Agjensia amerikane e inteligjencës CIA u themelua në vitin 1947, dhe u ngarkua me kryerjen e punëve të zbulimit jashtë Shteteve të Bashkuara. Por agjencia devijoi shumë shpejt nga qëllimi i saj fillestar, duke kryer grushte shteti, vrasje, dhe aktivitete të tjera të rënda në mbarë botën. Dhe, ndërsa pjesa dërrmuese e historisë së ndyrë të CIA-s u publikua në vitet ’70 nga Komiteti i Kishës, shumë pyetje mbeten ende pa përgjigje, lidhur me anën e errët të “Kompanisë”.
10- Kush e vrau Nik Dikun?
Edhe pse një financier i thjeshtë, Nikolas Dik ishte një burrë me mjaft karakter. Një aristokrat në mërgim nga Transilvania, ai iu bashkua ushtrisë amerikane gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe shumë shpejt u bë pjesë e Zyrës së Shërbimeve Strategjike (OSS), paraardhëse e CIA-s. Në atë detyrë, ai kishte planifikoi sulmet e aleatëve mbi fushat rumune të naftës dhe trajnoi guerilasit në Birmani, ku ai pranoi shpatën e samurait të një komandantit japonez, në përfundim të luftës.
Në vitin 1947, Dik filloi biznesin e shitjes së luleve në Hauai, i cila u shndërrua shpejt në një gjenerator të madh të ardhurash për botën e financave. “Dik dhe Co” u bë shumë shpejt tregtari më i madh në botë i metaleve të çmuara dhe këmbimit valutor. (Dega e çmuar metalike njihet sot si Goldline, ndërsa pjesa tjetër e biznesit u bë dega e këmbimit valutor ‘Tomas Kuk’).
Një liberal i patundur, Dik paraqitej rregullisht në krah personazheve të njohur të politikës dhe financës si Ron Pol dhe Alen Grispin. Si president i organizatës veteranëve të OSS, ai ishte mik i ngushtë i Xhejms Jesus Engelltonit dhe drejtorit të ardhshëm të CIA-s Bill Kejsit. Por në realitet, Dik nuk kishte dalë asnjëherë tërësisht në pension nga spiunazhi. Rritja e spikatur e kompanisë së tij u financua në fakt nga CIA, që kishte nevojë për një mënyrë të pagjurmueshme për qarkullimin e parave në gjithë botën.
Një kompani e këmbimit valutor ishte e përsosur, dhe Dik nuk zhgënjeu, duke e qarkulluar valutën e huaj për operacionet sekrete nëpër botë. Në vitin 1953, ai kontrabandoi 1 milionë dollarë në Iran, për të financuar rrëzimin e kryeministrit Muhamed Mosadeg, dhe më vonë kreu operacione të ngjashme në Guatemala dhe Kongo.
Është thënë madje se ishte ai që e paralajmëroi CIA-n, se kinezët po planifikonin në vitin 1962 pushtimin e Indisë, kur ata porositën shuma të mëdha në valutë indiane, nëpërmjet zyrës së tij Hong Kong. Një shembull se si vepronte firma e Dik, erdhi gjatë skandalit korruptiv që përfshiu kompaninë e mirënjohur të prodhimit të avioneve “Lockheed”, në të cilin kontraktuesi i mbrojtjes korruptoi politikanët japonezë për të favorizuar avionët e tyre, për linjën ajrore shtetërore dhe kontratat e tjera të qeverisë.
“Lockheed” ishte marrë vesh me Dik për të kontrabanduar miliona dollarë për një bos të mafias japoneze Jakuza (njëherazi kriminel lufte) i quajtur Joshio Kodama, i cili i shpërndau ato në Japoni. Dik i kontrabandoi paratë në atë vend në arkat me portokalle, të modifikuara nga një prift i ç’kishëruar.
Kur skandali shpërtheu, kryeministri japonez u arrestua, dhe një yll i çmendur i pornografisë ua lëshua me aeroplan mbi shtëpinë e Kodamas, në shenjë hakmarrje për nëpërkëmbjen e nderit të Japonisë. Dik ia hodhi pa asnjë pasojë.
Por reputacioni i tij u diskretitua në vitin 1980, kur Departamenti i Drejtësisë e akuzoi për pastrim të miliona dollarëve, për llogari të karteleve kolumbiane të drogës, ku e kishin infiltruar vetë CIA. Një kontroll mbi operacionet e tij bankare, zbuloi pjesën më të madhe të rezervave monetare dhe tërboi të gjithë, nga kartelet deri te triadat e Makaut, të cilët ndjenë se kishte humbur paratë e tyre.
