Nga Enver Robelli
Edhe sot Albin Kurti ka bërë një akt që atij mund t’i duket heroik, në fakt është një gjest i marrë, absurd, qesharak. Kurti ka marrë pjesë në një përkujtim për një deputet të Kuvendit të Kosovës, i cili ka vdekur vite më parë. Si e do rendi në këso ngjarjesh, në hapje të këtij takimi përkujtimor është intonuar himni i Kosovës. Të gjithë çohen në këmbë, Kurti rri ulur. Nuk i pëlqen ky himn liderit të Vetëvendosjes, do të donte një himn tjetër, jo, në fakt do e donte atë të Shqipërisë, që për arsye historike quhet himn kombëtar. Do të donte edhe një flamur tjetër Albin Kurti, jo, në të vërtetë do e donte flamurin kombëtar, atë që e përdorë Republika e Shqipërisë. Mbi të gjitha Kurti do të donte që Kosova më mirë sot se nesër t’i bashkohet Shqipërisë, natyrisht kështu e paprekur, me doganë shqiptare në Jarinjë. Në jetën e përditshme njeriu mund të ketë shumë dëshira, në politikë dëshirat realizohen në bazë të fuqisë politike dhe ushtarake, madje edhe po t’i kishte këto Kosova, nuk do të mjaftonin, sepse në Ballkan gati asnjë konflikt nuk është zgjidhur pa ndërhyrjen vendimmarrëse të bashkësisë ndërkombëtare. Cili shtet me ndikim në botë sot e përkrah bashkimin e Kosovës me Shqipërinë? Ndoshta Kurti komunikon me fuqi jashtëtokësore.
Paramendojeni situatën hipotetike: Kurti si kryeministër apo ministër i jashtëm i Kosovës gjatë vizitës në një kryeqytet të rëndësishëm europian: në çastin kur intonohet himni i Kosovës, Kurti braktis skenën dhe e lë të hutuar homologun e tij. Lojëra fëmijërore politike dhe ballkanike, lojëra për të cilat në Perëndim nuk ka më askush kohë. Ky është edhe keqkuptimi më i madh i politikanëve të Kosovës: ata mendojnë se çdo mëngjes kancelarja gjermane Angela Merkel thërret këshilltarët dhe i pyet: «Si kanë fjetur kosovarët e mi të dashur? A kanë ndonjë dëshirë sot?» Pastaj radha i vjen Donald Trumpit të interesohet për hallet e kosovarëve. Kështu mund të funksionojë ndonjë lojë në kopshtin e fëmijëve, por politika botërore nuk funksionin kështu. Bashkësia ndërkombëtare të jep një shans, të cilin duhet ta shfrytëzosh. Nëse nuk e shfrytëzon, mund të vazhdosh të merresh me popullizëm. Shqiptarëve të Kosovës këtë shans Perëndimi ua dha më 1999. Kosova përfundoi në një komandantokraci të korruptuar, të cilën do të duhej ta çlironte një gjeneratë e re politikanësh. Kurti është përfaqësuesi më i spikatur i kësaj gjenerate, por ai më shumë zhvillon një luftë kulturore: flamuri, himni, bashkimi, aleancat ballkanike (thua ti se jemi në vitin 1913 apo 1914). Para disa vitesh qytetarët e Qipros patën shansin të bashkojnë ishullin e tyre. Grekët votuan kundër. Bashkësia ndërkombëtare nuk u interesua më për këtë konflikt. Më 30 shtator maqedonasit patën shansin që duke ndryshuar emrin e shtetit të tyre, të sigurojnë hyrjen në NATO. Preferuan të qëndrojnë në shtëpi. Dhe mund të qëndrojnë gjatë në shtëpi, sepse pothuaj askush nuk ka kohë të merret me konfliktet absurde ballkanike. Përballë problemeve me të cilat ballafaqohet Kosova, çështja e himnit dhe e flamurit vërtet janë çështje të dorës së tretë. Por, Kurtit më shumë i pëlqen të merret me simbole.
