Intervistë e Javanews me kreun e Konfindustrisë, Buxhuku, lidhur me politikën ekonomike dhe fiskale të qeverisë Rama. Si e shikon ai vizionin ekonomik të kësaj qeverie? Pse është aq e kritikueshme dhe a mendon se kemi një dështim të plotë të saj?
Intervistoi Ben Andoni
Nëse pak më parë nga Gjergj Buxhuku, administratori i Konfindustrië kishte nota më të lehta dhe kritika parimore ndaj politikës ekonomike të qeverisë së re shqiptare, në këtë intervistë, ai është tejet kritik por edhe i zhgënjyer thellësisht ndaj saj.
Administratori i Konfindustrisë vazhdimisht ka qenë jo vetëm parashikues, por edhe këshillues, në emër të institucionit të vet, fillimisht duke i kërkuar qeverisë të ulë taksat, pasi kjo do të ndihmonte në luftën kundër informalitetit masiv në vend. Llogjika e tij ishte se në këtë kohë krize globale, që praktikisht e kapi prej vitesh edhe ekonominë shqiptare, do të ishte shumë e arsyeshme që të shikohej një politikë lehtësuese e taksave dhe tatimeve, qoftë në masë absolute, qoftë për të dhënë një frymëmarrje të re për investime të cilat ishin të domosdoshme për ekonominë.
Në fakt, qeveria e re, jo vetëm nuk është stabilizuar me gjendjen e re të vendit, por nuk ka mësuar fare, sipas tij nga qeverisja e shkuar dhe duket krejt e dështuar: “Paaftësia qeverisëse u shfaq hapur dhe jo vetëm në filozofinë e dështuar të ndërtimit të 3 paketave fiskale mbështetur në rritje të taksave dhe tatimeve. Dështim, që kulmoi në vitin 2015 me rënien historike të të ardhurave buxhetore të parashikuara në 3-4% të PPB. E pashpjegueshme ishte sesi politizimi mposhtë logjikën më të thjeshtë ekonomike për të mos vështruar të metat e paketave fiskale dhe për të mos u përsëritur në ato pasardhëse. Vërtet për të ardhur keq! Të krijohet ideja se qeverisja ekonomike, financiare dhe fiskale e Shqipërisë dhe shqiptarëve është thjesht një ushtrim laboratori i rradhës ” ex catedra” e universitetit të Harvardit dhe asgjë më shumë”. I pyetur për Javanews, për një sens sesi i konsideron politikat e sotme ekonomike të qeverisë shqiptare: të duhurat, të pamenduara mirë apo thjesht klienteliste?-ka dhënë një përgjigje disi lakonike “Në mënyrë të përmbledhur mendoj, se është shumatore e dy shpjegimeve të fundit: klienteliste dhe joprofesionale. Shto këtu edhe populizmin shkatërrues”.
Ju duket se rritja e taksave dhe politika e tanishme fiskale e qeverisë shqiptare kanë sjellë varfëri. Ku po shkon ekonomia shqiptare, sipas jush?
“Duhet të kemi të qartë diçka, se rënia e nivelit të jetesës së qytetarëve shqiptarë ishte pothuaj e pashmangshme në kushtet e krizës globale pavarësisht qeverisjes. Struktura e ekonomisë shqiptare e ndërtuar në 25 vitet e fundit dhe e mbështetur në të ardhura emigracioni, privatizime, ndihma ndërkombëtare, të ardhura trafiqesh, shoqëruar me sektorë prodhues të dobët dhe të paqëndrueshëm si dhe tregje ekonomike dhe bankare të mbyllur dhe jokonkurenciale e përcaktonte qartësisht sa më sipër. Kriza globale ndryshoi në mënyrë të pakthyeshme shumë shtylla të burimit të të ardhurave të ekonomisë shqiptare. Sa më sipër, detyra e një qeverie të përgjegjshme dhe profesionale ishte të frenonte rënien dhe mbi të gjitha të shfrytëzonte krizën si “katarsis” të domosdoshëm për ristrukturimin e ekonomisë. Qeverisja e rradhës, pavarësisht mundësisë pothuaj të papërsëritshme të votave të fituara, që i jepte mundësinë për reforma rrënjësore ekonomike afatgjatë në të mirë të gjithë shqiptarëve, u tregua të paktën e paaftë. Paaftësia qeverisëse u shfaq hapur dhe jo vetëm në filozofinë e dështuar të ndërtimit të 3 paketave fiskale mbështetur në rritje të taksave dhe tatimeve. Dështim, që kulmoi në vitin 2015 me rënien historike të të ardhurave buxhetore të parashikuara në 3-4% të PPB. E pashpjegueshme ishte sesi politizimi mposhtë logjikën më të thjeshtë ekonomike për të mos vështruar të metat e paketave fiskale dhe për të mos u përsëritur në ato pasardhëse. Vërtet për të ardhur keq! Të krijohet ideja se qeverisja ekonomike, financiare dhe fiskale e Shqipërisë dhe shqiptarëve është thjesht një ushtrim laboratori i rradhës ” ex catedra” e universitetit të Harvardit dhe asgjë më shumë”.