Menjëherë pas deklarimit të falimentimit, Dik u qëllua për vdekje në zyrën e tij në Wall Street, nga një grua e pastrehë me emrin Lois Lang. Zyrtarisht, u tha se Lang kishte vepruar e vetme, e nxitur nga një besim i çmendur se Dik i kishte borxh paratë e saj. Megjithatë, shumë prej atyre që e pranuan atë shpjegim patën probleme, me ekonomistin kanadez R.T.Naylor që vërejti se Deak ishte “qëlluar nga një prej atyre që bëjnë për politikën amerikane, atë që sulmet në zemër u shkaktojnë burgjeve italiane”.
Ndërkohë Arkadi Kulman, që e pasoi Dik si drejtues i “Deak dhe Co”, tha se hetuesit e tij gjetën dëshmi se Lang ishte takuar me dy mafiozë argjentinas në Majemi, pak para se të blinte një armë dhe një biletë autobusi për në Nju Jork. Kur Kulman shkoi në Makau pas vdekjes së Dik, ai i gjeti zyrat bosh dhe të mbushura me letra. Në një sirtar tavolinë, zbuloi një foto të Dik të plagosur për vdekje, në katin e zyrës së tij. Mesa duket ajo foto e shkrepur nga Lang, nuk ishte publikuar kurrë nga autoritetet.
9- Pse Xhejms Engellton dëshironte ditarin e Meri Majerit?
Në tetor të vitit 1964, dy burra po ndërronin një gomë të shfryrë në afërsi të “C & O Canal” në Uashington, kur dëgjuan një britmë për ndihmë dhe dy të shtëna armësh. Kur policia arriti në vendngjarje, gjeti trupin e Maria Pinçot Majerit të shtrirë në një monopat, e të qëlluar dy herë nga afër. Meri Majer ishte artiste dhe ish-gruaja e Kord Majerit, një zyrtar i lartë i CIA-s, që kishte mbikëqyrur “Operacioni Mockingbird”, i cili synonte të ndikonte tek mediat amerikane në favor të agjensisë.
Një figurë e shquar në skenën sociale në Uashington, Maria Majer kishte patur edhe një lidhje të gjatë të fshehtë me presidentin Xhon F. Kenedi para vdekjes së tij. Policia arrestoi një burrë afro-amerikan i quajtur Rej Kramp, i cili u gjet afër vendit të ngjarjes, me njërën dorë të lyer me gjak. Kramp u soll në mënyrë të dyshimtë, dhe e ndryshoi disa herë alibinë e tij.
Ai tha në fund se kishte qenë për peshkim, por kallami i tij i peshkimit iu gjet në shtëpi. Megjithatë, duke qenë se nuk u gjet asnjë provë serioze që e implikonte, gjykata e liroi. Vrasja misterioze u shndërrua më pas në një temë të preferuar në mesin e teoricienëve të konspiracionit. Ndërkohë kunati i Meri Majerit, kryeredaktori i ardhshëm i gazetës “Uashington Post”, Ben Bradli, mori një telefonatë të çuditshme nga njëra prej mikeshave të saj, skulptorja Ana Truit.
Sipas saj, Majer i kishte kërkuar të digjte ditarin e saj, në rastin e një vdekjeje të papritur. Meqë Truit ndodhej në Tokio, ajo i kërkoi Bredlit të kërkonte ditarin. Por, kur ai mbërriti në shtëpinë e mbyllur të Marias, gjeti aty kreun legjendar të kundërzbulimit të CIA-s, Xhejms Jesus Engelltonin, duke kërkuar ditarin në dhomën e ndenjes, ndërsa nuk po e shihte gjëkundi.
Bredli tjetër vendosi të kërkojë tek studioja e Marias, vetëm për të gjetur Engletonin që po kërkonte me shpejtësi dhe ishte gati për të mbyllur derën. I zënë ngushtë, Engellton u largua dhe Bredli e gjeti ditarin, ku zbuloi mbi lidhjen e Marias me Kenedin. Pastaj Bredli ra dakord t’ia dorëzojë ditarin Engelltonit me kushtin që ai ta shkatërronte atë. Por ai nuk e bëri këtë – bashkëshortja e Bredlit zbuloi se e kishte ende ditarin edhe pas më shumë se një dekade. Me insistimin e saj, ditari u dogj.
8- A kishte lidhje CIA me Klaus Barbin?
