Ministri i Financave Shkëlqim Cani, ka sqaruar sot në një konferencë për shtyp se eurobondi i emetuar pak ditë nga qeveria shqiptare për 450 milionë euro është pjesë e një strategjie të gjerë që synon lehtësimin e financimit të borxhit publik.
Ai e vlerësoi këtë si një ngjarje të rëndësishme. Marrja e eurobondit bëhet për 2 qëllime, tha Cani. Së pari të zëvendësojë eurobondin e vjetër të vitit 2010 prej 300 milionë euro. “Së dyti shuma e mbetur prej 150 milionë euro është e mjaftueshme, që ne të tërhiqemi nga tregu i brendshëm”. Cani tha se kjo bëhet në mënyrë që të lihet hapësirë për biznesin, që të mund të marrë huanë e nevojshme. Kjo shumë prej 150 milionë eurosh do përdoret për shpenzime kapitale, ose operative, pra për nevojat e buxhetit.
Cani tha se një nga mënyrat kryesore për të tërhequr kreditimin është që qeveria të tërhiqet nga financimi i borxhit në tregun e brendshëm dhe duke bërë presion për interesa të ulëta.
Ministri i Financave sqaroi se pavarësisht se nga ç‘thuhet ka 24 vjet rresht që Shqipëria kur bën buxhetin e vitit të radhës del me deficit, ashtu si do jetë dhe buxheti i vitit 2015 dhe ai i 2016. “Kjo nënkupton që të ardhurat që realizojmë nuk arrijnë të mbulojnë shpenzimet, ndaj na duhet doemos borxh. Nuk kemi arritur asnjëherë që të dalim me suficit dhe kjo ndodh dhe me shumë vende, edhe me ato të zhvilluara”.
E rëndësishme është që niveli i rritjes ekonomike të jetë më i lartë se niveli i borxhit që marrim, tha ministri.
Cani pohoi se kërkesa e lartë për eurobond nënkupton se Shqipëria vlerësohet për reformat strukturore. Në Shqipëri janë 12 reforma që kanë filluar, tha Cani dhe kanë marrë vlerësimet maksimale.
Lidhur me interesin prej 5.75%, Cani tha se Shqipëria vlerësohet në grupin B, një rang me lart se grupi i keq. Me reformat synojmë të dalim nga grupi B dhe të ecim drejt A-së. Tregjet reagojnë mbi bazën ku klasifikohet. “Norma e interesit është shumë e mirë për grupin e vendeve ku klasifikohet”, tha Cani.
Të premten e javës së kaluar, Republika e Shqipërisë emetoi 450 milionë euro Eurobond me afat maturimi 5 vjeçar. Më herët financat kishin paguar eurobondin e parë prej 300 milionë eurosh, i emetuar në 2010 dhe që u maturua në 4 nëntor 2015 duke përdorur kredinë e Deutsche bank prej 250 milionë eurosh dhe huanë e marrë në tregun e brendshëm. (monitor.al)