Vdekja tragjike e 3 vjeçarit sirian Aylan Kurdi pushtoi mediat botërore duke u kthyer në simbolin e krizës së refugjatëve. Por ndërkohë revista satirike franceze “Charlie Hebdo” i dha hapësirë kësaj ngjarjeje, por duke u tallur me vdekjen e të miturit.
Tetë muaj pas sulmeve terroriste në qendrën e saj në Paris, revista satirike franceze, përmes dy karikaturave, ka ironizuar vdekjen e 3 vjeçarit në brigjet e bregdetit turk.
E titulluar: “Për pak nuk ja doli…” vizatimi i parë i dedikohet Aylanit i shtrirë me fytyrë në rërë, afër një tabloje reklame në të cilën shkruhet: “Merr dy menu fëmijësh, paguaj një”.
E dyta është e titulluar: “Argumenti se Evropa është e krishterë”. Ajo tregon përmbytjen e fëmijës në ujë. Në anën e majtë, një njeri, që supozohet të jetë Jezuzi, qëndron pezull mbi ujë duke thënë: “Të krishterët ecin mbi ujë…Fëmijët myslimanë përmbyten”.
“Charlie Hebdo” u kritikua fuqishëm në mediat sociale për karikaturat ofenduese, ku shumë përdorues të Twiterit e niveluan këtë veprim si “nënçmues”.
Redaksia e Charlie Hebdo u bë pre e një sulmi terrorist në 7 janar të këtij viti, nga një grup ekstremistësh, të cilët hynë me forcë në godinë dhe hapën zjarr, duke vrarë 12 persona, mes tyre edhe 5 karikaturistë, një ekonomistë dhe dy redaktorët. Ngjarja ndodhi pas publikimit të karikaturave të Profetit Muhamed, që shkaktuan zemërim në mbarë botën islame.