I njohur si “Kasapi i Lionit”, Klaus Barbi, ishte një nga anëtarët më famëkeqë të Gestapos dhe një nazist i përkushtuar. Megjithatë, pas luftës, shërbimi inteligjent i ushtrisë amerikane e rekrutoi si një agjent të vetin, e mbrojti nga autoritetet franceze, dhe përfundimisht e ndihmoi të arratisej në Amerikën e Jugut.
Kjo nuk është një teori konspiracioni, pasi vetë qeveria amerikane e konfirmoi publikisht këtë në vitin 1983, pas një hetimi nga ana e Departamentit të Drejtësisë.
Misteri i vërtetë, është ajo që ndodhi më pas. Në Amerikën e Jugut, Barbi u bë një figurë me ndikim në qarqet e krahut të djathtë, trafikant droge, dhe një lojtar kyç në grushtin brutal të shtetit nga ana e “Grupit Kokaina”, që përmbysi përkohësisht qeverinë e Bolivisë në vitin 1980. Ai u ekstradua në Francë në vitin 1983. A mbajtën shërbimet amerikane të inteligjencës, duke përfshirë CIA-n, lidhje me Barbin gjatë qëndrimit të tij në Bolivi? Ata me siguri e bënë këtë.
Në raportin e tij të vitit 1983, Departamenti i Drejtësisë i referohej dokumentave të CIA-s, të cilat flisnin për punësimin e Barbit për të ndihmuar në gjetjen dhe asgjësimin e Che Guevara-s, i cili asokohe ishte udhëheqësi i kryengritjes komuniste në Bolivi. Zyrtarisht, CIA vendosi të mos vazhdojë me atë plan, e shqetësuar nga synimet e francezëve për të kapur, ektraduar dhe nxjerrë në gjyq ish-zyrtarin e lartë nazist.
Megjithatë, ka disa tregues se agjensia mund t’i ketë kërkuar jozyrtarisht ndihmë Barbit. Dokumentari i vlerësuar i vitit 2007 nga Kevin Mekdonald ”Armiku i armikut tim”, mbështet idenë se një mik i ngushtë
i Barbit këmbëngul se ky i fundit ishte takuar me një zyrtar të lartë të CIA-s, për planifikimin e operacioneve kundër gueriljeve në Bolivi.
Dëshmia është jobindëse, edhe pse vlen të përmendet se CIA mbështeste fuqishëm presidentin e atëhershëm bolivian Rene Barientos, i cili ka pasur lidhje me Barbin. Asokohe, lidhjet e sigurta të Barbit me inteligjencën perëndimore pas vitit 1951 erdhën në vitin 1966, kur ai u punësua për pak kohë nga shërbimi inteligjent i Gjermanisë Perëndimore.
7- A ishte Juri Nosenko një dezertor i vërtetë?
Në vitin 1962, një oficer i KGB-së me emrin Juri Nosenko, kontaktoi agjentët e CIA-s në Gjenevë dhe i informoi ata se një prostitutë i kishte vjedhur 200 dollarë. Për shkak se KGB-ja ia monitoronte rreptësisht shpenzimet, ai donte me çdo kusht të zëvendësonte paratë e grabitura, duke u 0ofruar t’i shesë CIA-s një manual të KGB-së në këmbim të shumës së parave.
Agjencia pranoi dhe kërkoi nga Nosenko të mbajë kontakte të rregullta, duke i premtuar atij 25.000 dollarë, nëse mund të zbulonte ndonjë spiun rus. Nosenko ra dakord, por disa javë pas vrasjes së Kenedit, ai i tha kontaktit të tij amerikan, se KGB-ja po e survejonte, ndaj dhe i kërkoi të dezertonte.
Ai u dërgua në Uashington në vitin 1964. Por, shumë shpejt operativët e CIA-s filluan të dyshonin mbi veprimtarinë e Nosenkos. Ai kishte insistuar ta nxirrnin urgjetisht nga Zvicra, pasi një mesazh tejet sekret nga Moska urdhëronte kthimin e tij në Bashkimin Sovjetik. Por SHBA që po monitonte fshehurazi ambasadën sovjetike, konfirmoi se nuk kishte një mesazh të tillë.
Në vitin 1962, Nosenko kishte thënë se nuk donte të dezertonte për shkak të gruas dhe fëmijës. Në 1964-ën, ai nuk i përmendi kurrë ata. Ai fillimisht u prezantua si kolonel, pastaj ndryshoi mendje dhe tha se qe kapiten. Para se të qëllonte Kenedin, Li Harvi Osvaldi kishte dezertuar për një kohë të shkurtër në Bashkimin Sovjetik, duke jetuar atje për pak më shumë se dy vjet.
