Kriza më e madhe në historinë e tyre
Nga Adrian Civici
Muaji maj 2022 po rezulton si një Apokalips i vërtetë për sektorin e kriptomonedhave. Ato po përballen me krizën më të madhe të tyre që nga koha e krijimit 12 vite më parë. Tregjet e kriptomonedhave janë në panik dhe mosbesim të plotë, investitorët po përpiqen ti zbazin sa më shpejt portofolet e tyre. Vlerësimet se “koha e kriptomonedhave po afron drejt fundit” janë shtuar së tepërmi. Të shohësh bitcoin dhe monedha të tjera virtuale të fundosen, është një ngjarje e pazakontë, megjithëse sektori është mësuar me ciklet e paqëndrueshmërive serioze të tyre.
Ekspertë, drejtues të institucioneve të rëndësishme financiare e monetare, personazhe VIP në botën e financave dhe tregjeve financiare e bursave po shprehen skeptikë për të ardhmen e kriptomonedhave, ndërkohë që mjaft mbrojtës e partizanë të tyre po e konsiderojnë këtë si një situatë të përkohëshme, si një “goditje nën brez”që i është bërë kriptomonedhave, si tentativa të forta spekulative. Cfarë po ndodh në fakt? Si dhe pse u arrit deri në këtë pikë kritike për vetë egzistencën e tyre?
Më i prekur rezulton Bitcoin, kriptomonedha e parë dhe simboli i kriptomonedhave. Mbas një rekordi historik prej 67000 usd/bitcoin të tetorit të vitit 2021, aktualisht bitcoin ka zbritur në 27000 usd/bitcoin. Një humbje të vlerës prej 70%! Sipas të dhënave nga faqja Coingecko që administron të dhënat e mbi 13000 kriptomonedhave, nga një vlerë totale prej 3000 miliard usd që përfaqësonin kriptomonedhat, aktualisht vlera totale e tyre është vetëm 1500 miliard usd. Ky mund të konsiderohet si një efekt apokaliptik i ngjashëm me falimentimin e bankës Lehman Brothers që tronditi rëndë gjithë sistemin financiar botëror, duke i hapur rrugën krizës financiare globale të vitit 2008.
Rënia drastike e bitcoin po merr me vete dhe shumë kriptomonedha të tjera, vecanërisht Ethereum që ra me rreth 25% të vlerës së tij vetëm brenda një jave në fillim të muajit maj 2022. Në një krizë të rëndë kanë rënë dhe NFT (Non-fungible Token). Dëshmi e qartë për këtë është situata dramatike e koleksionit më të njohur në këtë sektor, Bored Ape Yacht Club, i cili përfshin mbi 10000 figura unike. Sipas platformës OpenSea, ajo humbi brenda pak ditëve 35% të vlerës së saj. Cmimi mesatar i një figure zbriti në 260000 usd nga 430000 usd që ishte pak ditë më parë. E njëjta situatë dhe për CryptoPunks, që kanë njohur një humbe prej 65% të vlerës së tyre.
Por, lajmet mjaft shqetësuese, vijnë dhe nga ato që cilësohen si “kriptomonedha të gjeneratës së dytë dhe të tretë” të quajtura stablecoin (kriptomonedha stabël) si Thether, Terra/Luna, Terra/Usd, Cardano, Solana, etj. “Luna” që bën pjesë në top listën e 10 kriptomonedhave në qarkullim, u shemb brenda dy javësh duke u cilësuar “pothujase e vdekur”. I gjithë sistemi blockchain “Terra UST” u bllokua apo gati pushoi së funksionuari. U bë e pamundur që të bliheshin apo të shiteshin xhetonat e kësaj kriptomonedhe.
Përse shqetësimi për stablecoin është kaq i madh dhe kaq preokupues? Për ti dhënë përgjigje kësaj pyetje, është e nevojshme të qartësohet dhe kuptohet se cfarë përfaqësojnë në vetvehte stablecoin-s. Ndryshe nga bitcoin, stablecoin është një monedhë dixhitale, vlera e së cilës është e indeksuar me një monedhë tjetër si p.sh. dollari ose euro.
