• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Friday, January 23, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kosova

Çfarë fshihet pas kërkesës së Listës Serbe që Serbia ta shpallë Policinë e Kosovës organizatë terroriste?

by A M
05/07/2023 21:53
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Për Kosovën është “absurd”, për Serbinë është “mesazh politik që kërkon përgjigje nga shteti”. Këto janë reagimet e deritashme të zyrtarëve të dy shteteve ndaj kërkesës së Listës Serbe, partisë udhëheqëse të serbëve të Kosovës, që Qeveria e Serbisë ta shpallë Policinë e Kosovës organizatë terroriste.

Kërkesa e Listës Serbe u publikua pak ditë pasi Qeveria e Kosovës, më 29 qershor, shpalli terroriste “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut”, dy organizata për të cilat besohet se veprojnë në veri të Kosovës.

Akuzat për terrorizëm u bënë në kohën e rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, por edhe në kohën kur bashkësia ndërkombëtare pret zbatimin e marrëveshjes dhe dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Çfarë kanë thënë zyrtarët e Kosovës dhe Serbisë?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka quajtur “absurde” kërkesën e Listës Serbe, më 5 korrik.

Për ministrin e Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiç, kjo kërkesë është mesazh politik që kërkon reagimin e shtetit të Serbisë.

Më 3 korrik, Daçiç tha për televizionin B92 se qëllimi i Prishtinës është që organizatat e caktuara nga veriu i Kosovës të shpallen “terroriste”, për të shkaktuar frikë dhe zhvendosje të serbëve nga ajo hapësirë.

Daçiç pyeti nëse Beogradi duhet t’i publikojë emrat e të gjithë shqiptarëve që, sipas tij, “përgjatë viteve demonstruan kundër Serbisë”, si dhe se “serbët kanë të drejtë të shprehin pikëpamjet e tyre politike”.

Naim Leo Beshiri, nga Instituti joqeveritar për Çështje Evropiane në Beograd, vlerëson për Radion Evropa e Lirë (REL) se pas deklaratave të ministrit Daçiç nuk qëndron strategjia e qartë e politikës së jashtme të Serbisë dhe se ato u shërbejnë “qëllimeve të politikës ditore”.

“Daçiç po i dërgon mesazh komunitetit ndërkombëtar se mënyra se si Kurti (kryeministri i Kosovës) po e udhëheqë politikën gjatë muajve të fundit, po e rrezikon dialogun”, thotë ai.

Kërkesa e Listës Serbe, “oportunizëm politik”

Lista Serbe, më 3 korrik, ka kërkuar nga qeveria e Serbisë që “njësitë speciale” të Policisë së Kosovës, strukturat e inteligjencës dhe të gjithë “bashkëpunëtorët e atyre strukturave” t’i shpallë “organizata terroriste sepse kërcënojnë paqen në këto hapësira”.

Lista Serbe nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it se a ka marrë nga Qeveria e Serbisë përgjigje lidhur me kërkesën e saj.

Ndryshe, tërheqja e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu i Kosovës është një nga kërkesat e serbëve të Kosovës, me qëllim që, siç theksojnë ata, të ulen tensionet.

Por, Bojan Elek nga Qendra joqeveritare për Politikë të Sigurisë në Beograd, beson se Lista Serbe, me veprime të tilla, po përpiqet të përfitojë nga situata dhe të përshkallëzojë edhe më tej situatën, kur Kosova është “nën presion të madh ndërkombëtar”.

“Është oportunizëm politik që nuk ka asnjë efekt. Madje, edhe nëse Qeveria e Serbisë pajtohet, Serbia nuk ka asnjë pushtet ekzekutiv në Kosovë”, tha Elek për Radion Evropa e Lirë.

Kosova, aktualisht, po përballet me masa ndëshkuese të vendosura nga BE-ja për shkak të, siç është thënë, mospërmbushjes së kërkesave për shtendosjen e situatës në veri të vendit.

BE-ja pezulloi përkohësisht punën e të gjitha grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, që është hapi i parë drejt anëtarësimit të Kosovës në bllok, si dhe thirrjet për pjesëmarrjen e Kosovës në takimet e nivelit të lartë.

Gjithashtu, BE-ja pezulloi fonde të caktuara, të planifikuara për Kosovën.

Naim Leo Beshiri, nga Instituti për Çështje Evropiane në Beograd, thotë se nuk ka bazë për një kërkesë të tillë të Listës Serbe, parti politike që funksionon në kuadër të “kornizës kushtetuese të Kosovës”.