Nosenko tha se ai kishte mbikëqyrur dosjen sovjetike të Osvaldit, duke shpjeguar se KGB-ja e cilësonte amerikanin të çmendur dhe nuk kishte tentuar kurrë që ta rekrutonte. Shumë vetë në CIA e cilësuan këtë konstatim si të dyshimtë. Koha që Osvaldi kaloi në Rusi, kishte nxitur spekulimet se ai ishte një agjent rus. Ishte tepër komode për KGB-së që ta lante duart me Osvaldin vetëm disa javë më vonë, dhe të garantonte amerikanët se Moska nuk kishte të bënte aspak me vrasjen e presidentit Kenedi.
Nosenko tërhoqi shpejti vëmendjen e Xhejms Jesus Engelltonit, shefit famëkeq të kundërzbulimit të CIA-s. Engelltoni ishte marrë shumë me një spiun të mëparshëm të KGB-së sovjetike, të quajtur Anatoli Golitsin, i cili pretendonte se Moska kishte infiltruar agjentë në nivele shumë të larta drejtuese të agjencive të inteligjencës perëndimore.
Ai gjithashtu theksoi se KGB-ja do të dërgonte me mision dezertorë të rremë, për ta diskredituar atë. Kur Nosenko e kundërshtoi Golitsinin, Engelltoni ishte i bindur. Me urdhër të tij, Nosenko u burgos për 3 vite dhe iua nënshtrua gjithnjë e më tepër teknikave të dhunshme të marrjes në pyetje.
Engelltoni ndërkaq bëri lëmsh gjithë agjensinë, për të zbuluar të infliltruarit që përmendte Golitsini.
Situata ishte e patolerueshme dhe Engelltoni u detyrua të largohej nga CIA në vitin 1975. Të dërrmuar nga paranojat, disa nga mbështetësit e Engelltonit, filluan të përhapin thashetheme se drejtori i CIA-s, Uilliam Kolbi, kishte qenë spiun gjatë gjithë kohës në atë detyrë.
Ndërkohë, Golitsini vazhdoi të tjerrte teori gjithnjë e më të çuditshme të konspiracionit, duke përfshirë idenë se rënia e Bashkimit Sovjetik, ishte një mashtrim i hollë komunist. Nosenko, që në mënyrë të përsëritur i kaloi testet e poligrafisë, u lirua nga detyra.
Por, ndërsa askush nuk besonte me tek Golitsin, çështja nëse Nosenko ishte një dezertor i vërtetë apo jo vazhdoi, me disa persona, përfshirë edhe agjentë të CIA-s që organizuan dezertimin e tij, të cilët këmbëngulnin se detajet që mbështesnin teorinë e Golitsinit, thjesht nuk qëndronin në këmbë.
6- A e vrau CIA Xhon Uotkinsin?
Në vitin 1964, ish-ambasadori i Kanadasë në Bashkimin Sovjetik, Xhon Uotkins, gjeti vdekjen në një dhomë hoteli në Montreal, ndërsa ishte duke u marrë në pyetje nga policia kanadeze. Prej kohësh qarkullonin zëra se sovjetikët kishin fotografuar një diplomat të lartë kanadez, gjatë një takimi mes hosmoseksualësh në Moskë.
Kur dezertoi, Juri Nosenko konfirmoi se diplomati ishte pikërisht Uotkins. CIA njoftoi policinë kanadeze, e cila e mori me vete për ta marrë në pyetje. Pasi Uoktins vdiq, policia e fshehu ngjarjen. Zyrtarisht u tha se Uotkins kishte pësuar një atak në zemër gjatë një darke. E vërteta doli në shesh në vitin 1981, kur gazetari britanik Çapmen Pinçer raportoi mbi të. Pastaj, romancieri kanadez Jan Adams publikoi fotografi që vërtetonin, se policia kishte fshehur qëllimisht rrethanat e vdekjes nga mjeku ligjor.
Ky fakt bëri bujë në Kanada. Por ngjarja nuk ishte aq e rëndë, sa ndodhte shpesh në raste të tilla. Një diplomat i lartë që vdes gjatë marrjes në pyetje, tingëllon si diçka tejet e errët, por Uotkinsi në fakt kishte patur më herët atak në zemër, ndaj dhe mund të ndërronte jetë në çdo kohë. Ai bashkëpunoi plotësisht me hetuesin, i cili ishte miqësor dhe i sjellshëm, ndërsa policia ishte e prirur të besonte se ambasadori nuk qe dorëzuar përballë shantazhit sovjetik.
