Nga Adrian Thano
“Nuk marrim këshilla nga ata që furnizuan me naftë Milloshevicin”. Hashim Thaçi më në fund e tha hapur atë që në Shqipëri e dinë të gjithë prej vitesh. Deklarata e pazakontë për mjedisin kosovar duket e ka bërë nervoz Berishën dhe në intervistën e transmetuar mbrëmë nga Tv Dukagjini, kjo dukej qartë.
Shqipëria ishte pjesë e kontrabandës së naftës me Malin e Zi dhe Serbinë, në një moment që ky territor ndodhej nën embargon e Kombeve të Bashkuara. E thënë ndryshe, në momentin kur ajo çka kishte mbetur nga Jugosllavia e Titos, kishte nisur të shpërbëhej duke lënë pas konflikte të përgjakshme etnike.
Për shumë motive ende të vlefshme, kjo histori e errët që implikon hapur shtetin shqiptar të kohës, ka një peshë jo të vogël në zhvillimet shqiptare, brenda dhe jashtë Ballkanit.
Ndonëse në të shkuarën ka dhënë versione të tjera për thyerjen e embargos, në një përdredhje të re tipike, ish-presidenti i fillim viteve ’90 mohoi të kishte folur me Bullatoviçin për thyerjen e embargos së naftës ndaj ish-Jugosllavisë.
Më poshtë pjesa e bisedës mes tij dhe gazetarit E.Panduri:
Gazetari: Keni pasur një takim me Bullatoviqin në vitin 1993 në shtator të vitit 1993..
Sali Berisha: Po
Gazetari: Dhe ka kërkuar lehtësira për…
Sali Berisha: Jo, nuk ka kërkuar, jo ata nuk kanë kërkuar absolutisht domethënë ata erdhën të trembur, të thëm të vertëtën tashti, erdhën më shumë për një fqinjësi të mirë por, tashi mos te hy ne atë s se i kam prit si zot shpie, por ata, jo ata nuk kërkuan naftë.
Gazetari: Nuk kërkuan naftë?
Sali Berisha: Jo nuk kërkuan naftë… absolutisht, asnjëherë, është Milo gjallë tani, se sdi ku është Bullatoviqi, nuk kanë kërkuar, kanë ardhur me Milon, kanë qenë te dy bashkë, por s’kanë kërkuar naftë.. dhe nuk kanë kërkuar. kemi kapur një tanker që e fusnin në liqenin e Shkodrës, ia kemi shkatërruar kontrabadistëve dhe kjo është e gjithë legjenda. Ato janë në OKB, në qoftë se Shqipëria shkelte embargon, në mënyrë të vullnetshme, Shqipëria vendosej nën sanksione, por Shqipëria ka luftuar me eficëncë kundër kontrabandës dhe respektimin e embargos, kontrabandën zero nuk e ka asnjë vend i botës.
Në kujtimet e Bullatoviç shkruhet ndryshe…
“Jo nuk kërkuan naftë, absolutisht asnjëherë” (?!) – thotë Berisha. Bullatoviç thotë krejt të kundërtën. Në librin me kujtime “Rregullat e heshtjes” (Pravila Cutanja, orgj) pjesë nga i cili janë botuar në DITA, Momir Bullatovic shkruan ndër të tjera:
“….. Unë kisha nevojë për naftën, dhe jo vetëm për kujtime të bukura të përbashkëta. Zyrtarisht kjo ishte formuluar në mënyrën si vijon: I parashtrova që të hiqet “perdja e hekurt”, e cila gjatë gjithë kohës mbulon tërë kufirin tonë. Duhej të zhvillohet bashkëpunimi ndërkufitar dhe t’i jepej mundësia njerëzve, që të takohen dhe të vizitojnë njëri – tjetrin.
I kujtova që ka farefise të afërta, që nuk ishin parë për mbi gjysëm shekulli. Që të shkonte çdo gjë më thjeshtë, ishte e nevojshme që si njëra anë, ashtu dhe ana tjetër – të mbyllnin sytë gjatë zbatimit të rreptë të rregullave dhe që në tregtinë ndërkufitare të përfshihen edhe ato gjëra, që zakonisht nuk janë të përfshira. Atëhere përmenda dhe naftën, d.m.th. derivatet aq të nevojshme për ne.
“Zoti President, a kërkoni Ju që Shqipëria të shkeli sanksionet e Kombeve të Bashkuara ndaj vendit tuaj?” më pyeti ai. Duke qenë se bisedat regjistrohen (dhe sigurisht dhe janë përgjuar), kjo nënkuptohet, sepse hynte në korrektësinë diplomatike bazë.
“Zoti na ruajtë,- u përgjigja i gatshëm. Vetëm propozoj që t’i respektoni në mënyrë të ngjashme, siç vepron p.sh. ish Republika Jugosllave e Maqedonisë. Nëqoftëse do të pranohet kjo që kërkoj unë, çdo qytetar i pjesës veriore të Shqipërisë mund të siguronte një fitim të mirë. Nuk është e vështirë që ta llogarisësh atë, nëqoftëse nisesh nga supozimi që është minimumi një pfening për litër”.
