Ëndrra e shqiptarëve për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian po bëhet realitet me hapjen e grupkapitullit të parë me unionin. Por si do ndikojë ky proces tek qytetarët e thjeshtë, e për më tepër tek ata që mendojnë të largohen nga vendi.
“Hapja e negociatave është një lajm i mirë për qytetarët shqiptarë, pasi ata do të kenë mundësi për të lëvizur drejt këtyre vendeve për çështje pune, por edhe do të ndikojë pozitivisht që shumë prej atyre që janë larguar, duke patur të njëjtat kushte në Shqipëri do të rikthehen duke investuar apo duke u punësuar në vendin e vet, ku ende kostot e investimit në biznes apo kostot e krahut të punës, janë shumë të lira në raport me vendet e tjera të Bashkimit Europian”, thotë për Top Channel Erion Muça, ekspert për punësimin.
Edhe ritmet e largimit të trurit do të ulen, kjo pasi një qytetar shqiptar do të gëzojë të drejtën e një qytetari europian, gjë që do të bëjë që ekspertët më të nderuar apo profesionistët mos të lëvizin nga Shqipëria, se tanimë çdo lloj ekspertize apo shërbimi mund ta ofrojnë nga Shqipëria drejt tregut europian.
Edhe kur të anëtarësohemi në Bashkimin Europian ne do të mbartim me vete perceptimet dhe paragjykimet e gabuara që kanë patur edhe anëtare të tjera të reja të unionit si Kroacia, Bullgaria dhe Rumania, të cilat edhe sot shihen jo vetëm si vendet më të varfëra, por edhe vendet që më shumë kanë përfituar sesa kanë kontribuar në BE./ Top Channel