“Kjo është përgjigja e tyre populiste ndaj shpalljes së organizatave në veri të Kosovës si terroriste. Nuk është asgjë e papritur, por sigurisht që nuk kontribuon në qetësimin e tensioneve”, thotë ai.

Beshiri, po ashtu, thekson se Serbia, në mënyrë “teknike” mund t’i shpallë njësitë speciale të Kosovës organizatë terroriste, por kjo do të shkaktonte tallje nga organizatat ndërkombëtare.

“Çfarë efekti do të kishte kjo në forcat e Kosovës? Pothuajse kurrfarë efekti”, thotë ai.

Edhe vendimi i Kosovës “pa efekt”

Beshiri shton se edhe vendimi i Kosovës për t’i shpallur organizatat në veri të Kosovës si terroriste, nuk prodhon efekt të veçantë në Serbi.

“Ato grupe njerëzish marrin mbështetjen nga Beogradi, jo vetëm politikisht, por me siguri edhe nga shërbimet e sigurisë”, thotë ai.

Paraprakisht, “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” në Kosovë janë shpallur terroriste.

“Mbrojtja civile” është shpërbërë zyrtarisht në veri të Kosovës në vitin 2015/16, bazuar në Marrëveshjen e Brukselit në kuadër të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Punëtorët e asaj organizate më pas u integruan në institucionet e Kosovës. Sipas të dhënave të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, “Mbrojtja Civile” në Kosovë përbëhej nga pjesëtarë, të cilët kishin kaluar trajnime ushtarake, si dhe konsiderohej shumë e rrezikshme për sigurinë e Kosovës.

Radio Evropa e Lirë nuk ka arritur të konfirmojë nëse pas shpërbërjes zyrtare, “Mbrojtja Civile” ka funksionuar fshehurazi apo është ripërtërirë.

“Brigada e Veriut”, që nga fundi i vitit të kaluar, ka nënshkruar grafite në veri të Kosovës. Disa prej tyre janë: “Mos u shqetëso! Jemi këtu! Po presim!”. Në disa raste vendosi firmën edhe si “Brigada Veri”.

Nuk dihet se kush qëndron pas saj dhe as nëse bëhet fjalë për ndonjë organizatë formale.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se këto organizata kanë kryer aksione “me elemente terroriste”, si: sulme të armatosura ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, pjesëtarëve të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) dhe ushtarëve të Misioni i NATO-s në Kosovë (KFOR).

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) vlerësuan se Qeveria në Prishtinë, vendimin për organizatat terroriste nuk e ka koordinuar me ta dhe me partnerët e tjerë ndërkombëtarë.

Çfarë është terrorizmi në rregulloret serbe?

Vepra penale e terrorizmit, në Kodin Penal të Serbisë, i referohet “frikësimit të popullatës” dhe kërcënimit të “strukturave themelore kushtetuese, politike, ekonomike apo sociale të Serbisë, vendeve të huaja apo organizatës ndërkombëtare”.

Përfshin disa akte kriminale si rrëmbimi, shkatërrimi i një objekti shtetëror ose publik, përdorimi i armëve bërthamore, biologjike ose kimike.

Në Kodin Penal të Serbisë është përmendur edhe bashkimi terrorist si vepër penale. Masa e dënimit është e ndryshme, në varësi të llojit të veprës penale të kryer.

Bojan Elek nga Qendra për Politikë të Sigurisë në Beograd thotë se duhet të ekzistojë një aktakuzë për vepër penale, para se Serbia të cilësojë ndonjë organizatë si terroriste.

Eleku thotë se Serbia i përmbahet listës së organizatave terroriste të miratuar nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara. Këto janë organizata si ISIS (grupi ekstremist Shteti Islamik), të cilat, siç thotë ai, janë nën goditjen e sanksioneve të bashkësisë ndërkombëtare.

Akuzat në rrugën e dialogut Kosovë-Serbi

Naim Leo Beshiri beson se zyrtarët e Kosovës dhe Serbisë po sillen në kundërshtim me atë që Bashkimi Evropian pret aktualisht.

“Ekziston presioni i madh mbi Beogradin dhe Prishtinën për të arritur një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme deri në fund të vitit dhe duket se Beogradi dhe Prishtina po përpiqen të bëjnë gjithçka për ta paraqitur si antagoniste palën tjetër, në mënyrë që të ruajnë tensionet që do ta pamundësonin nënshkrimin e një marrëveshjeje të tillë”, thotë Beshiri.