Uotkins dhe oficerët e policisë panë bashkë një ndjeshje futbolli, dhe hanin rregullisht në hotel. Hetimi u ndërpre për një periudhë 10-ditore, gjatë së cilës Uotkinsi vizitoi kushërinjtë e tij. I etur për të pastruar emrin e tij, ai e injoroi këshillën e mjekut për t’u vizituar me urgjencë në spital. Por shumë dyshime u ngritën, në lidhje me rolin e CIA-s në këtë çështje.
Uotkinsi ishte një mik i mirë i kryeministrit të Kanadasë Lester Pirson, të cilin një raport zyrtar i CIA-s e cilësonte “të bezdisshëm nga pikëpamja amerikane”, dhe mendohej se CIA e nxiti policinë të marrë në pyetje ish-ambasadorin, me shpresën e diskreditimit të Pirsonit.
Sipas Jan Adams, që ndihmoi në zbardhjen e kësaj ngjarje, Xhejms Jezus Engellton dyshonte se Uotkinsi ishte një spiun sovjetik, dhe kërkonte të nxirrte prej tij një rrëfim për të organizuar një “grusht shteti de fakto”, që do të çonte në rrëzimin e qeverisë Pirson. Sigurisht, CIA e vuri në dijeni policinë kanadeze për pretendimet e Nosenkos, por se çfarë presioni tjetër duhet të mbanin ata kjo mbetet e paqartë.
5- A ndihmoi SHBA në arrestimin e Nelson Mandelës?
Në vitin 1962, policia e Afrikës së Jugut arrestoi një revolucionar të quajtur Nelson Mandela, i cili ishte një nga figurat më të spikatura kundër anti-aparteidit në Kongresin Kombëtar Afrikan (KKA). Ai do të mbetet në burg për pjesën dërrmuese të 3 dekadave të ardhshme, duke përqafuar filozofinë e mospërdorimit të dhunës, dhe u shndërrua në një ikonë ndërkombëtare të këtij procesi.
Ajo që e vë në siklet CIA-n, ishte fakti se prej një kohë të gjatë është përfolur, se ishte agjensi ajo që i informoi autoritetet jugafrikane se ku gjendej Mandela, që ishte i maskuar si shofer kur u vu në pranga. Asokohe, qeveria amerikane mbështeti më gjysmë-zemër regjimin e aparteidit, si një mburojë kundër komunizmit në rajon. (Lidhjet e KKA me Partisë Komuniste të Afrikës së Jugut nuk ndihmuan në këtë rast).
Në vitin 1990, u raportua se shefi i CIA-s në zyrën e Pretorias, Pol Ekel, i kishte thënë një miku të tij se agjencia “ndihmoi që Mandela të kapej nga policia”. “Ne u dhamë atyre çdo detaj, si do të ishte i veshur, kohën dhe vendin ku do të ndodhej. Dhe ata e arrestuan. Ajo ngjarje ishte një nga komplotet tona më të mëdha”.
Ish-zyrtari i shërbimit inteligjent të Afrikës së Jugut tashmë në pension Gerard Ludi, pretendon se informacioni iu dha nga Millard Shirli, një oficer i CIA-s me një karrierë të gjatë në Afrikë, “sepse ishte në interesin e Amerikës që të eleminonte zotin Mandela nga skena publike”. Më vonë, Shirli ndihmoi në përçarjen e lëvizjes anti-aparteid në fund të viteve ’80, edhe pse nuk është e qartë nëse në atë kohe ai punonte apo jo zyrtarisht për CIA-n.
Edhe pse thashethemet kanë qenë këmbëngulëse, aktualisht nuk ka asnjë provë bindëse se ishte CIA ajo që dha informacion mbi Mandelën. Në mënyrë tipike, Mandela preferoi ta lërë këtë çështje në harresë, ndërsa më vonë tha: “le të harrojmë atë moment, edhe nëse është e vërtetë apo jo”. Një mënyrë apo një tjetër, misteri shpresohet të zgjidhet së shpejti, pasi aktivisti Rajan Shapiro ka paditur CIA-n në kuadër të Aktit mbi Lirinë e Informacionit, duke kërkuar publikimin e të dhënave të tyre mbi Mandelën.
4- Vdekjet në gjirin Chesapeake
Një agjent i CIA-s që nga viti 1953, Xhon A. Peizli mbajti disa pozicione me rëndësi në agjensi gjatë viteve ‘70. Ndër të tjera, ai ishte ndërlidhës i CIA-s, për Njësinë e Hetimeve Speciale në Shtëpinë e Bardhë, e cila u ngrit për të hetuar skandalin e rrjedhjes së informacionit nga Pentagoni mbi luftën në Vietnam, dhe gradualisht u shndërrua në një lojtar kyç në skandalin e Uotergejtit.
