Lëvizja Socialiste për Integrim do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese . Kështu deklaroi ish-deputetja Silva Caka në një deklaratë për shtyp nga selia e LSI.
“Ky ligj antikushtetues dhe antiligjor, tashmë i miratuar në rresht nga deputetët rilindas, ngre një Agjenci e cila është në grushtin e Kryeministrit dhe nuk ka asgjë më pak se komitetet e dikurshme të partisë,” u shpreh ajo ndër të tjera.
Deklarata e plotë:
Të nderuar qytetarë dhe qytetare!
Dje, maxhoranca e kapur dhe e inkriminuar, miratoi në seancë plenare antiligjin “Për bashkëqeverisjen”.
Ky ligj antikushtetues dhe antiligjor, tashmë i miratuar në rresht nga deputetët rilindas, ngre një Agjenci e cila është në grushtin e Kryeministrit dhe nuk ka asgjë më pak se komitetet e dikurshme të partisë.
Ngritja e kësaj strukture spiunimi, tregon se shteti ka rënë dhe korrupsioni ka dalë jashtë kontrollit, madje ajo që është akoma edhe më e frikshme është fakti që me këtë ligj antikushtetues, duan të legjitimojnë moskryerjen e detyrave, të vonojnë qytetarët në rivendosjen e të drejtës së cënuar, të kontrollojnë veprimtarinë e pavaruar të institucioneve të vetëqeverisjes vendore, si dhe të ushtrojnë presion mbi punonjësit e administratës deri në pikën e shantazhit apo kërcënimit.
Shkelja e rëndë e të dhënave personale, shqetësim madhor edhe I OSBE/ODIHR-it dhe Bashkimit Europian, në mënyrë të dëshpëruar, kërkon të legjitimohet, pra patronazhistët po synohen të bëhen spiunë të ligjshëm.
Por ccfarë tregon analiza ligjore e këtij ligji të sapomiratuar:
Ky ligj i shpikur nga halli është në konflikt dhe kundërshtim të hapur me disa ligje njëherësh dhe këtu do të përmendja ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, ligjin “Për statusin e nëpunësit civil”, ligjin “Për ndërmjetësimin dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve” e shumë të tjerë.
Kjo monstër ligjore merr në mënyrë arbitrare rolin e oficerit të policisë gjyqësore, të prokurorit dhe të gjyqtarëve të gjykatave administrative.
Agjencia për Dialog dhe Bashkëqeverisje nuk është asgjë tjetër përveçse një organizëm gjobëvënësish shtetërorë, apo më saktë sekserë të gjobave, për të mbajtur gjallë klientelën e Kryeministrit.
Lëvizja Socialiste për Integrim ju njofton se me të përfunduar cikli i plotë i hyrjes në fuqi të këtij ligji antikushtetues dhe antiligjor, do t’a padisë atë në Gjykatën Kushtetuese.
/b.h
Si deputete qe je zonja Caka bej nje propozim me te mire per te luftuar korrupsionin !