Rusia tanimë ka vendosur një mini-forcë ajrore luftëtarësh, bombarduesish dhe helikopterësh në një aeroport pranë Latakias, ku qëllimi i tij i vetëm i mundshëm është mbështetja e regjimit të presidentit Bashar Al-Asad. Por mbajtja në këmbë e qeverisë së Asadit, dhe zgjatja e luftën civile në Siri, nuk është një qëllim në vetvete për Putinin, i cili natyrisht që do të rrisë praninë e Rusisë në atë rajon.
Ka më shumë të ngjarë që synimi real i presidentit rus, të jetë ndërmjetësimi i një zgjidhje për moçalishten siriane, përmes një formule që përfshin krijimin e një shteti të cunguar sirian, në të cilin pakica alevite do të shndërrohet në një shumicë. E dhënë ndryshe, Putini po e mbështet Asadin, në mënyrë që të mund ta “shesë” atë jashtë.
Lufta civile në Siri
Thuhet shpesh se Putini po përfshihet në konfliktin në Siri, për të shkëputur vëmendjen nga ekspansionizmi i tij i vazhdueshëm në Ukrainë. Por ky shpjegim, mund të jetë shumë më i thjeshtë se ç’duhet. Putini po kërkon të tregtojë diçka me Perëndimin, në këmbim të së cilit ky i fundit të lejojë vazhdimin e konsolidimit rus në Ukrainë. Emri i lojës nuk është çmenduri – ai quhet sistemi i levave.