Në fund të vitit 2021, vlera e Stablecoins në qarkullim arriti në 157 miliardë usd krahasuar me 5.6 miliardë usd në fillim të 2020. Institucione të rëndësishme monetare e financiare si Fed, BQE, FMN, Bordi i Stabilitetit Financiar, etj., ngritën këmbanat e alarmit në lidhje me ekspansionin e Stablecoin, duke e konsideruar si “rrezik të madh potencial për stabilitetin financiar global”.
Por cila është arsyeja e këtij shqetësimi? Aq më tepër që bëhet fjalë për një kriptomonedhë të qëndrueshme, qëllimi i krijimit të së cilës ishte pikërisht “frenimi i paqëndrueshmërisë së bitcoin dhe krijimi i stabilitetit në universin e kriptomonedhave”. Stabilcoins janë, kriptomonedha, çmimet e të cilave nuk ndryshojnë sepse ato janë të indeksuara në një monedhë referimi siç është dollari. Për shembull, një tether – stablecoin më i famshëm dhe më i përdorur – do të vlejë gjithmonë një dollar.
Është e qartë se në botën bitcoin dhe kriptomonedhave të tjera, për të shmangur devijimet apo luhatjet konstante të çmimit, investitorët, fillimisht i shkëmbejnë ato kryesisht në tether (ose në USD Coin, Binance USD, TerraUSD, TrueUSD, etj.) duke i lejuar ata të dinë saktësisht vlerën e dollarit të portofolit të tyre. Disa platforma madje kërkojnë që ju të kaloni nëpër një Stablecoin për të ndryshuar kriptovalutat në dollarë ose monedha të tjera tradicionale.
Për të garantuar barazinë, krijuesit e kriptomonedhave “të qëndrueshme” duhet të mbajnë gjithmonë në rezervë një shumë dollarësh të barabartë me numrin e token-ave të stablecoin në qarkullim. Në dhjetor 2021, themeluesit e tether-it garantuan se kishin 78.2 miliardë usd në bankë për të mbuluar 78 miliardë token-at në qarkullim.
Kjo do të thotë se “tether sot ka një kapitalizim të ngjashëm me një bankë”, është një shenjë e rritjes eksponenciale të saj : 157 miliardë usd në fund të vitit 2021. Frika kryesore dhe pyetja themelore që shtrohet në këtë rast është : cfarë ndodh nëse banka, fonde investimesh apo institucione të tjera financiare ku ndodhen këto 157 miliardë usd reale falimentojnë? Sipas Fed, FMN, BQE, etj., dështimi i një prej stablecoins do të bënte që aktorët kryesorë në këto tregje të humbnin para, të cilat, duke u infektuar, do të kenë efekte negative në tregjet tradicionale financiare.
Sipas ekspertëve në fushën e kriptomonedhave, “ajo që ne dimë tani është se ata nuk kanë vetëm rezerva në dollarë, por edhe në investime afatshkurtra, gjë që u lejon atyre të fitojnë para … ky është thelbi i problemit … autoritetet janë të fiksuar kundrejt rrezikut të një krize të re likuiditeti, të ngjashme me atë të vitit 2008”. Gjatë krizës së subprime të shpërthyer në vitin 2008, kur tregjet kuptuan se produktet financiare të ofruara nga banka Lehman Brother dhe shumë banka të tjera, bazoheshin gjerësisht në aktive të pavlera, askush nuk i donte më ato, duke i zhytur këto banka në situata të rënda financiare. Kohët e fundit janë shtuar thirrjet nga Bordi i Stabilitetit Financiar, FMN, BQE dhe Fed për të rregulluar stablecoins në mënyrë që t’u imponohen atyre detyrime të ngjashme me sistemin e mbikqyrjes dhe supervizioneve bankare. Presidenti Joe Biden ka bërë thirrje për “kontroll më të mirë të këtij perëndimi të egër financiar”.
Por, cfarë ka ndodhur konkretisht dhe si po shpjegohet kjo situatë apokaliptike e kriptomonedhave në këto dy javët e fundit?
