Gjykata e Lartë ka regjistruar rekurset e depozituara nga Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi kundër masave të sigurisë. Në këtë gjykatë Meta kërkon të rrëzojë masën “arrest në burg”, ndërsa Kryemadhi “detyrimin për paraqitje”. Në Gjykatën e Lartë shqyrtimi i kësaj çështjeje do të relatohet nga gjyqtari Ilir Panda.
Pasi depozitoi rekursin muajin e kaluar, avokati i Metës, Genc Gjokutaj, tha se i ka kërkuar Gjykatës së Lartë të shfuqizojë masën e dhënë nga dy shkallët më të ulëta, me pretendimin se ish-presidenti i Republikës po mbahet në paraburgim pa asnjë provë.
Sipas avokatit, mes argumenteve për lirimin e Metës ishte listuar edhe nevoja për të qenë pjesëmarrës në fushatën elektorale të para 11majit. Gjokutaj tha se Gjykata e Lartë duhet të tregojë integritet, që sipas tij nuk e ka treguar deri më sot dhe se pas shterimit të gjykatave të brendshme, nëse është e nevojshme do të trokasin edhe në Strasburg.
Ish-presidenti i Republikës po hetohet nga SPAK për veprën penale të “korrupsionit të funksionarëve të lartë shtetërorë”, “pastrimit të parave” dhe “fshehjes e mosdeklarimit të pasurisë”.