Gianni De Biasi e ka pëlqyer fanellën e re të kombëtares, duke e quajtur atë të denjë për një rast të madh, siç janë finalet e kampionatit europian. Por, vëmendja e trajnerit nuk ka qenë te fanellat se sa te forma e kuqezinjve të tij. Për disa ka qenë shqetësuese mungesa e aktivizimit, çka mund të sjellë rënie në formë. Italiani është ndjerë i çliruar nga fakti që gjatë merkatos lojtarë të rëndësishëm kanë gjetur skuadra të reja, për më tepër në vendin e tij, ku mund t’i vëzhgojë edhe më mirë.
“Të paktën dy lojtarë kanë ndërruar fanellë dhe kanë patur mundësinë për të gjetur skuadër në Itali. Njëri është Gjimshiti dhe tjetri Ajeti që ka luajtur disa ndeshje së fundmi. E qartë se detyra e skuadrës së tij është shumë e vështirë, por për ne e rëndësishme është të fitojë përvojë në një kampionat të vështirë si ai italian. Shpresoj që Gjimshiti të ketë mundësinë të luajë me një lloj vazhdimësie te Atalanta dhe ta shfrytëzojë këtë rast, pasi është një eksperiencë e rëndësishme për një djalë të ri si ai”.
Veç tyre, është edhe Migjen Basha, i cili sot ka firmosur me Comon në Serie B.
“Më mirë kështu, folëm bashkë dhe më kërkoi një këshillë. Eshtë e qartë që më mirë se sa të rrijë te Lucerna ku nuk luan të aktivizohet në një skuadër të Serisë B, edhe pse e fundit në klasifikim, por nga të fundit vetëm mund të rritesh. Gjëja më e rëndësishme për të është të luajë dhe të gjejë minutat pasi ka luajtur pak në pjesën e parë të sezonit, ndaj në të dytën më mirë të më tregojë se luan”.
Një tjetër lojtar i rëndësishëm që ka problem aktivizimin është Mërgim Mavraj, që nuk ka luajtur me Këlnin pas kthimit nga dëmtimi, ndërkohë që Ergys Kaçe luan pak te PAOK-u.
“Të gjithë kanë nevojë të luajnë, përfshi edhe Kaçen që është nxjerrë disi mënjanë nga PAOK-u. Është e qartë që, nëse Berisha vazhdon të luajë si ka bërë së fundmi me ndeshje të bukura, uroj që të zgjasë qëndrimin në skuadrën e parë të Lazios ndërsa dhe për pjesën tjetër e rëndësishme është që të luajnë dhe mbi të gjitha në arrijnë në një kondicion fizik të mirë në Europian”.
Në këtë kontekst De Biasi paralajmëron edhe transferimin e shpejtë të Shkëlzen Gashit por pa përmendur destinacionin.
“Ajo e Gashit është një situatë e hapur. Mund të shkojë në një vend apo në një tjetër, por të ndalemi një moment dhe të shohim se çfarë do të ndodhë sot neser apo të hënën që janë dhe afatet e fundit të merkatos në Europë”.