Si një liberal i afërt me Drejtorin Uilliam Kolbin, Peizli u vu në dyshim nga drejtuesit e linjës së ashpër, që besonin se sovjetikët e kishin spiunin e tyre në CIA. Provat nuk ishin aq bindëse, ndërsa oficeri i CIA-s Dejvid Sallivan shpjegoi:“Unë nuk e kam pëlqyer kurrë atë. Tek ai kishte diçka që nuk shkonte. Ai ngjante me një plak babaxhan që mbante mjekër dhe dukej si një homoseksual. Unë jam i bindur se ai ishte spiun”.
Në shtator të vitit 1978, barka e Pezlit u gjet e përmbysur në gjirin Chesapeake.
Trupi i tij u nxorr nga uji në një distancë të shkurtër larg barkës. Ai ishte qëlluar mbi veshin e majtë. Vdekja u klasifikua si vetëvrasje, ndonëse disa pyetën me të drejtë pse Peizli do të qëllonte anën e majtë të kokës me dorën e djathtë. Në barkë nuk u gjet asnjë gjurmë gjaku, dhe as arma me të cilën ishte qëlluar.
Në mënyrë të çuditshme, gruaja e Peizlit kishte rezerva nëse trupi ishte me të vërtetë i bashkëshortit të saj, duke nxitur më tej spekullimet e përhapura, se ai qe vërtet një agjent sovjetik dhe që ishte arratisur duke hipur në një nëndetëse ruse.
Ngjarja thuajse u harrua, kur pas 18 vjetësh, mentori i vjetër i Peizlit, drejtori i CIA-s Uilliam Kolbi, u zhduk ndërsa vetëm lundronte vetëm mbi një barkë në gjirin Chesapeake. Trupi i tij ishte zhdukur prej disa ditësh, para se një polic ta gjente duke pluskuar pranë bregut. U vendos se vdekja ishte shkaktuar nga një kombinim i mbytjes dhe hipotermisë së shkaktuara nga ekspozimi ndaj të ftohtit.
Duke qenë se Kolbi ishte një marinar me përvojë, zhdukja e tij shkaktoi një ringjallje e teorive konspirative mbi Peizlin dhe thashethemet e largimit të tij me një nëndetëse ruse. Nga ana e tij, Kolbi ishte gjithmonë kundër thashethemeve. Në vitin 1978, ai i tha një gazetari “meseleja e fundit për mua është se unë jam spiuni. Ju e dini, në anën e rusëve. . .
3- Ku ndodhet Majk Hend?
Si një beretë gjelbër, Majk Hend fitoi medaljen “Purple Heart”, ndërsa shërbeu për një kohë të gjatë në Vietnam, përfshirë edhe pjesëmarrjen tek programin e CIA-s “Feniks”, që kryente vrasje të caktuara. (CIA e mohon me forcë se ato ishin “vrasje”). Ai gjithashtu është marrë gjatë me trajnimin e mercenarëve në popullatën Meo, që ishin edhe kultivues në shkallë të gjerë të opiumit.
Pas luftës, Hend u zhvendos në Australi ku iu bashkua me biznesmenit vendas Frenk Nugan, për të themeluar Bankën “Nugan Hand”. Pavarësisht se e nisi me një kapital fillestar prej vetëm 1000 dollarësh, “Nugan Hand” u shndërrua shpejt në një nga bankat më të mëdha në Australi, me më shumë se 1 miliardë dollarë të investuara çdo vit. Banka ishte e njohur për lidhjet e saj të ngushta me komunitetin e ushtarakëve dhe të inteligjencës amerikane.
Admirali në pension Erl Jeits shërbeu si president, ndërsa të paktën 3 ish-gjeneralë mbanin poste të larta. Ish-drejtori i CIA-s, Uilliam Kolby shërbeu si këshilltar ligjor, ndërsa kreu i degës së bankës në Tajlandë, kishte qenë dikur shefi i zyrës së CIA-s në atë vend. Por në realitet, “Nugan Hand” ishte një ndërmarrje gjigande kriminale, e ngritur për të pastruar paratë që vinin nga tregtia e heroinës aziatike.
