Juristi Ylli Manjani ka reaguar për lajmet që po qarkullojnë ditët e fundit, se gjyqtarë të Republikës po detyrohen të marrin vendime kundër bindjes së tyre, për “çështje të nxehta” që janë duke ndodhur aktualisht, pasi po shantazhohen nga prokurorët e SPAK.
Sipas Manjanit, shantazhi në vetvete është akt mafioz dhe shumë më i rëndë sesa e liga që mund të ketë bërë i shantazhuari.
Avokati dhe ish-ministri i Drejtësisë sqaron se përgjegjësia për aktet e administruara në dosje i takon organit që i administron ato për shkak të hetimit, rrjedhimisht SPAK.
Postimi i plotë i Ylli Manjanit:
Shantazhi është krim mafioz
Përdorimi për shantazh i të dhënave hetimore që janë siguruar në hetimet ndaj Ergys Agasit, quhet krim. I organizuar madje në stil mafioz.
Vendimet nën shantazh janë të padrejta.
Shantazhuesi është kriminel i tipit mafioz. Kushdo që e bën ashtu quhet: mafioz.
Kujdes, shantazhi nuk është korrupsion, as ndikim i paligjshëm e as shpërdorim detyre. Këto të fundit ti puthësh e ti vësh në ballë përpara shantazhit mafioz.
Nëse është e vërtetë se me të dhënat hetimore të dosjes “Agasi” shantazhohen gjykatës e prokurorë, akti është i rëndë dhe i tipit mafioz. Edhe kur këtë gjë e bëjnë shtetarë të drejtësisë njësoj është, mafioz.
Vendimet e gjykatave, ku gjykatësve të tyre u tregohet materiali shantazhues, janë të padrejta. Janë mafioze.
E kuptoj se shumë njerëz mendojnë se përse e kanë bërë veten ata gjykatës e prokurorë të shantazhueshëm. Edhe unë nuk po i justifikoj në asnjë kuptim, përkundrazi i ftoj të dorëhiqen sa më parë nga detyrat të mbajnë.
Gjyqtarë të Kushtetueses të parët.
Gjyqtarë të Vettingut, gjykatës e prokurorë që e dinë se janë të shantazhueshëm, duhet të dorëzojnë detyrën, përpara se të kapen gafil.
Por shantazhi në vetvete është akt mafioz. Shumë më i rëndë sesa e liga që mund të ketë bërë i shantazhuari.
Nuk e di se ç’video, foto apo biseda telefonike ka SPAK në atë dosje, por përdorimi ligjor i tyre nënkupton vetëm në atë proçes, dhe jo kundër kujtdo tjetër jashtë tij. Çdo përdorim tjetër quhet shantazh. Mafie quhet.
Gjithnjë nëse janë të vërteta aludimet ne nënzëshme për gjykatës që ndryshojnë mendim dhe marrin vendim kundër asaj që mendojnë.
Tani i bie t’i lutemi Gysit ti nxjerrë ato video vetë që të bjerë përdorimi i “monopolizuar” i tyre nga ata që i administrojnë për shkak të hetimit.
Me atë rast u bie edhe çmimi spekulantëve politikë e mediatikë…
Mirë do ishte në fakt, të dalin ato video, foto e biseda që të bëhet edhe një vetting tjetër në drejtësi dhe, mbase kuptojmë edhe se kush ka kërkuar “ndihmë” për të kaluar vettingun…
Se me shantazhe nuk ndërtohet asgjë e drejtë.











