Katër muaj më parë, Partia e Gjelbër e Gjermanisë renditej në nivelet e larta në anketimet e opinionit publik dhe në një moment madje ia kaloi edhe demokristianëve të Angela Merkelit dhe partisë aleate bavareze, Unionin Kristian Social, duke u bërë për pak kohë partia më popullore në Gjermani.
Ndërsa vendi i afrohej fushatës për zgjedhjet federale të 26 shtatorit, u fol shumë se udhëheqësja 40-vjeçare e partisë Annalena Baerbock, një fytyrë e re në politikë, mund të bëhej drejtuesja e parë e gjelbër e një qeverie në Evropë. Mediat gjermane e përshkruan atë si “kandidaten superiore” për të zëvendësuar kancelaren Angela Merkel, e cila po tërhiqet nga politika.
Revista Stern e vendosi atë në kopertinë dhe njoftoi: “Më në fund, Diçka Ndryshe”.
Por tani, dy javë pranë votimeve, zonja Baerbock duket se nuk ka gjasa të arrijë ekuivalentin politik të asaj që ylli britanik i sportit Emma Raducanu arriti këtë javë me fitoren e turneut të tenisit US Open. Të gjelbrit kanë rënë në vendin e tretë sipas anketimeve, duke humbur rreth 10 për qind që nga nivelet më të larta në prill dhe maj.
Popullariteti po zbehet
Ylli i zonjës Baerbock është zbehur me votuesit që shqetësohen se si politikat për klimën do të ndikojnë në mënyrën e tyre të jetesës, duke i zbehur shpresat e partisë për të përsëritur suksesin e saj në maj, kur ia kaloi social-demokratëve duke kapur vendin e dytë në zgjedhjet parlamentare evropiane.
Rënia e shpejtë është pjesërisht për shkak të ndikimit të një taktike të vjetër politike të përdorur nga kundërshtarët e tyre të vjetër në politikë – duke etiketuar të gjelbrit si bezdisës, didaktikë dhe të prirur për të vendosur masa ndaluese, thonë anketimet. Zonja Baerbock ka argumentuar gjatë fushatës se duhet të ketë një super-ministri me të drejtën e vetos mjedisore mbi departamentet e tjera të kabinetit qeveritar.
Më herët në fushatë, kreu i demokratëve kristianë, Armin Laschet nxitoi të shfrytëzojë thirrjen e të gjelbërve për një rritje të çmimit të karburantit, duke i akuzuar ata se donin të ndëshkonin klasën punëtore dhe se ishin shumë të gatshëm të injoronin nevojat e gjermanëve më pak të pasur që jetojnë në zonat rurale dhe qytetet e vogla ku transporti publik është më pak i disponueshëm. Një plan i të gjelbërve për të ndaluar fluturimet në distanca të shkurtra gjithashtu u prit keq nga votuesit dhe rënia e mbështetjes së tyre filloi të shihet në anketimet e opinionit publik.
Të dielën gjatë një debati televiziv me zotin Laschet dhe udhëheqësin e social demokratëve, Olaf Scholz, aktualisht ministër i financave i Gjermanisë, zonja Baerbock nuk ishte në gjendje të ringjallte fushatën e saj të dobësuar. Ajo tha se Gjermania përballet me një zgjedhje të mprehtë midis një fillimi të ri ose bllokimit nga “po të njëjtat gjëra”.
Por anketimet e para pas debatit nga transmetuesi ARD treguan se 41% e të pyeturve mendonin se zoti Scholz pati paraqitjen më bindëse, krahasuar me 27% për zotin Laschet dhe 25% për zonjën Baerbock.
Për rënien e të gjelbërve mund të fajësohet pjesërisht zonja Baerbock, thonë analistët. Ndërsa shihet gjerësisht si e ashpër, e talentuar dhe shumë ambicioze, ajo është kritikuar pas zbulimit të disa ekzagjerimeve në biografinë e saj zyrtare, gabime që dëmtuan angazhimin e partisë së saj për transparencë dhe integritet. Dhe ajo u përball me thirrjet për dorëheqje pas akuzave për plagjiaturë, pasi u duk se kishte kopjuar dhjetëra pasazhe nga vepra të tjera për një libër që botoi këtë vit.
Zonjës Baerbock gjithashtu iu desh të pranojë gjatë fushatës se theu rregullat parlamentare duke mos deklaruar mijëra euro që ka marrë nga partia e saj, përveç pagës së saj si ligjvënëse federale. Gabimet i kanë lejuar kritikët të ngrenë dyshime nëse 40-vjeçarja është gati për postin më të lartë pasi ka shërbyer vetëm tetë vjet si ligjvënëse federale.
“Numri i gabimeve të zonjës Baerbock, që nga zbukurimi i biografisë së saj dhe deri tek botimi i një libri të konceptuar keq, ka mbjellë dyshime në lidhje me përshtatshmërinë e saj. Është bërë e qartë se kandidatja e gjelbër dhe ata përreth saj mund të mos kenë arritur ende nivelin e profesionalizmit të kërkuar për të synuar postin më të lartë”, u shpreh Henning Hoff, redaktor i revistës Internationale Politik Quarterly, që botohet nga Këshilli Gjerman për Marrëdhëniet me Jashtë.
Olaf Scholz
Një faktor tjetër kyç ka qenë suksesi befasues i fushatës së socialdemokratëve të qendrës së majtë gjermane nën udhëheqjen e kandidatit për kancelar, Olaf Scholz. Historia e deritanishme e fushatës zgjedhore gjermane të këtij viti ka qenë rritja e papritur e shanseve të social demokratëve.
“Me një parashikim të madh strategjik dhe fokus të jashtëzakonshëm, kandidati i social demokratëve Olaf Scholz tani po udhëheq garën për të zëvendësuar Angela Merkelin”, thotë zoti Hoff.
Në prill, partia e tij SPD merrte vetëm rreth 13% mbështetje në anketimet e opinionit publik. Një anketim i Insa-s të hënën e vendosi SPD-në në nivelin 26%, përpara zotit Laschet, partia CDU e të cilit është në 20%. “Me fushatën zgjedhore gjermane që po hyn në fazën e fundit, popullariteti i Scholz-it – gjithmonë shumë më i madh se ai i Baerbock-ut dhe Laschet-it – më në fund u shndërrua në mbështetje për partinë e tij”, thotë zoti Hoff. “Me vetëm dy javë të mbetura, tani ka baza për të sugjeruar se qeveria e ardhshme e Gjermanisë do të udhëhiqet nga Olaf Scholz-i”, shton ai.
Zonja Merkel njoftoi në tetor 2018 se do të tërhiqej nga posti i kancelares në vitin 2021. Ajo e ka mbajtur këtë detyrë që nga viti 2005.
Pjesë e arsyes për ngritjen e zotit Scholz ka qenë suksesi në paraqitjen si një person i sigurtë dhe një pasardhës i natyrshëm i zonjës Merkel, thonë anketimet. Propozimet e tij për politikën klimatike janë më të kujdesshme-duke sugjeruar se gjermanët mund të mos jenë të gatshëm të bëhen aq të gjelbër sa të gjelbrit.