Banka e shtriu aktivitetin në rajone të tjera, me shitje armësh për rebelët në Afrikë dhe Irani, duke zhvendosur paratë e vjedhura për diktatorin fillipinas Ferdinand Markos, por pjesa më e madhe e operacioneve të saj përfshinte trafikun e drogës. Në mënyrë të habitshme, banka nuk pati kurrë probleme me autoritetet amerikane, edhe pse aktivitetet e saj duhet të kenë qenë të qarta.
Dega e lartpërmendur e Tajlandës, kishte një zyrë në Chiang Mai, në zemër të “Trekëndëshit të Artë” të tregtisë së heroinës, dhe ndante të njëjtën ndërtesë me zyrat lokale të DEA(agjensisë amerikane kundër trafikut të drogës). DEA nuk hetoi kurrë mbi “Nugan Hand”. Së bashku me numrin e madh të personelit ushtarak që punonte për të, mungesa e interesit amerikan ndaj bankës, ka çuar në spekulime të arsyeshme dhe të mirë-arsyetuara se “Nugan Hand” ishte një bazë e CIA-s.
Zyrtarisht agjensia e mohon këtë, por sikurse një zyrtar australian i ka thënë shkrimtarit Xhonatan Kuitni:”Ajo që mbetet të thuhet është se të gjitha ata patriotë që i shërbyen vendit e tyre me besnikëri për vite me rradhë, papritmas thanë:”Le të bëhemi të gjithë kriminelë. Të harrojmë shërbimin gjatë luftës, heroizmin tonë, dhe kryejmë krime kundër vendit për të cilin kemi punuar aq shumë”.
Gjiçka filloi të marrë tatapjetën kur Feank Nugan mesa duket qëlloi veten me një pushkë, ndërsa ndodhej në makinën e tij. Pasi mbërriti në vendngjarje, policia gjeti një listë me emrat e politikanëve australianë, me shuma të mëdha parash të renditura pranë çdo emri. Ndërkohë, admirali Jeist u largua me shpejtësi nga Australia, pasi një “ekip të ish-operativësh ushtarakë amerikanë”, u panë “të bastisnin” shtëpinë dhe zyrën e Nuganit.
Hend urdhëroi punonjësit e tij që të kopjonin çdo dosje kompromentuese, duke kërcënuar të gjithë ata që protestuan se “gjëra të tmerrshme do t’u ndodhin; gratë tuaja do të vriten dhe do t’ju kthehen pas në copa”.
Banka falimentoi pak më vonë, duke bërë që shumë depozitues të humbisnin kursimet e tyre të jetës. Erl Jeits dhe oficerët e tjerë amerikanë të bankës, nuk pranuan të kthehen në Australi për të dëshmuar.
Çfarë u bë me Majkëll Hendin? Herët e fundit ai u pa të hipte në një avion që udhëtonte për në ishujt Fixhi, i maskuar me një mjekër të rreme dhe duke përdorur një pasaportë false. Ishte viti 1980. Në 1991, një gazetë australiane njoftoi se ai jetonte në Uashington, por qeveria australiane nuk pranoi të ndërmarrë veprime të mëtejshme. Ai nuk është parë më prej asaj kohe.
2- A ndihmoi CIA në rrëzimin e qeverisë australiane?
Në vitin 1975, Australia ishte zhytur në krizë, me senatorët e opozitës liberale që refuzuan të miratojnë buxhetin e kryeministrit laburist Gaug Uitlam, çka efektivisht do të kishte rrëzuar qeverinë. Në kundërpërgjigje, Guvernatori i Përgjithshëm i Australisë Xhon Kerr, e shkarkoi Uitlam nga detyra dhe emëroi një kryeministër liberal, që fitoi zgjedhjet që pasuan.
Guvernatori i Përgjithshëm, është përfaqësuesi i Mbretëreshës në Australi, dhe zakonisht nuk ndërhyn në politikë. Prandaj, vendimi i Kerr për të hequr një kryeministër dhe vendosur një tjetër shkaktoi polemika të mëdha, deri në pikën që ai përfundimisht u detyrua të braktisë vendin. Që nga shkarkimi i Uitlam, u ngritën pikëpyetje mbi rolin e CIA-s në rrëzimin e qeverisë së tij.
Uitlam kishte tërhequr trupat australiane nga Vietnami, dhe dënoi fushatat e bombardimeve amerikane atje. I tronditur ku mësoi se shërbimi inteligjent australian, kishte ndihmuar rrëzimin e qeverinë së majtë të Salvador Alendes në Kili, Uitlam refuzoi të lejojë personelin e tij të “verifikohej apo ngacmohej” nga Sigurimi Australian dhe Organizata e Inteligjencës (ASIO).