Ai thekson se duket se dy palët duan të hyjnë në vitin e ardhshëm, që është “viti i zgjedhjeve në BE dhe SHBA”.

“Kjo do të thoshte se edhe për dy vjet të tjera nuk do të ketë përparim të dukshëm në dialog, sepse do të pritet formimi i shumicës politike në BE, por edhe të shihet se kush do t’i fitojë zgjedhjet për president të SHBA-së”, thekson Beshiri.

Kosova dhe Serbia kanë më shumë se dhjetë vjet që bëjnë dialog me ndërmjetësimin e BE-së, në kuadër të të cilit janë nënshkruar më shumë se 30 marrëveshje. Megjithatë, shumica e tyre nuk u zbatuan në terren.

Në Bruksel, më 27 shkurt, arritën Marrëveshjen drejt normalizimit të marrëdhënieve, ndërsa më 18 mars në Ohër u pajtuan për Aneksin për zbatimin e saj.

Megjithatë, në fund të majit pati tension në veri të Kosovës kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave të Zveçanit, Leposaviçit dhe Zubin Potokut, hynë në ndërtesat komunale me ndihmën e policisë, me gjithë kundërshtimin e serbëve lokalë që bojkotuan zgjedhjet.

Brukseli u ka kërkuar vazhdimisht Kosovës dhe Serbisë që të ndërmarrin hapa për uljen e menjëhershme të tensioneve dhe kthimin në dialog, me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve.

Next Post
FOTO| Meghan Trainor nënë për herë të dytë, këngëtarja bëhet me djalë

FOTO| Meghan Trainor nënë për herë të dytë, këngëtarja bëhet me djalë

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Dënimi në Greqi?/ Ja shkresa e Irena Gjokës drejtuar KLGJ-së: Nuk u informova për gjyqin në 2005. Vendimi, jo i formës së prerë!

Dënimi në Greqi?/ Ja shkresa e Irena Gjokës drejtuar KLGJ-së: Nuk u informova për gjyqin në 2005. Vendimi, jo i formës së prerë!

January 23, 2026
Shqipëria dënon dhunën ndaj protestuesve në Iran! Ambasadorja në OKB: Shkelje e hapur e të drejtës ndërkombëtare!

Shqipëria dënon dhunën ndaj protestuesve në Iran! Ambasadorja në OKB: Shkelje e hapur e të drejtës ndërkombëtare!

January 23, 2026
Nesër protesta e PD/ Policia e Tiranës plan masash, këto janë akset që do të bllokohen

Nesër protesta e PD/ Policia e Tiranës plan masash, këto janë akset që do të bllokohen

January 23, 2026
Pafuqia politike e Sali Berishës

Pafuqia politike e Sali Berishës

January 23, 2026
Karremi i Putinit për Trump-in

Karremi i Putinit për Trump-in

January 23, 2026
Trafikonin drogë nga Shqipëria në Itali/ Goditet banda kriminale, arrestohen 9 persona

Trafikonin drogë nga Shqipëria në Itali/ Goditet banda kriminale, arrestohen 9 persona

January 23, 2026
Mbahet më 14-15 prill, Samiti IV i Diasporës Shqiptare/ Balla: Hapësirë bashkëpunimi mes shqiptarëve kudo në botë!

Mbahet më 14-15 prill, Samiti IV i Diasporës Shqiptare/ Balla: Hapësirë bashkëpunimi mes shqiptarëve kudo në botë!

January 23, 2026
Kampioni olimpik Ryan Wedding arrestohet për trafik droge, ishte në listën e dhjetë personave më të kërkuar të FBI

Kampioni olimpik Ryan Wedding arrestohet për trafik droge, ishte në listën e dhjetë personave më të kërkuar të FBI

January 23, 2026
Prapaskenat e CIA-s: Pse Trump lejoi që zëvendësja e Maduros të merrte pushtetin?

CNN: Ja si e kapën Maduron në vetëm dy minuta, mbi 50 video dhe dëshmi që tregojnë…

January 23, 2026
Bullgaria zgjedh presidenten e parë femër, pas dorëheqjes së Rumen Radev

Bullgaria zgjedh presidenten e parë femër, pas dorëheqjes së Rumen Radev

January 23, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In