Nga Shpëtim Nazarko
Duket një fenomen i çuditshëm këto njëzet e pesë vitet e pluralizmit. Në mandatin e dytë, partia fituese mezi shkon deri në zgjedhjet e radhës, duke qenë afërsisht e qartë edhe vetë se roli i qeverisë së saj, apo forcës që përfaqëson, po shkon drejt fundit.
Kjo ndodh edhe me demokratët, por dhe me socialistët. Vërejtjet e bëra në këtë shkrim, që gjithsesi nuk mbajnë vulën e specialistit, mbeten vërejtje dhe shërbejnë si ftesë për ata që e njohin më shumë këtë punën e qeverisjes.
Cilat janë arsyet e rënies në dekadencë të qeverive në mandatin e dytë?
Shprehur thjesht, mund të thonim kështu: Kemi vendosur të ndërtojmë një sistem që në thelb kërkon decentralizim, por në fakt veprojmë në mënyrë të centralizuar. Për të mos bërë teorizime të tepërta, po hyj drejtpërdrejt në thelbin e çështjeve, që janë dy:
Së pari, mënyra komuniste e zhvillimit të zgjedhjeve dhe numërimit të votave.
Së dyti, ndërtimi i një buxheti që në formë vertikale është thjesht i tipit komunist.
Sa më sipër, këto dy të meta karakterizojnë periudhën që po analizojmë, qoftë demokratët, qoftë socialistët.
Zhvillimi i zgjedhjeve dhe mënyra komuniste e numërimit të votave
Ka njëzet e pesë vjet pas vendosjes së pluralizmit, që zgjedhjet zhvillohen në të njëjtën mënyrë në Shqipëri. E kjo pavarësisht përpjekjeve pafund tonat dhe të të huajve për të dalë nga problemet që i kërcënojnë ato. Të dyja kampet, sapo humbin në fushën e betejës zgjedhore, zënë e ulërijnë për vjedhje votash, mashtrime në numërim etj., etj. OSBE dhe faktorë të tjerë bëjnë arnime pas arnimesh, për të riflluar lojën nga e para pasi zgjedhjet e radhës mbarojnë…
Ndërkaq, asnjeri nuk kupton, apo përpiqet të kuptojë, se mënyra e zhvillimit të zgjedhjeve dhe veçanërisht mënyra e numërimit të votave në Shqipëri, është po aq komuniste sa ajo e Hoxhës dikur, në mos ca më e keqe në pikëpamjet e asaj që bien ato më vonë.
Një numër i madh partish të regjistruara në zgjedhje, formojnë apo dhe kërkojnë që në ato 5000 qendra votimi të kenë përfaqësuesit e tyre të kontrollit që, në shumicën e rasteve, janë militantë të vendosur të partive përkatëse. Pas këtyre komisionerëve vijnë ca nënkomisionerë, etj. Një armatë e madhe njerëzish rrjetëzon kështu gjithë vendin. Mbarimi i zgjedhjeve kërkon natyrisht shpërblimin e tyre dhe jo vetëm të tyre.
Për shkak të një organizimi farefisnor, që në Shqipëri është ende shumë i fortë, rrjeta e komisionerëve militantë fillon dhe i zë frymën gjithë vendit. Dhe nuk janë vetëm të një partie të vetme si në kohën e Hoxhës, por të shumë partive aleate të palës që ka fituar. Kësaj batërdie që duket së pari në zgjedhjet kombëtare, duhet t’i shtosh edhe atë të zgjedhjeve lokale. Në një ujdi që ka njëzet e pesë vjet që zhvillohet jo heshturazi, por në formë të drejtpërdrejtë, partitë e mëdha u kërkojnë favore të voglave në zgjedhje kombëtare dhe u kthejnë atyre në zgjedhjet lokale.
Kjo marrëveshje shton akoma më shumë kaosin kombëtar, sepse fut në lojë partiake jo vetëm të mëdhenjtë, por edhe të vegjlit që bëhen realisht feudalët e rinj të zonave rurale.
Është pikërisht ky zhvillim i ngjarjeve që, njëzet e pesë vjet pas pluralizmit, vendi gjendet në një kaos të atij lloji që kërkon, as më pak dhe as më shumë, por ndërtimin e Shqipërisë nga e para. Kjo jo vetëm në planin urbanistik, por edhe të elementeve të tjera: ujë, sistem elektrik, etj., etj.
Mjafton t’i hedhësh sytë zonave rrotull Tiranës apo qyteteve të mëdha, të kuptosh se zotërit që dalin nga zgjedhjet lokale komandojnë pa e vrarë mendjen zonën trofe që u takon. Jemi pastaj brenda një zhvillimi që e shohim të gjithë. Një copëtim i pronave kombëtare, që nga ndërtimet pa leje, prerje pyjesh, prishje kullotash dhe të të gjithë vijës bregdetare. Feudalët e vegjël janë gjithnjë në mbrojtjen e të mëdhenjve në rastin e zullumeve që bëjnë, sepse aleanca e tyre politike gjatë zgjedhjeve kombëtare dhe lokale është e pazgjidhshme.
E gjitha sa u përshkrua kërkon detyrimisht një reformë zgjedhore që heq njëherë e mirë faktorin që numëron votat. Ndryshe nuk do të bëjmë gjë tjetër, veçse të shtojmë agoninë kombëtare.
