Ndarja e re administrative ka pasur efekt edhe në financimin e njësive bashkiake në vend, 61 gjithsej. Gazeta Shekulli shkruan se formula e re për transfertën e pakushtëzuar, e cila ndahet për të gjitha njësitë bashkiake të vendit, është llogaritur për t’u ndarë sipas një formule të re, e cila është bazuar te popullsia relative, dendësia e popullsisë dhe numri i nxënësve në çdo bashki. Buxheti i vitit 2016, i botuar dhe në fletoren zyrtare, përcakton përpos fondeve që ndahen për çdo bashki edhe një sërë kompetencash që u kalohen nga pushteti qendror. Konviktet e arsimit parauniversitar, Qendrat e Shërbimeve Sociale, Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri, personeli i arsimit parauniversitar, rrugët rurale, administrimi i pyjeve dhe Ujitja e Kullimi do t’u kalojnë bashkive të vendit.
Konviktet e arsimit parauniversitar
Disa bashkive u akordohen fonde për konviktet. Në të përfshihen fonde për paga dhe sigurime shoqërore të personelit (punonjës dhe edukatorë), shpenzimet operative dhe ato për investime. Për llogaritjen e tyre, njësitë e qeverisjes vendore do mbështeten në kuadrin rregullator që ka përdorur Ministria e Arsimit. Por, në këtë pikë theksohet se bashkitë mund të shtojnë fondet nga të ardhurat e tyre për të rritur cilësinë e shërbimit.
Shërbimi Social
Në transfertën specifike të bashkive, Berat, Elbasan, Shkodër, Kuçovë dhe Kukës janë fondet për paga dhe sigurime shoqërore të personelit shërbyes dhe shpenzime operative për qendrat “Lira” Berat, “Balash” Elbasan, “Shpresa” Shkodër dhe qendrat ditore të fëmijëve me Aftësi të Kufizuara për Kuçovën dhe Kukësin.
Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri
Ministria e Punëve të Brendshme duhet të transferojë në bashkitë përkatëse inventarin e mjeteve, godinave dhe aseteve të tjera. Në këtë fond bëjnë pjesë fondet për pagat dhe sigurimet shoqërore të punonjësve dhe shpenzimet operative. Ministria e Punëve të Brendshme duhet t’u dërgojë bashkive të gjithë dokumentacionin që lidhet me personelin e këtij shërbimi dhe të dhënat e tjera që janë të lidhura me këtë shërbim.
Personeli në arsimin parashkollor dhe parauniversitar
Në transfertë janë fondet për personelin edukativ dhe ndihmës së arsimit parashkollor si dhe fondet për personelin ndihmës të arsimit parauniversitar. Në fondet e personelit ndihmës të arsimit parauniversitar nuk përfshihet arsimi profesional. Do të jetë Ministria e Arsimit ajo që duhet të dërgojë në bashkitë përkatëse kuadrin ligjor, lidhur me dosjet personale të punonjësve, pagat dhe sigurimet shoqërore për personelin edukativ të arsimit parashkollor dhe personelin ndihmës të arsimit parauniversitar.
Rrugët rurale
Në këtë transfertë do të jenë fondet për rrugët rurale që transferohen nga qarku në bashki. Në këto fonde, bëjnë pjesë fondet për paga, sigurime shoqërore, shpenzime operative dhe investime. Këshillat e qarqeve duhet të dërgojnë në bashkitë përkatëse kuadrin ligjor, lidhur me rrugët rurale rajonale të transferuara në bashki, dosjet personale të punonjësve, mjetet dhe asetet sipas një plani të miratuar me Vendim të Këshillit të Ministrave.
Ujitja dhe kullimi
Në këtë fond përfshihen fondet për pagat dhe sigurimet shoqërore të punonjësve dhe shpenzimeve operative. Do të jetë Ministria e Bujqësisë, ajo që do të dërgojë në bashkitë përkatëse kuadrin, lidhur me mjetet, asetet dhe të dhënat e tjera që disponon e që janë të lidhura me shërbimin.
Fondet
Për këtë vit, për financimin e funksioneve të veta, bashkitë do të marrin 96.3 për qind të transfertës së pakushtëzuar, ose 11.4 miliardë lekë. Funksionet e reja të transferuara te bashkitë financohen nëpërmjet transfertave specifike, për një periudhë tranzitore deri në 3 vjet. Ndërsa, sa i përket ndarjes së fondeve për 12 qarqet e vendit, ato do të marrin 3.7 për qind të transfertës së pakushtëzuar ose 440 milionë lekë. Reforma e re territoriale, sipas ndarjes së re, dhe me transferimin e fondeve, duket se eliminon dallimet ligjore të mëhershme mes komunave dhe bashkive, duke i bërë 61 bashkitë e reja shumë të ngjashme, në sipërfaqe dhe në popullsi. Në formulën e re, 15 për qind e totalit të fondit për bashkitë, alokohen duke u bazuar te dendësia e popullsisë dhe përfituese janë njësitë që kanë një dendësi popullsie nën 110 për qind të mesatares kombëtare prej 118 banorë për km².
Administrata, si do të ndahen 81 1500 punonjës
Gjatë vitit 2016 në administratën publike do të jenë të punësuar 7403 persona më pak se vitin e kaluar. Kontratën për të punuar për shtetin, do ta lidhin 81147 persona, nga 88550 që rezultonin vitin e kaluar. Reforma e ndërmarrë, me strukturimin e ri njësive administrative në disa sektorë apo institucione e shton numrin e punonjësve, por ka të tjera, ku numri i tyre reduktohet ndjeshëm. Numrin më i madh i largimeve do të bëhet në sektorin e arsimit, ku do largohen 7100 punonjës. Numri i punonjësve të Kryeministrisë do të dyfishohet, nga 227 aktualisht në 530 vetë vitin e ardhshëm. “Për vitin 2016 reforma e administratës publike do të fokusohet në rritjen e vazhdueshme të eficencës dhe performancës së administratës qendrore, e cila do të arrihet nëpërmjet ristrukturimeve të institucioneve ekzistuese. Numri i punonjësve për vitin 2016 arrin në 81.147 punonjës, duke reflektuar transferimin e disa funksioneve nga qeverisja qendrore në atë vendore”, thuhet në relacionin që shoqëron buxhetin.
SHEKULLI











