• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Monday, December 29, 2025
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Bota

Çfarë do të thotë “Lëvizja për Popullin dhe Shtetin” e Vuçiç për serbët nga Kosova?

by A R
25/03/2025 09:54
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

“Një formë tjetër manipulimi”. Kështu e sheh Nenad Rashiç, udhëheqës i Partisë kosovare për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, formimin e “Lëvizjes për Popullin dhe Shtetin”.

Kjo lëvizje u iniciua nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, dhe u mbështet edhe nga Lista Serbe – partia më e madhe serbe në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit.

Rashiç, ministër në Qeverinë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, thotë për Radion Evropa e Lirë se pushteti aktual në Serbi, deri më tani, ka “shënjestruar” të gjithë ata që mendojnë ndryshe, përfshirë edhe serbët nga Kosova, dhe se lëvizja e re nuk do të sjellë ndonjë gjë të re.

“Ujku qimen e ndërron, por zakonin s’e harron”, thotë ai.

Për politikanin e opozitës serbe nga Kosova, Millija Bishevac, formimi i Lëvizjes për Popullin dhe Shtetin është “një shkop në duart e dirigjentit – presidentit Aleksandar Vuçiç”.

“Ky është vetëm një instrument për të mashtruar popullin që të mendojë se po nis një histori e re”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Më 23 Mars, presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, mbajti mbledhjen e parë të komisionit iniciues për themelimin e Lëvizjes për Popullin dhe Shtetin, duke deklaruar se “është koha për të bashkuar gjithë mençurinë dhe patriotizmin”.

Në gjithë Serbinë, nga ana tjetër, janë duke u mbajtur protesta tash e katër muaj.

Nën organizimin e studentëve, protestuesit kërkojnë përgjegjësi për vdekjen e 16 personave nga shembja e një strehe në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad, më 1 nëntor të vitit të kaluar.

Autoritetet i përshkruajnë protestat si “revolucion me ngjyra” dhe “përpjekje për të përmbysur shtetin”.

Lista Serbe: Lëvizja për Popullin dhe Shtetin – shtëpi për të gjithë ne

“Në emër të popullit serb të Kosovës dhe Metohisë”, Lista Serbe tha se e mbështet themelimin e Lëvizjes për Popullin dhe Shtetin.

“Lëvizja për Popullin dhe Shtetin duhet të jetë shtëpi e të gjithë neve që e duam Serbinë dhe mburojë që duhet ta mbrojë popullin serb në Kosovë dhe Metohi”, thuhet në një komunikatë të Listës Serbe.

Kjo parti, e cila u themelua me mbështetjen e Vuçiç dhe Partisë Përparimtare Serbe në pushtet në Serbi, u bëri thirrje të gjithë “patriotëve të nderuar serbë dhe qytetarëve të Serbisë, që të jenë pjesë e lëvizjes dhe të marrin pjesë në formësimin e së ardhmes”.

“Serbët nga Kosova dhe Metohia, me përvojën e tyre shekullore në mbrojtjen e emrave dhe mbiemrave serbë, e mirëpresin themelimin e Lëvizjes për Popullin dhe Shtetin – të bindur se kjo lëvizje do t’u japë përgjigjen më të mirë të gjithë atyre që dëshirojnë ta shohin Serbinë të gjunjëzuar”, thuhet në komunikatën e Listës Serbe.

“Lista Serbe të mos flasë në emër të popullit serb”

Rashiç thotë se Lista Serbe nuk mund të flasë në emër të të gjithë popullit serb në Kosovë. Këtë, sipas tij, e tregon edhe rezultati i zgjedhjeve të fundit parlamentare në Kosovë, që u mbajtën më 9 Shkurt.

“Pa marrë parasysh se sa të parregullta ishin zgjedhjet – në kuptimin që ata [Lista Serbe] përdorën metoda të ndryshme manipulimi – ata nuk duhet të harrojnë se rreth 22 për qind e votuesve votuan kundër tyre, ose për partitë e tjera politike. Pavarësisht kësaj, ata [Lista Serbe] marrin guximin ta mbështesin Vuçiçin në emër të të gjithë serbëve të Kosovës”, thotë Rashiç për Radion Evropa e Lirë.

