Reforma zgjedhore duhet të përfundojë sa më shpejt. Këtë apel bëri në Intervistën me Merita Hakljan, komisioneri shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, teksa diskutoi për votën e emigrantëve dhe riskun që ekziston për të mos u realizuar as brenda këtij viti.
“Kjo reformë të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur, që të kemi kohë për zgjedhjet e ardhshme. Ajo që është e rëndësishme është se çfarë duhet të adresojë reforma zgjedhore. Një prej tyre është mënyra e funksionimit të komisionerëve të niveleve të dyta e të treta dhe të vendosin të shprehen se çdo bëhet me votën nga jashtë”.
Sipas tij kjo votimi nga jashtë është i vonuar, por topi thotë Celibashi, është tek politika dhe institucionet, pasi KQZ, thekson ai, i ka bërë të gjitha përpjekjet për votimin nga jashtë.
“Ne bëmë të gjitha përpjekjet për votimin nga jashtë, i bëmë të gjitha çfarë kishim në dorë, KQZ duhet të përgatiste kuadrin rregullator dhe sa kohë nuk patëm konsensusin e spektrit politik nuk mund të hyjë në lojë, si do votohej si do regjistroheshin nga jashtë, si do të llogaritej rezultati këto tre element KQZ do të duhej t’i kishte zgjidhur vetë. Në mungesë konsensusi politik ishte risk i madh të realizoje këtë proces. Nëse do të hyje në këtë proces do t’i jepje goditje të madhe votimit nga jashtë dhe nuk do të zhvillohej më asnjëherë. Jemi të vonuar në realizmin e votimit nga jasht,ë por kur ta zhvillojmë të jetë solid dhe me të gjitha garancitë. Kodit zgjedhor i mungojnë rregullat. Topi është te politika dhe institucionet si kuvendi që do të duhet të miratojnë aktet rregullatore”.
I pyetur se cili votim është më i besueshëm, votimi i emigrantëve me postë apo me elektronikë, Celibashi thotë se në tetor do të organizohet një tryezë për këtë çështje. Sipas tij politika duhet të veprojë shpejt se rreziku është në prag.
“Ka disa mënyra dhe të kombinuara. Nuk kam mendim të konsoliduar për këtë çështje. Në mes të tetorit po përgatitemi për konferencë kombëtare të nivelit të lartë. Do të ftojmë përfaqësues të partive politike, Kuvendit, organizatave të shoqërisë civile, por edhe aktorë të tjerë, për të parë ku jemi dhe ku do të shkojmë. Do të jetë rast i mirë që secili të thotë fjalën e vet. Por ajo që është më e rëndësishme; 3 forcat kryesore politike PS, PD, PL, duhet të punojnë për këtë çështje që brenda këtij viti të bëjnë plotësimet e nevojshme ligjore. Nëse nuk bëhet brenda këtij viti, shkelet vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe risku që ky proces të dështojë në zgjedhjet e 2025 është i madh”.
Celibashi argumentoi pse preferon sistemin mazhoritar dhe theksoi se zgjedhja bëhet nga ata që kanë votat. Për ata që kërkojnë proporcionalin kombëtar dhe listat e hapura, kreu i KQZ-së sqaroi se nuk zgjidh problematikat e sotme, pasi në çdo rast listat i zgjedh kryetari.
“Çështja e zgjedhjes së sistemit zgjedhor është tërësisht politike, ai që i ka votat zgjedh sistemin që do. Dhe kjo ndodhe edhe në vende me të zhvilluara. Ai që ka votat zgjedh sistemin. Do të ishte mirë modeli grek që zgjedh sistemin që do, por ky sistem hyn në fuqi jo për zgjedhjet e radhës. Personalisht kam parapëlqyer mazhoritarin, sistemi që kemi pasur në 2001-2005 është më i përshtatshmi për kushtet e Shqipërisë për mendimin tim. Proporcionali kombëtar me lista të hapura nuk është ide e keqe, por parapëlqej mazhoritarin, megjithëse edhe sistemi me listat e hapura duhet ta them se ata që advokojnë këtë nuk shoh se e lexojnë siç duhet interesin e tyre politik, pasi dhe ky ka problematikat e veta dhe nuk mendoj që i shmang të gjitha ato që ne kërkojmë të bëjmë ndryshimin. I zgjedh lidershipi jo kryetarët, lista në çdo rast do të ketë ata që do kryetari. Nëse lideri i një partie nuk i do ata që zgjedh populli, nuk i përfshin në listë. Ai që është lider i fortë politik, është i fortë dhe e vështirë ta sfidosh brenda atij sistemi”.
Për Celibashin vota preferenciale nuk e përmbushi qëllimin e vet, por thekson se për rregullat antikushtetuese, i duhet Kuvendit t’i japë zgjidhje që të mos bëhen ngarkesë për KQZ-në.
“Vota preferenciale nuk e përmbushi qëllimin e vet, nuk jam për sistemin miks, o proporcional, o mazhoritar. Këto të tjerat më duken pak të studiuara. E rëndësishme është që meqënëse Gjykata Kushtetuese i shpalli antikushtetuese disa rregulla që lidhen me sistemin proporcional ose herësin, i duhet Kuvendit t’i japë zgjidhje sepse do të bëhet objekt interpretimi dhe do i bëhet barrë mbi KQZ kriza politike”.
/a.d