E përsëris, këtë do ta bënin qytetarët dhe jo shteti, kështu që sanksionet formalisht do të respektoheshin…. Nuk ishte nevoja të vazhdoja. Ishte më mirë që disa argumenta të mos përmendeshin. Gjendja e atëhershme ekonomike në Shqipëri, nga pikëpamja jonë, ishte krejtësisht… shqiptare. Pjesa qendrore e shtetit, (mbështetja e pushtetit të presidentit Berisha), jetonte në sajë të ndihmës humanitare dhe donacioneve të varfëra.
Pjesa jugore u mbështet tek Greqia, ku shumë persona punonin në mënyrë legale ose në të zezë. Rajoni verior shkodran, nuk kishte perspektivën tjetër, përveç, në bazë të propozimit tim, t’i kushtohej tregtisë së naftës me Liqenin e Shkodrës. Sidoqoftë, unë e dija që ai e di që unë këtë e di. Dhe, kjo ishte gjithçka! Thellë në vete isha i sigurt, që ai do ta pranonte ofertën….”
Bullatoviç është shumë më serioz dhe i besueshëm në këtë pikë. Në fakt në 30 nëntor 2006 “i sinqerti” Berisha bëri deklaratën e mëposhtme:
“Nëse i riktheheni viteve ’92-’96 do të gjeni në mënyrë të përsëritur deklaratat e mia ku unë nuk jam dakort me embargon e vendosur… Këtë e kam shprehur publikisht dhe nuk e kam fshehur.
Unë nuk isha dakort, sepse Serbia furnizohej anije pas anijeje nga Danubi dhe, ndërsa këto vende i linte në acar, në Beograd nuk mungonte asgjë. Kjo ishte e vërteta e qendrimit tim. Këtë qendrim unë e kam shprehur publikisht dhe për një qendrim, që unë e kam shprehur publikisht në atë kohë, unë kam qenë i sinqertë.
Nuk ka ekzistuar asnjë marrëveshje, por një qendrim i qartë i imi për këtë. Jam përpjekur të ndihmoj këto dy vende, por sa kanë përfituar ato nuk ishte puna ime, sepse nuk e kontrolloja unë territorin e tyre”.
Disa elementë në hije
Pa e zgjatur, e vërteta e madhe e trafikut të karburanteve me Jugosllavinë në mesin e viteve ’90, ka për arkitektë të saj kryesorë Bullatoviç dhe Berishën. Por sa herë është prekur kjo temë, disa elemente megjithatë janë lënë disi në hije.
Fjala është për sfondin që ka shoqëruar, para dhe pas, vizitën e papritur-surprizë të presidentit malazez në Tiranë, e para në 44 vjet marrëdhënie problematike mes vendit tonë dhe Jugosllavisë.
Ardhja në Tiranë e numrit dy të federatës mëngjesin e 15 shtatorit 1993, pa asnjë lajmërim e përgatitje paraprake, mban e gjitha erë. Ndoshta pikërisht era naftë më shumë se gjithçka tjetër.
Nëse do të analizohej shkurtimisht sfondi i marrëdhënieve mes dy vendeve në fillimin e viteve ’90, do të shihet se heqja e autonomisë për Kosovën dhe forcimi i dorës së hekurt të Beogradit ndaj shqiptarëve në Jugosllavi i kishin përkeqësuar dukshëm marrëdhëniet ndërshtetërore në këtë periudhë.
Tingëllon së paku e çuditshme dhe e pabazuar në realitetin në fjalë ardhja e një zyrtari kaq të lartë të Millosheviçit në Tiranë, ndërkohë që ky i fundit i kishte deklaruar prej kohësh serbëve në Fushë Kosovë që “të mos kenë më frikë”. Një deklaratë lufte, që shënoi preludin e tragjedisë kosovare.
Sot ne e dimë se mekanizmi i bllokuar për rreth gjysmë shekulli u “vajis” dhe u vu në lëvizje nga nafta që rrodhi lumë drejt tokës jugosllave. Bullatoviç shkeli në Tiranë, sepse donte naftë.
Që Shqipëria të gjente partnerë në trafiqe të paligjshme tek ata që po përgatiteshin t’i vinin zjarrin Ballkanit, kjo është një lojë e dyshimtë, e rrezikshme e pse jo dhe e pandershme.
Kontrabanda “patriotike” e Shqipërisë drejt territorit jugosllav që pretendon zoti Berisha, “për të ndihmuar kosovarët”, është një histori e stisur keq.
Ardhja e Bullatoviç në Tiranë dhe ajo çka pasoi këtë vizitë (tashmë e pranuar zyrtarisht), zbulojnë qoftë edhe pjesërisht një dinamikë të panjohur të marrëdhënieve të Berishës me Jugosllavinë e Millosheviçit.
Megjithatë, shumëçka mbi lidhjet e hershme të përfolura Berisha-Beograd mbetet ende në hije.