Pra, i përmbaheni faktit se politika e taksave të qeverisë shqiptare edhe me aprovimin e FMN-së ka rezultuar deri më tani një dështim për rritjen ekonomike?
“Si e shpjegova më sipër, politika fiskale, por mbi të gjitha politika ekonomike dhe financiare qeverisëse është më shumë se dështim. Kemi përzierje të populizmit, klientelizmit, paaftësisë dhe demagogjisë qesharake. Si mund të jetë arritje qeverisëse: marrja e borxhit për të paguar borxhe!? Ose përjashtimi i të ashtuquajtur “biznes i vogël” nga taksat, që minon në thelb vetë nismën e përshëndetur të qeverisë për formalizimin e ekonomisë!? Siç duket simptoma e “defektit të demokracisë”, koha e kufizuar e mandatit qeverisës ka mbërthyer vendimarrjen politike dhe janë të pandjeshëm edhe nga vërejtjet e bashkautores së kësaj politike:FMN. Kjo e fundit ka pjesën e saj të fajësisë së rradhës, por njëkohësisht është edhe e mashtruara e rradhës e kësaj politike, që ishte e paracaktuar të dështonte. Mosdhënia e pjesës së kredisë së rradhës për vitin 2016, parashikuar në marrëveshjen e përbashkët të 2014 me qeverinë shqiptare është një shenjë e qartë për sa më sipër. Por gabimet tyre mbeten burokratike ndërkohë, që viktimat e vërteta janë qytetarët shqiptarë”.
Ndërkohë, Ju keni mbështetur dhe respektuar nismën e MEI për rishikimin e kontratave koncesonare në disa sektorë. Cilat kanë qenë pasojat e disa prej marrëveshjeve të tilla dhe a do ndihmojnë buxhetin e shtetit, nëse do realizohen?
“Konfindustria e ka përshëndetur nismën e MEI-t për rishikimin e marrëveshjeve koncesionare, duke qenë e bindur, se është në të mirë të ekonomisë kombëtare. Eshtë e qartë se termat e marrëveshjeve janë të tilla, që e bëjnë mjaft të vështirë, por jo të pamundur rishikimin e tyre në interes publik. Kjo, sepse, pavarësisht formulimit nuk duhet harrojmë se aktiviteti i koncesionarëve zhvillohet në Shqipëri dhe ata kanë interesa në afatgjatë. Natyrisht, kërkohet përgjegjshmëri publike në rradhë të parë dhe profesionalisëm në negocime nga institucionet. Shembulli i negocimeve të MEI-t me Bankers Petrolium duhet ndjekur. Gjithmonë duke patur parasysh, se penalizimet nga gjykata ndërkombëtare janë të ashpra, nëse nuk respektohen vullnetet e palëve. Aq më shumë, nëse shantazhohen për gjobitje korruptive”.
Në fund, si i konsideroni politikat e sotme ekonomike të qeverisë shqiptare: të duhurat, të pamenduara mirë apo thjesht klienteliste?
“Në mënyrë të përmbledhur mendoj, se është shumatore e dy shpjegimeve të fundit: klienteliste dhe joprofesionale. Shto këtu edhe populizmin shkatërrues”.