Kur kanë kaluar katër ditë nga ekzekutimi mafioz i biznesmenit Arjan Ferracaku, Policia e Shkodrës nuk ka asnjë person të ndaluar apo të shpallur në kërkim si përgjegjës për këtë ngjarje. I riu njihej në Shkodër si person jo problematik dhe vinte nga një familje e pasur me prona të shumta, shkruan “Panorama”.
Ferracaku, babai i dy fëmijëve të mitur, ishte person i pasionuar pas hipizmit. Ai u vra me breshëri automatik në periferi të qytetit, ndërsa bënte stërvitje me kalë. Në momentin e ngjarjes, bashkë me të ndodheshin dhe dy persona të tjerë, të cilët gjithashtu po stërviteshin me kuaj.
Marrja në pyetje e tyre nga grupi hetimor nuk ka zbuluar asnjë informacion të dobishëm për Policinë. Madje, në bazë të të dhënave që ata kanë dhënë, hetuesit kanë ngritur dyshime se po fshehin të vërtetën. Sipas tyre, në momentin e të shtënave, ata kanë zbritur nga kuajt dhe janë shtrirë barkas dhe më pas janë fshehur në kanalin kryesor të fushës së Dobraçit.
Ata kanë deklaruar se kanë dëgjuar disa herë të shtëna dhe të terrorizuar nga ajo që ka ndodhur, kanë humbur nga shikimi shokun e tyre. Sipas hetuesve, autori, pasi i ka zënë pritë Arjan Ferracakut dhe e ka rrëzuar nga kali me disa të shtëna, e ka ndjekur nga pas. Edhe pse është siguruar se ka vdekur, autori e ka qëlluar disa herë në kokë. Kjo gjë, përveçse përjashton pistën e ngatërrimit të shënjestrës, ngre dyshime se i riu mund të jetë nxjerrë në pritë nga miqtë e tij ose ata mund të jenë të frikësuar.
Për këtë arsye, Policia u ka ofruar atyre mbrojte nëse bashkëpunojnë. Policia e Shkodrës thotë se 30-vjeçari ishte pronar i një kompleksi turistik në Velipojë të quajtur “Fantazia” si dhe i një restoranti në Shkodër, pranë lumit të Bunës, me emrin “Zus”. Për këtë arsye, hetimet janë përqendruar te ndonjë konflikt që i riu mund të ketë pasur me grupet kriminale që veprojnë në qarkun e Shkodrës.
Sipas hetuesve, Ferracaku mund të ketë refuzuar të paguajë ndonjë gjobë të vendosur prej tyre dhe kjo mund të ketë çuar në ekzekutimin e tij. Mënyra e ekzekutimit përforcon akoma edhe më shumë këtë pistë. Përveçse mbi trupin e 30-vjeçarin janë derdhur shumë plumba, autori i vrasjes i ka marrë telefonin dhe portofolin.
Pavarësisht se në qytetin veriperëndimor kanë mbërritur ekspertët më të mirë të Policisë së Shtetit, deri tani ata nuk kanë mundur dot të bien në gjurmët e autorit të krimit. Gjatë ditëve të fundit, në Shkodër gjithashtu është vërejtur prezencë e shtuar e forcave të Rendit, të cilët ushtrojnë kontrolle për parandalimin e ngjarjeve kriminale.