Në vitin 1974, ai këshilloi ASIO-n të ndërpriste të gjitha lidhjet me CIA-n, një urdhër që ASIO e injoroi fshehurazi. Po atë vit, Uitlam tha se ishte kundër instalimeve ushtarake të huaja në Australi, duke përfshirë edhe bazën e madhe të CIA-s në Pine Gap. Sipas agjentit të CIA-s Viktor Marketi, “kërcënimi për të mbyllur ‘Pine Gap’ shkaktoi një tronditje të madhe në Shtëpinë e Bardhë”.
Kabllogramët e CIA-s e cilësonin kryeministrin australian një “kërcënim për sigurinë”. Një nga ministrat e Uitlam pohoi se shërbimi sekret britanik MI6, përgjonte mbledhjet e qeverisë, ndërsa zv.kryeministri u detyrua të japë dorëheqjen, pas një skandali që pjesërisht mund të ishte fabrikuar nga inteligjenca amerikane.
Ndërkohë, Xhon Kerr ishte i njohur si anëtar i Shoqatës Australiane për Lirinë kulturore, të cilën një hetim i mëvonshëm nga kongresi e zbuloi se ishte pjesë e enturazhit të CIA-s. Kontraktori i CIA-s Kristofer Bojs, që u bë spiun i sovjetikëve në mes të viteve ‘70, tha se u kthye kundër CIA-s, pasi lexoi kabllogramat që tregonin se agjensia ishte duke vepruar kundër qeverisë australiane.
Sipas Bojs, kabllot i referoheshin Guvernatorit të Përgjithshëm si “njeriu ynë Kerr”. Është sigurisht e pamundur që vetëm CIA të ishte përgjegjëse rrëzimin e Uitlamit, por mbeten sërish disa pikëpyetje serioze nëse agjensia bëri propagandë kundër udhëheqësit të zgjedhur, në favor të një aleati amerikan.
Pavarësisht nga kjo, rastet “Uitlam” dhe “Nugan Hand” dëmtuan rëndë reputacionin e agjensisë në Australi, deri në pikën që u detyrua të lëshonte një deklaratë publike:”CIA nuk është angazhuar në operacione kundër qeverisë australiane, nuk ka lidhje me ‘Nugan Hand’, dhe nuk është e angazhuar në trafikun e drogës.
1- Çfarë fshihet pas zhdukjes së një pjese nga dosja “Bizhutë familjare”?
Në vitin 1973, drejtori i CIA-s Xhejms Shlezinger urdhëroi zëvendësin e tij Uilliam Kolbin, të hartonte një raport të detajuar mbi çfarëdolloj aktiviteti të CIA-s që prej viti 1959, i cili mund të kishte shkelur ligjin apo statutin e agjensisë. Kolbi përgatiti një material voluminoz prej rreth 700 faqesh, që u njoh ndryshe si dosja e “Bizhuve familjare”.
Shembuj e përmendur në atë dosje përfshinin burgosjen 3-vjeçare të Juri Nosenkos, operacionet e përgjimeve të kryera në SHBA nga agjentët e CIA-s, dhe përpjekjet e famshme për të vrarë Fidel Kastron dhe udhëheqësit e të tjerë të huaj. Shumë prej këtyre sekreteve, rrodhën gjatë viteve ose u ekspozuan nga hetimet e kongresit, si psh. Komiteti i Kishës.
Por dokumenti i plotë u publikua vetëm në vitin 2007, duke ofruar edhe një pasqyrë interesante të operacioneve më skandaloze të CIA-s. Gjithësesi, thuajse të gjitha. Pasi edhe vitin 2007, dosja ishte redaktuar. Një memo nga Houard Osborn, drejtor i sigurisë në CIA-s, rendit ngjarjet që përfshinin departamentin e tij.
Një nga ngjarjet që spikat, është fakti se CIA rekrutoi Mafia-n për të ndihmuar në vrasjen e Fidel Kastros. Por pika e parë në atë listë është lënë jashtë. Më pas në një seksion tjetër, përshkruhet operacioni i redaktuar në më shumë detaje. Pra, çfarë fshihet në pjesën që mungon? Mbetet e paqartë, por duket të jetë diçka shumë e mirë. Sikurse ka rrëfyer drejtor i Arkivit të Sigurisë Kombëtare, Tomas Blenton: ”Bizhuja nr.1 e Zyrës së Sigurisë në CIA-s është ndoshta diçka shumë e mirë, veçanërisht qëkur xhevahiri i dytë në këtë listë është programi i vrasjes Roseli/Castro.
Listverse/Bota.al/d.i.