Nga Ylli Pata
Edhe pse Edi Rama i bëri tani lëvizjet e tij për të thirrur intelektualë të njohur nga shoqëria si pjesë e skuadrës së tij, ato realisht ishin përgatitur prej kohësh.
Megjithatë, politika rivale e PS-së, pra PD e LSI, duket se është gjetur gafil nga ardhja e Najada Çomos dje dhe e Luljeta Bozos sot.
Ky është demonstrim i qartë i lëvizjes ose spontane, ose me një strategji të ngurtë të Bashës e Kryemadhit, që është vënë re disa herë në zhvillimet politike në vend.
Kjo panoramë apo ky duel politik i sjelljeve të palëve në këtë fushatë, natyrisht ja vlen të komentohen për të parë orientimet dhe mesazhet çfarë ato tentojnë të përçojnë.
Megjithatë, në rendin e parë, diskutimi që vjen natyrshëm është reflektimi që vjen prej reagimit të atyre që quhen panelistë apo analistë, që duelojnë çdo natë në emisionet e darkës në prime time.
Pasi realisht ky përbën një fenomen të gjatë e tashmë të njohur në vend prej kohësh.
Panelistët, si përfaqësues publikë të një opinioni të përpunuar qytetarë, kanë si detyrë(natyrisht jo shtetërore, por nga publiku) që të përcjellin mesazhet më të moderuara, të balancuara, e padyshim profesionale të komentimit dhe analizës së zhvillimeve politike.
Duke e shoqëruar me një logjikë, media e ka si primare, që të përkrahin apo promovojnë idetë, mendimet, ekspertizën e lirë dhe jo orientimin nga lart.
Por, bën shumë çudi se pikërisht nga panelistët kanë ardhur sulmet më të rënda ndaj intelektualëve që angazhohen apo diskutojnë në publik.
Rasti i Halim Kosovës ishte i pari. Mjeku i njohur, pati kritika të forta ndaj lidershipit të PD-së dhe disa figurave të opozitës.
Këto kritika, keq apo mirë, janë një këndvështrim personal i mjekut të njohur.
I shtyrë nga parimi apo interesi, ajo është shprehje klasike e lirisë që një individ qoftë publik, ka që të flasë e përcjellë ato që mendon e percepton.
Reagimi i militantëve që e lidhin kohën e kritikave të Dr.Kosovës me fushatën e që i bën dëm PD-së, është një logjikë e pritshme, por nuk ka sesi që njerëzit që kanë mundësinë të moderojnë opinionin publik të bien në nivelin e militantëve.
A nuk kërkojnë prej kohësh këta panelistë mendimin e lirë dhe qëndrimin e pavarur intelektual të individëve?
Madje duke akuzuar qeverinë se kërkon të njësojë këtë mendim apo kontrollojë opinionin publik.
Po përse ata, të paktën nuk e konsideruan qëndrimin e Dr.Kosovës, si një mendim i tij, e së paku të analizonin pse erdhi tek ky qëndrim, por jo ta anatemonin?
E të vijmë tek reagimi ndaj mjekes Najada Çomo, e cila tashmë është pjesë e listës së kandidatëve për deputetë të PS-së.
Sulme të egra; pikërisht përse ka pranuar të kandidojë përkrah Edi Ramës.
Po, a nuk kanë kërkuar prej vitesh këta panelistë që PS-ja apo edhe parti të tjera të hapen ndaj shoqërisë, të largojnë njerëzit militant që vetëm lavdrojnë, e të sjellin njerëz që janë dikush në profesionin e tyre? Po atëherë?!
Komenti më normal është përshëndjetja e një lëvizje të politikës për të hyrë në shoqëri, e kjo nuk është se i bën fresk Edi Ramës.
Sali Berisha, në zgjedhjet e vitit 1996, për të arritur një konsensus me një pjesë të shoqërisë dërgoi në Kuvend Ndriçim Xhepën, Xhevdet Ferrin, Visar Zhitin, Emin Rizën etj.
