Ish- prokurorja për krime lufte, Carla Del Ponte, ka thënë se do të largohet nga komisioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për hetimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut në Siri, me arsyetimin se i njëjëti “nuk po bën asgjë”.
“Jam shumë e frustruar, heq dorë”, i ka thënë Del Ponte, gazetës Blick, gjatë një interviste.
“E kam shkruar letrën e dorëheqjes dhe do ta dërgojë brenda disa ditësh”, ka shtuar tutje ajo.
“Shtetet e Këshillit të Sigurimit nuk duan drejtësi. Nuk do të vazhdojë të jem pjesë e një komisioni, i cili nuk bën asgjë”, ka thënë ndër të tjera Del Ponte.
Del Ponte, ka shërbyer si prokurore në tribunalet për krime ndërkombëtare për të hetuar mizoritë në Ruandë dhe ish Jugosllavi.
Ajo ka thënë, se krimet në Siri kanë qenë më të mëdha se ato në Ruandë apo ish-Jugosllavi, dhe ka kritikuar Këshllin e Sigurimit për dështim të emërimit të një paneli për krimet e luftës në Siri.
Bazuar në të dhënat e Observatorit Sirian, thuhet se në luftën gjashtëvjeçare në Siri, kanë vdekur më shumë se 330,000 persona, duke përfshirë 99,617 civilë.
Shtetet e Bashkuara dhe Turqia, mbështesin disa grupe rebele që luftojnë kundër qeverisë së presidentit Bashar al-Assad, i cili përkrahet nga Rusia dhe Irani./REL/a.m.