Emigracioni i shtuar, plakja e popullsisë dhe shtesa e ulët natyrore kanë përmbysur projeksionet e censit të vitit 2011, ku pritej që popullsia e Shqipërisë të zbriste nën 2.5 milionë banorë pas vitit 2031, por në fakt ndodhi e kundërta pasi vendi tanimë numëron 2.4 milionë banorë, kur projeksionet flisnin për 2.7 milionë banor në këtë vit.
Por si shpërndahet popullsia e vendit në qarqe?
Në censin e vitit 2023, tregohet se me përjashtim të Tiranës, që është e mbipopulluar, të gjitha qarqet e tjera janë në rënie dyshifrore në përqindje. Ndërsa në numër Fieri, Elbasani dhe Shkodra kanë pësuar rënien më të lartë të popullsisë. Numri i banorëve në qarkun e Fier me 69 mijë banorë më pak dhe Elbasani është ulur me mbi 63 mijë, ndjekur nga Shkodra që është tkurrur me 60 mijë në raport me rezultatet e vitit 2011. Kurse dy qarqet me më pak banor janë Gjirokastra që ka humbur mbi 12 mijë individë në 12 vite, dhe Kukësi që ka vetëm 61.9 mijë banorë me rënie me 23 mijë më pak se në 2011.
Nga rezultatet paraprake tregohet se qarku i një mbi një dritareve e ka ruajtur popullsisë. Berati ka humbur vetëm 0.6% të popullsisë që ka pasur në 2011-ën, pasi aktualisht ka 140.956 banor nga 141.944 banor që kishte para 12 vitesh. Një tjetër qark që ka humbur shumë banor është ai i Durrësit, por të dhënat për këtë territor kanë ndryshuar shumë pas tërmetit të 2019-ës pasi shumë banor janë zhvendosur me banesa me qira dhe ende nuk kanë marrë apartamentet e reja plotësisht. Në total ky qark numëron 226.863 banor, ose rreth 36 mijë më pak se në 2011-ën.
Ashtu siç edhe pritej për shkak të përqendrimit ekonomik Tirana i ka rrëmbyer qarqeve të tjera 9 mijë banorë. Në cens thuhet se për shkak të migracionit të brendshëm, rezulton se në Tiranë është e vendosur 31.6% e popullsisë, nga 26,8% në 2011. Aktualisht në qarkun e Tiranës, banojnë 758.513 banor.
Me shifrat e reja të cens në pikëpyetje vihet edhe reforma territoriale, e cila kishte si synim të zhvillonte qytetet, por shifrat tregojnë që veç Tiranës kudo ka rënie. Një tjetër tregues që duhet të merret në konsideratë ka të bëjë edhe numrin e popullsisë sipas bashkive, ku ato paraprake tregojnë se 15 bashki të vendit kanë më pak se nga 10 mijë banor, ku Pusteci numëron vetëm 1.843 persona. Pra, a duhet një bashki për vetëm kaq banor? E njëjtë është situata edhe në Libohovë, Këlcyrë e Konispol.