Çështja çame ka përplasur dy partitë e koalicionit qeverisës, Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe Partinë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet. Pas kritikave nga Shpëtim Idrizi për qëndrimin e Metës në lidhje me çështjen çame gjatë vizitës në Greqi, një tjetër reagim edhe më i ashpër vjen nga partia e çamëve. Deputeti Aqif Rakipi i ka cilësuar deklaratat e Metës në Athinë si antishqiptare.
“Ajo deklaratë është anti-shqiptare. Metës i është bërë pyetja direkt, a ekziston Çështja Çame dhe ai thotë të shikohet për të ardhmen. Kjo deklaratë është as mish, as peshk. Çështja Çame është ngritur në Bruksel dhe mos ta ngrejë kryetari i Parlamentit shqiptar, kjo nuk është normale, nuk di çfarë mund të them”, u shpreh Rakipi.
Ai komentoi edhe dkelaratën e Metës se “në Shqipëri nuk ka parti serioze me axhendë nacionaliste”, duke shtuar se kauza e Ilir Metës “dihet se kush është…”.
“Ne si parti jemi parti më serioze se sa Meta, sepse kemi një kauzë. Kauza jonë dihet se cila është dhe kauza e Metës dihet se për çfarë është. Ne jemi parti kombëtare. Çështja Çame nuk është çështje e vetëm 5 deputetëve apo e një partie, ajo është një çështje e gjithë shqiptarëve dhe e historisë së Shqipërisë.”, tha më tej deputeti i PDIU Rakipi.
Ai nuk i kurseu kritikat me tone të ashpra as ndaj deputetëve që ishin pjesë e delegacionit të kryesuar nga kryeparlamentari Meta.
“Agjendën e vetë e cakton ai, nuk ia caktoi Greqia. Megjithëse po të shikosh edhe grupin që ka shkuar në Greqi, kuptohet për çfarë mund të flitet. Ka marrë gjithë grekët me vete. Ka marrë 3 grekë me vete dhe asnjë nga pala jonë. Ai shkoi atje dhe duhet të kishte bërë pjesën e vet”, tha deputeti i PDIU Rakipi./a.m.











