Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela ka raportuar në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, për veprimtarinë e punës së bërë gjatë muajit 2022.
Gjatë fjalës së tij, prokurori Çela është shprehur se në vitin 2022 ka pasur një vakancë prokurorësh në 42% për shkak të rivlerësimit kalimtar.
“Vitin e kaluar vijoi krijimi i vakancave të përkohshme dhe të përhershme deri në 42 % të prokurorëve për shkak të rivlerësimit kalimtar. Ndërkohë, mëgjithë situatën e rënduar, prokurorët dhe strukturat administrative e mbështetëse në prokurori vazhduan përpjekjet për të përballuar këtë gjendje kalimtare.”
Për punën e vitit 2022, Prokurori Çela ka veçuar masat e marra për ndjekjen e rekomandimeve të rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë nëpërmjet hartimit të planit të veprimit për ndjekjen e rekomandimeve të rezolutës dhe mbikëqyrja e zbatimit të tij.
Prokurori i Përgjithshëm thotë se kujdes i veçantë i është kushtuar rritjes së efiçencës së bashkëpunimit dhe koordinimit ndërinstitucional në nivel qëndror e vendor, me miratimin dhe zbatimin e akteve të përbashkëta me disa institucione të përfshira në marrëveshje dhe memorandume bashkëpunimi.
Prokurori Çela thotë në kuadrin e hartës së re gjyqësore, Prokuroria e Përgjthshme në bashkërendim dhe koordinim me Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Ministrinë e Drejtësisë, se është përfshirë, angazhuar dhe ka kontribuar në fazën përgatitore të hartës së re gjyqësore.
Olsian Çela: Përgjatë vitit 2022 është kryer mjaft punë për arritjen e një sërë objektivash në fokusin e veprimtarisë së Prokurorisë së Përgjithshme. Do të evidentoja këtu masat administrative dhe procedurale institucionale, siç janë miratimi i udhëzimeve të përgjithshme dhe planeve të veprimit për të vijuar unifikimin e veprimtarisë së prokurorive me juridiksion të përgjithshëm dhe mbikëqyrja e zbatimit tyre, për rritjen e efiçensës dhe efektivitetit në veprimtarinë e sistemit të prokurorisë bazuar në një kuadër normativ të unifikuar dhe sa më të konsoliduar në veprimtarinë institucionale. Kujdes i veçantë i është kushtuar vijimit të zbatimit të akteve të përbashkëta me disa institucione e agjenci ligjzbatuese ndërvepruese dhe miratimit të marrëveshjeve të reja për të rritur kapacitetet institucionale e profesionale dhe efiçencën e bashkëpunimit ndërinstitucional, ku veçojmë:
Masat e marra për ndjekjen e rekomandimeve të rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë nëpërmjet hartimit të planit të veprimit për ndjekjen e rekomandimeve të rezolutës dhe mbikëqyrja e zbatimit të tij, me efekte në përmirësimin e mbarëvajtjes së punës në administratën e prokurorive të shkallës së parë dhe të apelit, me qëllim sigurimin e rritjes së performancës dhe efikasitetit në organizimin, drejtimin dhe mbikëqyrjen e punës në çdo prokurori, forcimin e kapaciteteve profesionale nëpërmjet përgatitjes së manualit për pastrimin e parave dhe rikuperimin e aseteve në bashkëpunim me projektin Eu4Focal (FIIAPP-Spanjoll), nëpërmjet trajnimimit vazhdues të prokurorëve dhe oficerëve të policisë gjyqësore në Shkollën e Magjistraturës si dhe trajnimeve të organizuara në bashkërendim me misionet ndërkombëtare që asistojnë prokurorinë përfshi dhe policinë gjyqësore.
Ndërkohë, kujdes i veçantë i është kushtuar rritjes së efiçencës së bashkëpunimit dhe koordinimit ndërinstitucional në nivel qëndror e vendor, me miratimin dhe zbatimin e akteve të përbashkëta me disa institucione të përfshira në marrëveshje dhe memorandume bashkëpunimi. Ka vijuar bashkëpunimi me autoritetet gjyqësore të huaja nëpërmjet zyrës të prokurorit ndërlidhës në Eurojust. Vlen të theksohen nënshkrimi i marrëveshjes së punës dy palëshe me Zyrën e Prokurorit Europian në Luksemburg si dhe i memorandumit të mirëkuptimit me Shoqatën Ibero-Amerikane e Prokurorëve Publikë (AIAMP), aktivitete që evidentojnë tregues në rritje të bashkëpunimit si brenda vendit ashtu edhe me partnerët ndërkombëtarë e autoritetet gjyqësore të huaja në fushën penale. Këto kanë ndikuar në rritjen e besimit tek institucioni i prokurorisë nga partnerët tanë në marrëdhëniet juridiksionale me jashtë.
Masat e marra për ndjekjen e rekomandimeve prioritare të Këshillit të Ministrave “Për luftën kundër kriminalitetit për vitin 2022” nëpërmjet, miratimit dhe zbatimit të udhëzimit të përgjithshëm ashtu dhe miratimit të planit të veprimit, masa këto me efekte orientimi të politikave institucionale, për ndjekjen e unifikuar të rekomandimeve prioritare të KM, nëpërmjet masave administrative dhe procedurale të përcaktuara për drejtuesit e prokurorive, për riorganizimin e brendshëm dhe forcimin e kapaciteteve institucionale dhe profesionale prioritare të rekomanduara, si dhe për koordinim dhe monitorim në vazhdimësi të ecurisë së tyre, për garantimin e pavarësisë së prokurorëve, llogaridhënies, forcimin e ligjshmërisë dhe respektimin e procesit të rregullt ligjor nga prokurorët në ushtrimin e funksioneve.