Mbi mënyrën komuniste të bërjes së buxhetit nga qeveritë e radhës
Që nga viti 1948, apo pak më vonë, kur Shqipëria komuniste u fut në KNER, metoda e bërjes së buxheti ishte afërsisht kjo. Përcaktoheshin nevojat për pesë vitet e ardhshme dhe po ashtu prioritetet. Të gjitha këto brenda ca çmimeve që ishin fikse, meqenëse ngjarjet zhvilloheshin brenda kampit socialist. Shqipëria eksportonte lëndë të para minerare apo disa produkte bujqësore dhe merrte ato që i nevojiteshin. Marrëdhënia u zhvillua gati deri në vitin ’90. Pavarësisht se Shipëria hiqej se kishte dalë nga kampi socialist, ajo ishte brenda kësaj skeme zhvillimore dhe ekonomistët e saj bënin të njëjtën skemë, që e paraqisnin në kongresin partiak të radhës.
Në vitet ’88-’90, kur sistemi komunist doli gradualisht nga skema, edhe mënyra e zhvillimit ekonomik u prish po ashtu. Shqipëria e viteve që flasim filloi të blinte me para në dorë dhe nuk duket ndonjë çudi e madhe që në dy vitet e fundit sistemi komunist harxhoi tërë valutën e Shqipërisë. Kjo i dha dhe shkas çudisë që qeveria e fundit komuniste filloi të vidhte floririn e Shqipërisë.
Se sa vodhi, kjo është temë tjetër, por ajo që ia vlen ta diskutojmë është: a hoqi dorë Shqipëria plotësisht nga kjo mënyrë e të bërit të buxhetit të saj, që duket, nga sa u theksua më sipër, ishte thjesht e tipit vertikal?
Ekonomistët e ardhur në krye të qeverive pas ’90-ës ishin thjesht të shkollës së vjetër, ndërsa udhëheqësit politikë ishin pak të lidhur me ekonominë. Dhe këtu përfshihet edhe Nano, që ishte i vetmi ekonomist udhëheqës i kësaj periudhe.
Shqipëria vazhdon ta bëjë thuajse në njëjtën mënyrë buxhetin. Përcaktohen nevojat, pastaj ca prioritete dhe loja vazhdon deri në fund të mandatit. Ministrat e financës, që kanë dorë thesin e buxhetit, vënë gërshërën aty ku mendojnë se duhet vënë.
Po a mund të vazhdojmë kështu?
Në të gjithë këtë periudhë vetëm Rama, nga pozitat e kryetarit të bashkisë dikur, kuptoi vetëm një pjesë të vogël të problemit kur theksoi se “buxheti nuk duhej grimcuar”. Teoria e tij e zhvillimit të qendrës, pastaj periferisë, rrok një pjesë të problemit, po a është e mjaftueshme sot? Unë e shoh edhe Ramën viktimë të kësaj mënyre të bërjes së buxhetit. I cili, nga njëra anë mban brenda thelbin komunist, si deri në vitin ’90 dhe nga ana tjetër atë të copëzimit, që vjen nga mënyra e zhvillimit të zgjedhjeve dhe militantëve që marrin pjesë në fshat e qytet në numërimin e votave.
Qeveria e tanishme kërkon t’i shpëtojë këtyre skemave të vjetra, duke iu referuar ideve që kërkojnë bashkëpunimin me privatin. Mundet të kemi edhe suksese pjesore, por problemi qendror mbetet. Kryeministri i tanishëm, ashtu si të tjerët para tij, do të vazhdojë të mbetet peng i ministrave të financës, që e bëjnë buxhetin sipas mënyrës së vjetër, që e ka fillimin në vitin 1948.
Një shembull i thjeshtë ilustrues do të ishte ai i sektorit të bujqësisë apo i shëndetësisë. Nëse në vend nuk funksionon sistemi i detyruar shëndetësor, nga do të gjenden paratë për të subvencionuar shëndetësinë. Është e qartë se dhe spitalet private të huaja apo vendëse, që operojnë në një treg ku mungon sistemi i sigurimit shëndetësor me kohë, do të falimentojnë, sado të bashkëpunojnë apo jo me shtetin. Një gjë e tillë duket thjesht si në sipitalet shtetërore, por dhe ato private.
Duke vërejtur sistemin e bujqësisë dhe paratë që hedh qeveria për të, e kupton se dhjetë millionë euro apo ndonjë favor tjetër i vogël ndaj fermerit, nuk të çon gjëkundi.
Buxheti i ndërtuar jo në formë vertikale bën që gradualisht ai të thërrmohet dhe në mandatin e dytë të shpjerë në rënien e të gjithë faktorëve zhvillues të vendit dhe, nga ana tjetër, të vetë qeverisë.
Si i bëhet?
Kjo është punë specialistësh, po një gjë duket e qartë, referuar praktikës njëzet e pesë vjeçare. Po vazhduam kështu me mënyrën e organizimit të zgjedhjeve dhe numërimin e tyre, si dhe bërjen e buxhetit në atë formë, ku ministri i financave është de fakto edhe kryeministër, mund të dalim në përfundimin që jepet në titullin e shkrimit.
Kështu, edhe Merkelit apo Gjermanisë, nuk do t’i dilnin kurrë paratë e zhvillimit dhe në Sahara pak nga pak do të importonin rërë.
Thënë thjesht dhe vënë problemin në duart e specialistëve, nuk mund të kërkosh decentralizimin e vendit në formë, duke centralizuar përmbajtjen, domethënë qeverisjen reale të tij.(Konica.al)