Nga Frrok Çupi
Në të vetmen hapësirë ku mund të them se njeriu e ka në dorë orën e kohës; e ka në dorë dhe e kthen pas, e mban në vend, e dëshmon si një ditë e një shekull, i bën çfarë të dojë… Mendoj se Përmeti ka sfiduar filozofë të mëdhenj të botës që thonë me të drejtë se ‘koha nuk kthehet pas’.
A mund të vini ta provoni?!
Kur po ndërtohen rrugët e Përmetit drejt Leskovikut e Kolonjës dëgjoheshin fëshfërima fjalësh sikur ‘po na ikën duarsh’ edhe kjo strehë. Kudo ku janë ndërtuar rrugë e ura, kudo ka ndodhur të mos jetë më ajo që ishte. Kam provuar vite të shkuara në Drimadhes, ku parkonte vetëm makina ime dhe e nja dhjetë të tjera, e notonin 30 vetë gjithsej. Kur njerëzit vërshuan në komoditet, atëherë humbi ‘Drimadhes’.
Çfarë e mban Përmetin larg kësaj ligjësie?
Në Përmet çfarë ndodh, ndodh për herë të parë. E pyeta kryetaren e Bashkisë, zonjën Alma Hoxha: ‘Moj mike, a nuk ke frikë?… A nuk ke frikë se papritur, teksa ti je në post e sa hap sytë Përmeti të ka dalë duarsh; të mos jetë më ky që është?”.
Kjo mund të ndodhë mijëra herë, por më duket se jo Përmetit.
Është i fundit ky që ka mbetur prej gjithë historisë sonë kombëtare, ku koha ka marrë formatin e një serveri gjigand kompjuterik, server që të mban në kohë, të sjell kohën që ishte, të projekton edhe për nesër.
Këtu shumë gjëra, që i thërrasim kombëtare, këtu kanë ndodhur për herë të parë.
Ti mund të vish për herë të parë në Përmet, por s’e besoj se ka mbetur njeri për një ‘herë të parë’. Ke harruar se ka disa orare ku në rrugët e qytetit nuk gjen as këmbësorë as makina. Asnjë, për bè! Është e shtune; dal në dritaren e hotelit tradicional ‘Përmeti’ ku më shfaqet gjithë qyteti për andej nga Gryka e Sopotit. Asnjë njeri në rrugë. Të shtunave dhe të dielave qyteti i ngjan një perle të botës së Perëndimit: Gjenevës, a Bonit, a Oslos… Për herë të parë në Përmet, që nga shekulli i kaluar, shikoj se dy orë në ditë mund të mos blesh dot as cigare: Që nga ora 3 deri në 5 pasdite gjithçka mbyllet. Njerëzit mblidhen në familje, marrin fëmijët nga kudo janë, i japin ‘avdes’ jetës dhe pastaj prapë në lëvizje. Në Parmet ka një dekadë që nuk shënohet asnjë vepër penale në gjykatë.
Këtu të gjitha rrugët kalojnë përmes njerëzve të murosur, sidomos natën. Natën bie një dritë e mahnitshme poshtë që nga mali me borë dhe zbardh portrete mermeri në parqe. Përmeti është i pari mes qyteteve të Mesdheut që numrin e ‘të lavdishmëve në statuja’ e ka më të lartin në raport me të gjallët e qytetit. Kam frikë se po të takojmë një artist të admiruar duhet të ruhemi e mos e pyesim nga është se na del ‘nga Përmeti’. Si me themelet e një shkolle në Durrës: Sa nisën të gërmojnë, aty u zbulua një pasuri e madhe arkeologjike; para dy ditësh. Sapo disa artistë kishin hapur një faqe në fb për ditëlindjen e Antoneta Papapavlit, aktore, shfaqet Përmeti si vendlindje.
Të tjerët janë botërisht të njohur.
Ka shumë njerëz, ndoshta shumica, që për herë të parë po mësojnë tani se edhe Tefta Tashko Koço ishte me rrënjë Përmeti. Tefta Tashko është vajza e patriotit te shquar nga Frasheri, Thanas Tashko.
Hera e parë në historinë e një skulptori të përmasave botërore, Odise Paskali, këtu në Përmet është hapur pavijoni i muzeut të tij. E bija vjen herë pas here, vjen në shtëpinë e saj prej babai. Por hera e parë që një artist si ai ka guxuar t’i shikojë ‘gjigandët’ e vet edhe në trajtë minore përveçse të stërmadhe. Aty ke një Skënderbe të madh, dhe një bocet të vogël pranë; një Enver Hoxhë të madh dhe një sa gjysma e dorës; aty ke të Uriturin- të madh, dhe bocetin e të Uriturit; Mihal Gramenon, Çerçiz Topullin, Idriz Seferin, Vëllezërit Frashëri, Partizanin Fitimtar, Holokaustin… të gjithë- edhe të mëdhenj edhe minorë pranë njëri tjetrit. Artisti i dominon vetë përbindëshin brenda njeriut.
Pranë njëri tjetrit i ka mbajtur Përmeti edhe ‘armiqtë’; në Përmet nuk janë ‘grindur’ kurrë. Këtu janë së bashku Aili Bej Këlcyra dhe monumenti i Kongresit të Përmetit, gjë që nuk ka bërë vaki të jenë edhe zogistë edhe komunistë; edhe bejlerë edhe shpronësues; edhe komunistë edhe ballistë, edhe pd-istë edhe ps- istë, edhe besimtarë edhe të pa fe.. Kongresi ua shtetëzoi ‘Ali Bejve’ sarajet, floririn, pasurinë të tërë, por në Përmet rrinë përballë kalaja e Ali Këlcyrës si atraksion turistik, ashtu edhe vetë Kongresi. I pari qytet i Shqipërisë ku nuk ka një zhgarravinë mbi monumentin e Kongresit- ky është Përmeti. Historia në këtë qytet i përket secilit.
Edhe Mit’hat Frashëri është mbajtur pranë të të atit, si një njeri i gjallë përjetë. Më vjen siku babë e bir kaluan dekada nën rrënojat e tërmetit- siç po ndodh në Turqi, por mbijetuan gji në gji, nën rrënoja. Në shkollat e vendit tonë janë dhënë mijëra orë mësimi mbi lavdinë e Abdyl Frashërit, por asnjëherë nuk thanë se Abdyli ishte babai i Mit’hat Frashëri- një kolos tjetër i mendimit dhe vlerës sonë.
Njëri ishte mbajtur, Mit’hati ishte ‘fshirë’.
Përmeti nuk fshin asnjë vlerë. Bëhet pyetja ku ndodhet ky bark kaq i gjerë që i mban të gjitha vlerat e kësaj krahine. Madje është një qytet kaq i vogël, kaq i pastër, kaq bukur arreduar e shtruar… Gjatë gjithë kohës prodhon verë, por verë që sa ka humbur ai që nuk e provon. Prodhon gliko e raki, zahire të pashoqe dhe bujari…
Por prapë Përmeti mbetet ky qytet i vogël që ka magjinë e kohës: Sa herë ndodh një gjë, këtu ndodh për herë të parë. Për herë të parë do ta shijosh Përmetin edhe sikur para një jave të kesh kaluar.