Në bazë të rezultateve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës, Lista Serbe fitoi nëntë nga dhjetë ulëset e garantuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës, ndërsa një mandat parlamentar e fitoi partia e Rashiçit.

Rashiç nuk beson se një numër i madh i serbëve nga Kosova do t’i bashkohen lëvizjes së formuar nga Vuçiç, por paralajmëron për “shantazh” të mundshëm për të detyruar individë të caktuar që ta bëjnë një gjë të tillë

Lista Serbe – “shkop në duart e Vuçiqit”

Bishevac beson se Lista Serbe është “shkopi në duart e dirigjentit Aleksandar Vuçiç” dhe se Lëvizja për Popullin dhe Shtetin “nuk mund të sjellë ndonjë ndryshim”.

“Të gjithë ne e kemi të qartë se Lista Serbe është vetëm zbatuese e politikës së Beogradit zyrtar. Lista Serbe nuk ka pasur kurrë autoritet në vendimmarrje, veçse ka dëgjuar gjithçka që i është thënë nga Beogradi, si dhe ka zbatuar një politikë shumë të keqe për serbët e Kosovës dhe Metohisë”, thotë ai.

Bishevac thekson se ai dhe Lëvizja e tij Popullore Serbe mbështesin gjithmonë një politikë “autentike” për serbët nga Kosova, në mënyrë që të marrin vendime që do ta përmirësonin jetën e njerëzve në terren.

Lista Serbe, shton ai, do të “shkrihet” në Lëvizjen e re për Popullin dhe Shtetin, pa u përfshirë në të shumica e serbëve nga Kosova.

“Presidenti njoftoi se do të ketë njerëz të rinj, ekspertë të rinj. Mësa di unë, ai kurrë nuk ka ftuar njerëz nga Kosova që nuk mendojnë si Lista Serbe në ndonjë bisedë, e lëre më t’i angazhojë ata në ndonjë formë të veprimit politik. Ne nuk e shohim Beogradin si armikun tonë, por ata, padyshim, kërkojnë vetëm instrumentet e veta”, thotë Bishevac.

“Lista Serbe mbështet me automatizëm Vuçiçin”

Miodrag Marinkoviç, nga organizata joqeveritare “Qendra për Veprime Afirmative Sociale” në veri të Kosovës, vlerëson se Lëvizja për Popullin dhe Shtetin nuk ka asnjë lidhje me Kosovën dhe se Lista Serbe e ka mbështetur vetëm si “subjekt politik kukull”.

“Ata mbështesin me automatizëm gjithçka që bën shefi në Beograd dhe jam i sigurt se kjo lëvizje nuk ka të bëjë me Kosovën. Ka shumë pyetje: çfarë ofron ajo lëvizje, kë bashkon, cili është qëllimi i saj? Qëllimi është ndoshta më i qartë: mbijetesa e regjimit aktual politik në Beograd dhe mbijetesa e subjekteve politike që e mbështesin këtë lloj qeverisjeje”, thotë Marinkoviç për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se formimi i Lëvizjes për Popullin dhe Shtetin mund të shihet edhe si “përgjigje ndaj rebelimit të përgjithshëm të popullit në Serbi”.

“Narrativi i përdorur për këtë qëllim është jashtëzakonisht populist. Ata e quajnë veten Lëvizja për Popullin dhe Shtetin, e ne e kemi popullin në rrugë”, thotë Marinkoviç.

Ai, gjithashtu, beson se këtë lëvizje do ta mbështesin ata mbi të cilët pushteti në Serbi “ka kontroll”, përfshirë Listën Serbe.

“Ky nuk është qëndrim politik, është akt besnikërie nga Lista Serbe. Ajo do të bëjë çfarëdo që të kërkojë Beogradi prej saj”, përfundon Marinkoviç.

Çfarë dihet për Lëvizjen për Popullin dhe Shtetin?

Për Lëvizjen për Popullin dhe Shtetin nuk dihet shumë. Për themelimin e saj, presidenti serb, Vuçiç, paralajmëroi rreth dy vjet më parë. Fokus i lëvizjes, siç tha Vuçiç në disa raste, duhet të jetë e ardhmja e Serbisë.

