjë dozë vetmohimi, vullneti dhe ideali, ahere kjo shoqëri ndodhet krejt në kompozim, kjo shoqëri e ka humbur çdo bazë qenie dhe çdo shpresë jetese dhe vrapon me çape të shpejta për në buzë të greminës të zhdukjes historike. Mos jemi të dënuar vallë të shuhemi para se të marrim frymën e parë të jetës së lirë! Jo! Kush mendon kështu kush e vë që tani në dyshim vitalitetin historik të kombit mund të jetë njëri i mirë por është shqiptar i keq. Nuk them që të gjitha punët tona janë të trëndafilta. Po kalojmë ditë kritike. Por ç’bën gjer sot që të arrijmë në përfundim që nuk jemi të zot për asgjë? Ku janë veprat tona që tregojnë gradën e zotësisë sonë për të bërë një
“Komb”? Ku janë? … Më duket se jemi të sëmurë. Të sëmurë jemi nga shpirti dhe nga mendja. Vetëm një mënyrë shërimi ka: Të zihemi nga shkenca! Po! Shkenca! Kjo më jep shumë premtime por atë që jep. E jep me të vërtetë. Është besnike në fjalët e veta. Ajo di vetëm të shërojë plagët tona mendore. Është arma më e mirë për të luftuar fatalizmën dhe për të injektuar pak kurajë dhe shpresë në zemrat tona të thyera…