Albin Kurti nuk mund të jetë lider politik i dekadës së ardhshme të Kosovës nëse kësaj shoqërie të lodhur i ofron vetëm popullizëm, nëse nuk çohet në këmbë kur intonohet himni i Kosovës, nëse simbolet shtetërore të Kosovës i konsideron vetëm rekuizita të banjës, nëse nuk mban qëndrim të qartë kundër fanatikëve islamikë, nëse nuk kundërshton homofobinë dhe nëse partnerët politikë dëshiron vetëm t’i nënshtrojë, që ata pastaj të vallëzojnë sipas muzikës së tij. Politika është kompromis. Kurti tregohet i pakompromis – për shembull – kur refuzon të nderojë figurën e Ibrahim Rugovës, ndërsa te varri i Alija Izetbegoviqit shkon me trëndafila të freskët. Ndoshta Kurti mendon se për dallim nga Rugova Izetbegoviqi i ka prirë popullit të tij në luftë kundër serbëve. Por, si i ka prirë? Pyetni ata që kanë qenë në Srebrenicë, pyetni ata që e akuzojnë qeverinë e Izetbegoviqit në Sarajevë se i la në baltë banorët e Srebrenicës. Si bëri vaki që bash në ditët kur Ratko Mlladiqi po e merrte enklavën boshnjake, aty nuk ishte komandanti i forcave boshnjake, Naser Oriq. Ibrahim Rugova mund dhe duhet të kritikohet për shumë gabime, por është e pandershme të mos i pranohet si meritë ndërkombëtarizimi i çështjes së Kosovës, ndërtimi i shtetit paralel, ikja nga konflikti në gjysmën e parë të viteve ’90, kur Perëndimi krijoi bindjen se po e vazhdoi Beogradi plojën edhe në Kosovë, atëherë do të ndërhyjë NATO. Dhe kur Beogradi e vazhdoi plojën, NATO vërtet ndërhyri.
Duke qenë i rrethuar vetëm me puthadorë, Kurti me gjasë është bindur se çdo gjë që thotë e vepron është ose fantastike, ose gjeniale. Kësisoj, ai dje e quante Isa Mustafën shërbëtor të Serbisë, sot dëshiron të bëjë koalicion me të. Kjo ideja e tij e dytë është vërtetë e mirë. Pa një koalicion strategjik mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Vetëvendosjes, por pse jo edhe Partisë Socialdemokrate, ndryshime thelbësore në këtë vend nuk mund të ketë. Kosova ka nevojë për një qeveri dhe një kryeministër efikas. Mund të jetë ai edhe Albin Kurti, por jo vetëm sa për t’ia plotësuar dëshirën për të injoruar himnin e Kosovës edhe nga kolltuku i shefit të qeverisë. Sepse, duhet përsëritur një milion herë, Kosova ka probleme shumë më të mëdha.
Albin Kurti duhet të harrojë se fiton poena politikë përtej militantëve të tij nëse nivelin e retorikës politike e zbret deri aty, saqë paralajmëron se presidentit të Kosovës nuk i ka mbetur asgjë tjetër veçse ta martojë të birin me vajzën e presidentit të Serbisë. Këto formulime mund të tingëllojnë argëtuese për ndonjë militant që e keqpërdorë Facebookun, por për higjienën publike janë helm. Mbështetësit e Kurtit mund të kundërpërgjigjen se edhe Hashim Thaçi e ka ofenduar rëndë Kurtin, duke i kërkuar të kthehet «në Vladimir». Shumë e qartë: nëntoni i kësaj deklarate të Thaçit ka qenë ksenofob. Thaçi nuk është më shumë shqiptar i Kosovës se Kurti. Por, asnjë deklaratë absurde, cinike e fyese e Thaçit nuk është arsyetim për fundosje gjuhësore deri aty sa politikanët të merren edhe me trashëgimtarët e rivalëve të tyre politikë. Siç u pa, pas deklaratës së Kurtit, e ngriti kokën i biri i presidentit me një mesazh gjuhësisht dhe kulturalisht të ulët.
Hashim Thaçi meriton kritikat më të ashpra për politikat e tij në dëm të Kosovës. Por, ai s’mund të luftohet duke ia krahasuar kokën me një kungull, siç bëri Kurti së fundi. Pas luftës së fundit, në fletushka të afërta me Lidhjen Demokratike të Kosovës vazhdimisht është thënë se Thaçi paskësh «vjedhur xhinsa» në Zvicër. Aq e pistë ka qenë kjo propagandë, saqë edhe sot ka njerëz që janë të bindur se ky ka qenë aktiviteti i vetëm i Thaçit në Zvicër. Nuk ka asnjë dëshmi për këtë, por ka dëshmi që Thaçi ka punuar në ndërmarrjen shtetërore të hekurudhave. Si plot shqiptarë të tjerë. Dhe këtu nuk ka bash asgjë të keqe. Të këqijat e mëdha Hashim Thaçi ia ka bërë Kosovës sidomos si kryeministër e si president. Kundër këtij Hashim Thaçi duhet të luftohet me mjete politike, me protesta, me demonstrata, e mbi të gjitha me votë demokratike. Por, jo duke u marrë me të birin e tij, e arritura më e madhe e të cilit mund të jetë hapja e një profili në Instagram.