Në kuadrin e hartës së re gjyqësore, Prokuroria e Përgjthshme në bashkërendim dhe koordinim me Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Ministrinë e Drejtësisë, është përfshirë, angazhuar dhe ka kontribuar në fazën përgatitore të hartës së re gjyqësore, si një nevojë e domosdoshme në kushtet aktuale të gjendjes së shkaktuar nga vakancat në sistemin e prokurorisë, për të mundësuar rritjen e kapaciteteve institucionale dhe profesionale në prokurori, si dhe për të mundësuar rritjen e kapaciteteve akomoduese me ambjente pune për prokurorët, oficerët e policisë gjyqësore të seksioneve, administratën dhe shërbimet mbështetëse, si dhe përdorimin me efektivitet të fondeve buxhetore për përmirësimin e infrastrukturës. Ndërkohë, me miratimin e hartës së re gjyqësore u miratua udhëzimi i përgjithshëm “Për masat administrative dhe proceduriale për zbatimin e hartës së re gjyqësore në prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë dhe gjykatës së apelit të juridiksionit të përgjithshëm”. Ky udhëzim i përgjithshëm ka unifikuar masat administrative dhe proceduriale që duhen marrë fillimisht nga prokuroritë pranë gjykatave të apelit, me efekte zbatimi më datë 1 shkurt 2023, dhe në vijim nga prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm, me efekte zbatimi më 1 maj 2023, për administrimin e tyre pranë prokurorive që i përfshijnë brenda kompetencave tokësore[1] sipas hartës së re gjyqësore, si dhe për të garantuar respektimin e të drejtave dhe lirive të personave nën hetim, të pandehurve e viktimave në procesin penal, dhe ruajtjen e sekretit të hetimeve apo ndalimin e publikimit të akteve proceduriale penale, në zbatim të parimit të ligjshmërisë dhe sigurimin e vazhdimësisë të shërbimeve për publikun në prokurori, sipas afateve të përcaktuara, për të mundësuar funksionalitetin e secilës prokurori
– Masat e marra në drejtim të forcimit të pavarësisë së prokurorëve, mirëfunksionimit të zyrave të prokurorive dhe rritjes së efiçencës të punës në çdo prokurori, nëpërmjet vijimit të monitorimit të zbatimit të udhëzimit të përgjithshëm nr.12/2020.
-Vijimin e masave të marra nëpërmjet koordinimit dhe monitorimit të zbatimit të udhëzimeve të përgjithshme për përmirësimin e punës në prokurori në drejtim të respektimit të të drejtave të viktimave të krimit, veçanërisht ato të dhunës në familje e grupeve vulnerabël dhe të miturve në konflikt me ligjin, viktimë ose dëshmitar, si dhe organizimin e tryezave të diskutimeve dhe pjesëmarrjes në trajnime, masa këto që do të vijojnë të jenë në fokusin tonë edhe në vitin 2023.
-Në përmbushje të detyrave kushtetuese e ligjore, rekomandimeve të rezolutës dhe rekomandimeve të BE, Prokuroria e Përgjithshme është angazhuar dhe ka kontribuar në përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga procesi i integrimit në Bashkimin Europian, fokusuar në realizimin e aktiviteteve. Përmendim këtu miratimin e urdhrit “Për ndryshime dhe shtesa në “Rregulloren për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë së Përgjithshme” të strukturës përkatëse të integrimit në Prokurorinë e Përgjithshme, ku normohen funksionet për përmbushjen e detyrave dhe angazhimeve institucionale të prokurorisë në kuadrin e integrimit europian të vendit. Ka vijuar përmbushja e rekomandimeve që rrjedhin nga procesi i integrimit në BE, nëpërmjet veprimtarisë të Prokurorit Ndërlidhës të Shqipërisë në Eurojust dhe plotësimi i kërkesave në rekomandimin R.38 të Komisionit të Ekspertëve të KiE-së Moneyval për Shqipërinë, plotësimi në bashkërendim dhe koordinim me Prokurorinë e Posaçme i rezultateve immediate IO.7 dhe IO.8 të planit të veprimit të FATF/ICRG. Ka vijuar kontributi në përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga procesi i integrimit në kuadër të takimeve dypalëshe “Screening” Bashkimi Evropian – Shqipëri, për Kapitullin 23 “Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore”, Kapitullin 24 “Drejtësia, Liria, Siguria” si dhe në aktivitetet e tjera në përmbushje të këtyre angazhimeve.
– Në kuadrin e mbikëqyrjes së zbatimit të rekomandimeve të rezolutës së Kuvendit dhe të Këshillit të Ministrave, objektivave institucionale, udhëzimeve të përgjithshme dhe planeve të veprimit të miratuara, ashtu si u theksua dhe ne hyrje të këtij raportimi, jemi të ndërgjegjshëm se realizimi i tyre është vështirësuar, si për shkak se në të gjithë nivelet e prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm vijon krijimi i vakancave të përkohshme dhe të përhershme në këtë periudhë të gjatë kalimtare, ashtu dhe nevojave për ndryshimeve ligjore në kuadrin e implementimit të reformës dhe në prokuroritë me juridiksion të përgjithshëm.
/a.r