Vitin e ardhshëm do të kemi një numër më të madh ish-pronarësh që do kenë mundësi të marrin lekët e kompensimit. Qeveria ka paraqitur në Kuvend projektbuxhetin për vitin 2019, ku dhe parashikon një rritje të konsiderueshme të zërit për kompensimin e ish-pronarëve, kjo krahasuar me buxhetin e vitit 2018. Ndërsa për vitin ekzistues ajo buxhetoi afërsisht 33 milionë dollarë, për vitin e ardhshëm ka parashikuar një shifër që shkon përafërsisht 50 milionë dollarë. Kjo përbën edhe shumën më të madhe që ka vënë ndonjëherë ndonjë qeveri në dispozicion të kompensimit të ish-pronarëve dhe kjo nuk ka lidhje vetëm me faktin që vitin e ardhshëm është vit elektoral, por edhe me formulën e kompensimit që ka parashikuar qeveria me ndryshimet ligjore që miratoi para disa vitesh. Gjithsesi, kjo mbetet ende një shifër e ulët po të kemi parasysh faturën totale që kërkohet për të mbyllur përfundimisht çështjen e kompensimit të pronave, e cila llogaritet në afro 135 miliardë lekë të reja.
Të përndjekurit
Por, ndërsa buxheti i vitit të ardhshëm paraqitet pozitiv për ish-pronarët, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për një tjetër shtresë të përvuajtur në Shqipëri, ish-të përndjekurit politikë. Buxheti për këtë kategori është përgjysmuar. Nga rreth 2 miliardë lekë që qeveria akordoi një vit më parë në buxhetin e 2018, në vitin e ardhshëm ajo këtë shumë e ka përgjysmuar duke e çuar në vetëm 1 miliard lekë. Ky përbën në fakt edhe uljen më të madhe që ka pësuar ndonjë prej buxheteve të tjera për vitin 2019. Burime nga qeveria kanë bërë të ditur se kjo tkurrje vjen prej faktit se numri i personave që duhet të dëmshpërblehen për vuajtjet në burgjet e komunizëm ka rënë ndjeshëm, ndërsa mbeten ende në shumicë trashëgimtarët e tyre.
Institucionet e tjera
Por ndërsa fondi për ish-të përndjekurit politikë është reduktuar në mënyrë të ndjeshme, qeveria nuk ka ngurruar që edhe për vitin e ardhshëm të rritë buxhetet e institucioneve të tjera kryesore në vend, duke filluar që nga Presidenca, Kryeministria apo edhe ministritë e ndryshme. Kështu, rritje ka pësuar buxheti i institucionit të Presidentit, i cili nga 247 milionë lekë ka kaluar në 248 milionë lekë. Megjithëse bëhet fjalë për një rritje fare të vogël, tregon qartë që qeveria kërkon ta mbajë mirë me institucionin e presidentit. Por, qeveria ka rritur edhe buxhetin e Kryeministrisë nga 960 milionë në 1 miliard lekë. Rritje kanë pësuar edhe një sërë institucionesh të tjera si Ministria Jashtme, Ministria e Drejtësisë apo edhe Prokuroria. Por nuk ndodh e njëjta gjë me Ministrinë e Bujqësisë, e cila ndonëse mbulon ndoshta pjesën më të rëndësishëm të ekonomisë së vendit, ka pësuar ulje. Nga 11 miliardë lekë në 2018 në vitin e ardhshëm buxheti i kësaj ministrie shkon në 10.5 miliardë.
Buxheti i shtetit, si shpërndahen paratë për cdo institucion
Institucioni Buxheti 2018 Buxheti 2019
Presidenca 247,500,000 248,000,000
Kryeministria 960,000,000 1,000,000,000
Kuvendi 1,193,200,000 1,148,160,000
Ministria e Bujqësisë 10,944,628,000 10,853,962,000
M. Infrastrukturës&Energjisë 47,542,630,000 46,904,204,000
Ministria e Financave 60,868,921,000 58,362,139,000
Ministria e Arsimit 38,374,242,000 39,167,143,000
Ministria e Kulturës 2,009,897,000 2,165,867,000
Ministria e Shëndetësisë 60,116,852,000 60,865,377,000
Të përndjekurit Politikë 2,051,300,000 1,047,300,000
Ministria e Drejtësisë 10,446,100,000 12,401,758,000
Pronat 3,412,500,000 4,899,080,000
Ministria e Jashtme 2,997,180,000 3,080,500,000
Ministria e Brendshme 21,110,038,000 20,925,355,000
Ministria e Mbrojtjes 19,797,838,000 21,002,417,000
SHISH 1,544,000,000 1,575,000,000
Ministria e Turizmit 2,258,760,000 2,626,840,000
Prokuroria e Përgjithëshme 1,679,000,000 1,750,000,000
Në total 309,298,980,000 313,106,567,000