Në protestën e fundit impozante të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje morën pjesë edhe një grusht aktivistësh të Partisë Socialdemokrate. Njëri prej tyre, Gëzon Kastrati, menjëherë pasi në Facebook paralajmëroi pjesëmarrjen në protestë, u etiketua me mesazhe ironike e cinike në stilin «ju e keni humbur rrugën», «i keni hipur dhisë», «s’po na duheni asgjë» etj. etj. Etiketuesit shkruanin si simpatizantë apo militantë të VV-së. Askush nuk po kërkon nga VV, as nga Kurti që t’i ndalin këta njerëz të hallakatur në kokë, sepse kjo është e pamundshme. Por, nuk është e tepërt të kërkohet nga krerët e VV-së dhe nga vetë Kurti që me apele e shembuj personalë t’i frenojnë militantët. Së paku kaq mund të bëjnë. Sepse nuk është normale që militantë të VV-së si të ishin ushtarë në roje të stigmatizojnë 24 orë, ditë e net, çdokënd që e braktisi VV-në apo çdokënd që e kritikon VV-në. Gjithsesi ka shumë argumente të mira për të kritikuar ikjen e Shpend Ahmetit nga VV, por është thjeshtë e pandershme që ai tani të portretohet si djalli vetë, ndërkohë që dihet se ka qenë mbase i vetmi kandidat me të cilin VV arriti të fitojë Prishtinën. Të shohim si do e fitojë Prishtinën në zgjedhjet e ardhshme VV.
Prapëseprapë, pa partnerë politikë as VV nuk mund të bëjë ndonjë punë të madhe në këtë vend. Kosova nuk e ka ndërmend të bëhet Kore e Veriut dhe VV nuk ka gjasa të fitojë mbi 60 deputetë në Kuvendin e Kosovës, pra do t’i duhen partnerë për të lidhur koalicione qeveritare. Në këtë drejtim VV ka filluar të evoluojë dhe po kërkon partneritet me Lidhjen Demokratike të Kosovës, e cila, për fat të keq, mbetet parti me udhëheqje indolente, të ngathët, shpesh edhe indiferente dhe ngurrese për të marrë përgjegjësi. Por, presioni i elektoratit të LDK-së do të rritet dhe nëse LDK nuk reformohet dhe freskohet me kuadro të reja në kryesi, një pjesë e elektoratit, sidomos të rinjtë, do të ikin. Dhe nëse Albin Kurti tregon talent politik dhe gjeturi jo vetëm të momentit, ata mund të bëhen pjesë e VV-së. Sepse as adhuruesit e LDK-së nuk jetojnë nga posterat e Ibrahim Rugovës, ata duan, si çdo qytetar i Kosovës, një jetë me dinjitet në një shtet funksional.
Protesta e fundit kundër ndarjes së Kosovës tregoi një disponim në rritje jo vetëm kundër presidentit të Kosovës, por edhe kundër krejt sistemit që e simbolizon garnitura e komandantëve. Kurti bëri thirrje për protestë në mbrojtje të tërësisë territoriale të Kosovës. Njëkohësisht në protestë simpatizantët e VV-së kërkuan që Kosova t’i bashkohet Shqipërisë. Flamuj të Kosovës nuk kishte pothuaj fare në protestë. Nëse vërtet VV e do një Kosovë me këta kufijë, atëherë duhet dërguar mesazh të qartë edhe pakicave, sidomos serbëve, se ky është shteti i tyre. Por, të sillesh sikur asnjë copë të Kosovës nuk e japim dhe do të bashkohemi me Shqipërinë, është njëfarë axhamillëku e popullizmi bjerrakohës. Asnjë parti nuk duhet ta ketë luksin të sillet sikur Kosova është Izrael me bombë atomike dhe me garanci të përhershme të ekzistencës nga SHBA-të.
Albin Kurti nuk mund të jetë lider politik i dekadës së ardhshme të Kosovës nëse nuk pajtohet me ekzistencën e shtetit të Kosovës. Se çfarë do të bëhet pas 20 apo 50 vitesh, askush nuk e di. Ndoshta vërtet Shqipëria do të bashkohet me Kosovën, por prioritet është shpëtimi i kësaj Republike nga ndarja. Për të ndryshuar Kurti duhet të rrethohet edhe me qortues, jo vetëm me duartrokitës. Për dallim nga shumë politikanë të Kosovës Kurti nuk është hajn; ai është ndër të vetmit politikanë të Kosovës që nuk vuan nga inferioriteti kur takohet me diplomatë të huaj. Albin Kurti është i vetmi politikan i Kosovës me të cilin duan të diskutojnë gazetarët perëndimorë (edhe kur nuk pajtohen me të). Mbi të gjitha: nuk mund ta shantazhojë askush, gjë që është një përparësi e madhe për Kosovën. Askush nuk po kërkon nga Kurti të heq dorë nga identiteti i tij politik. Por, më shumë se në çdo veprimtari publike në politikë vlen ky parim: vetëm ai që ndryshon në mënyrë pragmatike i mbetet besnik parimeve të veta.