Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi ka njoftuar se procesi i hapjes së Qendrave të Votimit nuk është shoqëruar me ndonjë problematikë të theksuar në 6 bashkitë ku sot zhvillohen zgjedhjet vendore.
Celibashi tha se në 2 QV në Shkodër nuk ka filluar votimi për shkak të vonesës së komisionerëve të cilët nuk kanë mundur të shkojnë për shkak të motit. Në 1 QV në Sharrë po bëhet votimi manualisht pa identifikim biometrik.
Në Dibër janë 101 QV dhe në të gjitha ka nisur procesi i votimit. Problematikat janë shfaqur për shkak të reshjeve të dëborës pasi nuk ka energji elektrike.
Celibashi tha se në 1 QV në Durrës po kryhet procesi i identifikimit pa pajisjen teknologjike. Në Vorë dhe Rrogozhinë po vijohet normalisht dhe janë hapur të gjitha QV-të. Megjithatë, Celibashi tha se në gjysmat e qendrave të votimit në Vorë nuk janë anëtarët e plotë të komisionerëve, por është kuorumi minimal i tyre dhe prandaj po zhvillohen normalisht votimet.
Celibashi tha se kanë ndodhur dy incidente në Durrës dhe Dibër, por pa ndikim në procesin e votimit.
/a.r