- Një pjesë e ekspertëve, mendojnë se rënia kaq e fortë e vlerës së kriptomonedhave në këto momente është e lidhur si me disa goditje spekulative ndaj tyre, ashtu dhe me disa faktorë më strukturorë që lidhen me konjukturën ekonomike aktuale:
- Një pjesë e rëndësishme e kompanive shumëkombëshe të angazhuara dhe në tregun e kriptomonedhave, kanë patur rezultate negative ekonomike e financiare muajt e fundit, duke ndërprerë si pasojë, investimet dhe transaksionet e tyre në kriptomonedha;
- Kufizimet e vendosura nga Fed kundrejt kriptomonedhave, të konsideruara si “të paqëndrueshme dhe të pa stabilizuara”;
- Rritja e mosbesimit ndaj kriptomonedhave dhe deklaratat publike negative të disa personaliteteve të botës së biznesit dhe tregjeve financiare, gjë që shkaktoi panik dhe shitje masive të tyre dhe aksioneve të kompanive që operojnë me kriptomonedha;
- Limitet e disa algoritmeve që veprojnë në tregjet e Stablecoin-s, të cilat u treguan të paafta për ti rezistuar goditjeve apo tentativave spekulative të forta të dy javëve të fundit;
- Ndryshe nga paratë klasike dhe bankat, të cilat zotërojnë rezerva monetare dhe mund ta furnizojnë likuiditetin në treg cdo herë që ky treg kontraktohet, kriptomonedhat disponojnë një “furnizim shumë të limituar e të kontrolluar me likuiditet”;
- Aksionet e teknologjisë dhe kriptovalutat janë ndër aktivet më të ndjeshme ndaj politikave të bankave qëndrore. Gjatë viteve 2020-2021, pati një likuiditet të lartë në tregje të injektuar nga bankat qendrore për të mbështetur ekonomitë në periudhën e pandemisë. Kjo shkaktoi edhe rritjen e tregut të kriptomonedhave dhe Nasdaq. Por 2022 vjen me kontekst ekonomik të ndryshuar: Fed, BQE, Banka e Anglisë, etj., në përpjekje për të kontrolluar valën inflacioniste, po rrisin normat bazë të interesit për dollarin, euron, paundin. Përballë shtrëngimit të politikës monetare, investimet në aktivet e rrezikshme janë ulur. Ka më pak para që qarkullojnë në tregjet financiare dhe kjo penalizon Nasdaq-in dhe kriptomonedhat;
- Këto asete dixhitale, që akoma janë në periferi të sistemit financiar global, po fillojnë të ndjekin tendencat e tregjeve të aksioneve të Wall Street-it, vecanërisht Nasdaq (Indeksi amerikan i bursës i kompanive të teknollogjisë), dhe ndërkohë që bursa ndërkombëtare e aksioneve po shënon rënie, të njëjtën tendencë po ndjekin dhe kriptomonedhat;
- Në fillim të luftës në Ukrainë, iluzioni se bitcoin u bë një strehë financiare e sigurtë zgjati pak javë, përpara se ato të ndiqnin përfundimisht evolucionin e tregjeve të aksioneve. Nga ana tjetër, politika monetare gjithnjë e më shtrënguese në SHBA, si dhe rritja galopante e inflacionit në rang global po shkaktojnë një klimë ankthi në tregjet tradicionale, shqetësim që u përhap shpejt edhe në tregjet e kriptomonedhave;
Kjo situatë kritike për tregjet financiare e monetare në përgjithësi dhe ato të kriptomonedhave në vecanti, mund të zgjasë edhe për disa javë e muaj të tjerë, ndërkohë që ekspertët dhe analistët e tregjeve monetare “presin akoma viktima të mundshme si pasojë e korrigjimeve të dhunshme që po ndodhin në këto tregje”. Stoqet e teknologjisë që ishin rritur ndjeshëm në bursë gjatë krizës shëndetësore janë aktualisht viktima të një korrigjim të dhunshëm të tregut.
Në këtë kontekst, i gjithë mjedisi i kriptomonedhave, parashikohet që “të vuajë akoma dhe shumë kohë, përpara se të fillojë ti kthehet normalitetit”. Në periudhën aktuale, me paqëndrueshmëri të forta gjeopolitike dhe gjeoekonomike, prudenca e investitorëve ndaj riskut të shtuar është shumë e madhe. Të gjithë po kërkojnë të shesin, ndërsa blerësit e kriptomonedhave janë akoma të paktë. Por, e gjithë kjo situatë nuk duhet parë e vlerësuar si “fundi i kriptomonedhave”, si “apokalipsi përfundimtar i tyre”, por duhet parë si një hyrje dhe përfshirje më e madhe e tyre në llogjikëndhe risqet e funksionimit të tregjeve financiare e monetare tradicionale.