Minsitri i Financave Shkëlqim Cani ka mbledhur në një takim përfaqësues të biznesit ku janë shtruar për diskutim disa çështje që lidhen me platformën e re teknologjike të TVSH-së, luftën kundër informalitetit dhe paketën fiskale të vitit 2017.
“Synimi jonë paketa fiskale për 2017. Së dyti, të bisedojmë për fazën e dytë ku kemi hyrë te informaliteti, sepse në periudhën korrik-shtator dhe shtator-dhjetor ishin dy pjesë të fazës së parë të kësaj strategjie, po të doni e quajmë dhe luftë kundër informalitetit. Dhe tani duam të hyjmë në fazën e dytë, që jemi në fazën përmbyllëse të disa dokumenteve. Dhe së treti, me që është çështje e ditës kjo e platformës teknologjike për TVSH, ju jeni pjesë që potencialisht, do jetë e ftuar për të marrë pjesë në tenderin ndërkombëtar dhe do donim të jepnit mendime. Dhe ju të jepni mendime për këtë platformë, partneritet publik”, tha Cani.
Ministri nuk u ndje komod kur pa se prezenca e përfaqësuesve të biznesit në këtë takim nuk ishte në nivelet që ai priste. Por, ai tha se diskutimi i paketës fiskale të vitit 2017, kaq herët, është një model i ri pune, për të diskutuar dhe për të pasur kohë për të analizuar çdo ndryshim. Ndaj sipas Canit, biznesmenët duhej ta kishin marë më seriozisht këtë takim.
“Nuk po e them në formë kritike, por po shoh që prezenca nuk qenka ajo që prisnim. Juve u është dukur sikur po nxitojmë lidhur me paketën e vitit 2017, ne në fakt duam të ndërrojmë metodën e të punuarit. Nuk duam të plotësojmë ditët e fundit të 2016 paketën për 2017. Ne kemi si objektiv, nuk jua premtojmë 100 %, por në mbylljen e Kuvendit në korrik, ne të kemi miratuar paketën ligjore, pra ligjet që do i përkasin vitit 2017 duhet të jenë miratuar në fund të korrikut, që të kemi më shumë hapësirë për të debatuar me nesh, për të diskutuar”, tha Cani.