Një zhvillim shumë pozitiv që ndikoi shumë në kohën kur politika u çmend dhe u përplas me njerëzit.
Pikërisht kjo elitë intelektuale në Kuvend tregoi se nuk bëhet kamikaze e çmendurisë së pushtetit.
Ndaj, edhe në situate jo normale, afrimi i intelektualëve nuk ka përse sulmohet, nuk ka përse anatemohet. Është absurde dhe e padobishme.
Njerëzit e ditur, thjesht shtojnë vlera në politikë, nuk ulin-asnjëherë!
Tani tek vijmë tek qasja politike e këtyre zhvillimeve. E që në fakt duhet të ishte busulla e panelistëve në studio, të cilët përkthejnë lëvizjet, zhvillimet, sinjalet, e për t’i dhënë publikut një panoramë më të qartë të asaj që ndodh.
Opozita politike; pra PD dhe LSI, që kanë përballë betejën e rifitimit të konsensusit popullor, do të duhej të ishin pionerët e thithjes së zërave, grupeve apo sinjaleve që vijnë nga shtresa të shoqërisë, sidomos nga ajo që quhet “zona gri” e elektoratit shqiptar.
PD-ja zgjodhi qartë; militancën, sigurinë brenda “kazermës” në mes pasigurisë që i vjen nga qasja prej jashtë.
Lulzim Basha premtoi që do të sjellë pjesë të shoqërisë në listat e opozitës, botës akademike, asaj rinore dhe përtej. E në fund?
Largoi edhe ato elemente që PD-ja i kishte marrë nga kjo botë siç janë emra shumë të rëndësishëm si bie fjala Halim Kosova apo Romeo Gurakuqi. Të cilët, mirë i largoi, por i linçoi publikisht, vetëm e vetëm se këta të fundit patën kurajon të mos e pranonin këtë qasje.
Po pse, është sjellje fituesi kjo, apo një politikë gjithëpërfshirëse? Padyshim që jo!
Madje është më keq se kaq, është një sjellje e pastër, shumë e pastër kazerme; o me mua, ndryshe je kundra meje.
Edhe kur Profesor Gurakuqi e Dr Kosova deklamuan qartasi se do të punojnë për fitoren e PD-së dhe opozitës. “Nuk e duam këtë angazhim”, bërtitën panelistët dhe zyrtarët militantë.
E pra politikisht kjo strategji e opozitës është thjesht e qartë, pasi shihet hapur, një logjikë që tenton të marrë vetëm votat e atyre që e urrejnë Edi Ramën.
Votat e atyre që nuk kanë votuar kurrë për PS-në, maksimumi janë joshur nga parti të vogla duke nisur nga LSI-ja që më shumë vitet e fundit ka tërhequr nga vatrat elektorale të militancës së PD-së dhe më gjerë.
Është folur shumë herë modeli i PD-së së vitit 2005, kur Berisha u hap jo vetëm ndaj diasporës demokrate, të larguar apo dëbuar, por edhe ndaj shoqërisë që nuk kishte qenë tradicionalisht votuese e PD-së. E kjo solli fitoren relative, jo absolute të vitit 2005.
Këto ditë po flitet shumë për elektoratin e pavendosur dhe atë gri, e në këtë logjikë, është opozita që nuk i është përgjigjur kësaj “fete” zgjedhësish por e do të gjithën vota “anti” e jo “për”.
Një logjikë e ftohtë nxjerr përfundimin e thjeshtë se opozita nuk guxoi të hapej sepse nuk ka besim, nuk ka sinjal dhe nuk ka shpresë për të fituar.
E ky sinjal është më i qarti, pasi mund të ketë edhe shumë të tjerë që kanë bazë në konfigurimin e komplikuar të një opozite, ku realisht nuk ka një udhëheqës, por një de jure e dy de fakte që nuk është Basha, por Sali Berisha dhe Ilir Meta.
E këta dy të fundit, nuk arrijnë të marrin vota nga elektorati gri. Ky është tashmë një fakt thuajse matematik.