Hera e fundit kur ai foli për themelimin e kësaj lëvizjeje, ishte në janar të këtij viti, në një tubim në Jagodinë të Partisë Përparimtare Serbe, themelues i së cilës është vetë.

“Ju jeni të gjithë të mirëpritur në lëvizje, në lëvizjen e ndryshimeve të mëdha”, tha Vuçiç në atë kohë, por nuk specifikoi se cilat ishin ato “ndryshime të mëdha”.

Pas mbledhjes së komisionit iniciues për themelimin e kësaj lëvizjeje, më 23 mars, Vuçiç tha se “ka filluar një punë e madhe”.

“Të ofrojmë shpresë, stabilitet, siguri dhe të ardhme për Serbinë dhe fëmijët tanë”, tha ai.

Vuçiç shtoi se lëvizja u bën thirrje të gjithë “qytetarëve të ndershëm që të kontribuojnë për Serbinë, me aftësitë dhe njohuritë e tyre”, dhe “të ndihmojnë që ajo të bëhet më e suksesshmja në historinë e saj”./REL

Next Post
“Jam në Amerikë”, Mediu i shmanget gjyqit; Durda: Pres drejtësi prej 17 vitesh, procesi po zvarritet!

"Jam në Amerikë", Mediu i shmanget gjyqit; Durda: Pres drejtësi prej 17 vitesh, procesi po zvarritet!

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Kurti i ka numrat për të formuar qeverinë e re pa opozitën. Ja si ndahen mandatet në Kosovë

Kurti i ka numrat për të formuar qeverinë e re pa opozitën. Ja si ndahen mandatet në Kosovë

December 28, 2025
Kurti drejt fitores në zgjedhjet e Kosovës, Vetëvendosja nis festën me fishekzjarrë në Prishtinë

Kurti drejt fitores në zgjedhjet e Kosovës, Vetëvendosja nis festën me fishekzjarrë në Prishtinë

December 28, 2025
Zgjedhjet/ Në 81% të kutive të votimit të numëruara VV kryeson me mbi 50 % të votave. PDK forcë e dytë, LDK e treta

Zgjedhjet/ Në 81% të kutive të votimit të numëruara VV kryeson me mbi 50 % të votave. PDK forcë e dytë, LDK e treta

December 28, 2025
Numërohen 41% e kutive të votimit në Kosovë/ Kurti kryeson me 49% të votave, PDK 20% e ndjekur nga LDK me 14%

Numërohen 41% e kutive të votimit në Kosovë/ Kurti kryeson me 49% të votave, PDK 20% e ndjekur nga LDK me 14%

December 28, 2025
Deputet, nga “Hiçi”

Salianji, si Lul Basha, e Genc Pollo dikur…

December 28, 2025
Tronditëse në SHBA/ Dy helikopterë përplasen me njëri-tjetrin në New Jersey, një person humb jetën

Tronditëse në SHBA/ Dy helikopterë përplasen me njëri-tjetrin në New Jersey, një person humb jetën

December 28, 2025
Dalin shifrat e para për zgjedhjet e parakohshme në Kosovë. Kurti kryeson, por nuk e bën dot qeverinë

Dalin shifrat e para për zgjedhjet e parakohshme në Kosovë. Kurti kryeson, por nuk e bën dot qeverinë

December 28, 2025
Europa e mbytur nga kokaina/ 440 organizata kriminale, në krye rrjetet shqiptare, belge, italiane…

Europa e mbytur nga kokaina/ 440 organizata kriminale, në krye rrjetet shqiptare, belge, italiane…

December 28, 2025
Zyrtare/ Luis Enrique shpallet trajneri më i mirë në Globe Soccer Awards 2025

Zyrtare/ Luis Enrique shpallet trajneri më i mirë në Globe Soccer Awards 2025

December 28, 2025
Festat sjellin rritje të qarkullimit, sportele shtesë në pikat kufitare. Intensifikon masat e sigurisë

Festat sjellin rritje të qarkullimit, sportele shtesë në pikat kufitare. Intensifikon masat e sigurisë

December 28, 2025
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com