Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj ka pasur një takim me homologun e tij grek, Nikos Dendias.
Takimi është mbajtur në Bruksel, ndërsa sipas Cakajt me Ministrin e Jashtëm grek është diskutuar përmbushja e objektivave të përcaktuara nga Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme në qershor 2018.
Po ashtu, mes Cakajt dhe ministrit grek të Jashtëm janë diskutuar një varg veprimesh të përbashkëta në funksion të riparimit e rindërtimit të hapësirave të dëmtuara nga tërmeti.
“Gjatë qëndrimit në Bruksel zhvillova edhe një bisedë me Ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias.
Biseduam për ndryshimet pozitive që kanë ndodhur në Shqipëri – me theks të veçantë në përmbushjen e objektivave të përcaktuara nga Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme në qershor 2018 – për të mundësuar çeljen e bisedimeve për anëtarësim në BE pas miratimit të metodologjisë së re të negociimit.
Po ashtu, diskutuam për një varg veprimesh të përbashkëta në funksion të riparimit e rindërtimit të hapësirave të dëmtuara nga tërmeti.
Një mirënjohje e veçantë për mbështetjen e pakursyer për Shqipërinë që prej orëve të para të pas termetit e deri tani që po vazhdon me përkushtim të fortë dhe rezultate konkrete”, shkruan Cakaj në profilin e tij në Facebook. /e.s/











